Rënia e Egjiptit*

Postuar në 15 Maj, 2017 13:26
Dr. Basheer M. Nafi

Statusi i një vendi nuk përcaktohet, siç duan të na bëjnë disa historianë të besojmë, vetëm nga historia e tij, as vetëm nga gjeografia, apo vullneti politik. Roli i vendeve modelohet nga ndërveprimi i gjeografisë, historisë, politikës dhe burimeve të veta së bashku. Është përmes kombinimit të këtyre forcave që roli i Egjiptit lindi dhe u zhvillua në jetën e arabëve gjatë shekullit të 20-të, pas mbarimit të Luftës I Botërore dhe kolapsit të Perandorisë Otomane. 

Fuqia e butë e Egjiptit, nëse mund ta quajmë kështu, u shfaq në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Gjithsesi nuk duhet tepruar me të. Egjipti ra nën kolonizatorët britanikë në vitin 1882. Duke mbështetur projetkin modernizues të ndërmarrë nga Khedive Islamil, britanikët morën përsipër të krijonin një klimë relativisht liberale, e cila tërhiqte një numër kristianësh të arsimuar në Orient krahas një numri të njëjtë klerikësh salafistë që ishin reformatorë. Roli që luajtën të gjithë këto elementë në kulturën egjiptiane dhe më gjerë në atë arabe, çuan në mbivlerësimin e rëndësisë së Kajros së shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Por e vërteta është se gjatë Luftës I Botërore, Stambolli vijoi të ishte qendra e kulturës dhe politikës në rajon.

I pari ishte Stambolli

Ishte Stambolli qendra ku qindra aktivistë arabë dhe myslimanë drejtoheshin, përfshirë shumë egjiptianë. Ishte Stambolli qyteti ku merreshin vendimet dhe ku krijoheshin rrymat kryesore politike. Dhe ishte nga Stambolli që këta individë niseshin për të filluar betejën kundër hegjemonisë së huaj. Nëse Damasku ishte djepi i lëvizjes arabe, rrymat më të rëndësishme të arabizmit morën jetë brenda qarqeve të studentëve arabë dhe arabëve të arsimuar që jetonin në kryeqytetin e sulltanatit.

Roli i Stambollit përfundoi me mundjen e otomanëve dhe lindjen e Republikës Turke, akti i parë i së cilës ishte izolimi dhe çmobilizimi nga i saj nga bota arabe. Qysh atëherë, arabët nisën një udhëtim të vështirë në kërkim të strukture të re referuese për identitetin e tyre, sikurse për çlirimin nga hegjemonia e huaj dhe ndarja e imponuar prej saj.

Ngritja e Egjiptit

Lëvizja arabe jo vetëm që i shtyu horizontet e veta gjatë viteve 1920- 1930, por ajo fitoi rëndësi domethënëse në kulturën dhe politikën egjiptiane. Ky zhvillim eci dora dorës me lindjen e një ndërgjegjeje të dukshme sidomos tek elita egjiptiane, për madhësinë dhe pozicionin e vendit dhe rolin e tij potencial. Me një mbështetje të madhe nga qarqet shekullariste në vendin e tij, mbreti Fuad u përpoq në vitet ’20 të shekullit të 20-të që të trashëgonte postin e Kalifit pasi Kalifati u abrogua nga republika e Turqisë. Mbreti Faruk e rrethoi veten me egjiptianë, arabë dhe islamistë, të cilët imagjinonin se Egjipti duhet të drejtonte të gjithë botën arabe. Pavarësisht hezitimit dhe xhelozisë të konstatuar kaq shpesh në Irak, Siri dhe Arabinë Saudite, arabët si të tërë panë tek Egjipti qendrën e tyre më të rëndësishme të gravitetit, ndoshta të vetmen që kishin. Nuk ka dyshim se lindja e Çështjes Palestineze dhe roli i Egjipti në të, apo roli që Egjipti duhet të luante në mbështetje të palestinezëve, ndihmoi që të ngrinte Egjiptin në rolin e një vendi të të gjithë arabëve.

Farkëtues i ndërgjegjës arabe

Në periudhën e pas vitit 1952, Arabizmi u bë pika zyrtare e referencës për republikën egjiptiane.  Prirja arabiste, që ishte kontroversale në periudhën mes dy luftërave botërore, u trasnformua në politika të respektueshme, u plotësua me konsiderata strategjike – ekonomike, politike dhe kulturore – edhe pse kohë pas kohe Egjipti dukej të ishte në pozita jo të favorshme. Kjo është arsyeja pse Egjipti u bë qendra e kulturës arabe dhe referencë për politikat. Duke nisur nga fundi i viteve 1930, Egjipti udhëhoqi betejën e botës arabe për Palestinën duke ngritur lart flamurin e unitetit arab. U bë shtëpia e Ligës Arabe, mbështeti lëvizjet çlirimtare arabe në betejat për pavarësi dhe ndërmori luftëra me synim sigurimin e pozitave të arabëve në skenën globale.

Shumë pak arabë i kushtuan rëndësi rolit të luajtur nga Baghdadi dhe Halepi në zhvillimin e muzikës moderne arabe, sepse Egjipti dhe vetëm Egjipti, ishte kthyer në qendrën, roli i të cilës njihej nga arabët si esencial në formësimin e shijeve të tyre muzikore. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti se Egjipti vijoi të ishte qendra e industrisë kinematografike arabe. Aq sa dialekti egjiptian u bë një lloj sinonimi për vetë arabishten. Për dekada me radhë, Universiteti Egjiptian – i njohur tani si Universiteti i Kajros – ishte Meka e arabëve ambiciozë që donin të merrnin arsimim modern. Institucionet e arsimit të lartë që lulëzuan shpejt në kryeqytetet e vendeve arabe të sapopavarësuara ndoqën shembullin e Universitetit Egjiptian dhe e rivalizuan atë.

Kjo nuk u kufiza vetëm në fushën e arsimit modern. Statusi i Al – Azhar si bastion i shkencave islamike nuk u lëkund, pavarësisht përhapjes së qendrave arsimore islamike konkuruese, por as edhe nga përplasjet shqetësuese mes regjimit republikan dhe Vëllazërisë Myslimane. Thënë shkurt, Egjipti jo vetëm që u bë pulsi i arabëve, por ai gjithashtu ishte edhe farkëtuesi i ndërgjegjes dhe shpirtit modern të tyre.

Ngulitur në kujtesë

Nuk është e çuditshme pra pse pozicioni dhe roli i Egjiptit, që zgjati për gjashtë dekada, do të fitonte kaq shumë peshë në kujtimet e arabëve. Dhe jo vetëm në memorien kolektive arabe, por gjithashtu edhe në memorien e pjesës më të madhe të vëzhguesve joarabë dhe specialistëve që vazhdojnë ta konceptojnë Egjiptin si standardin e ekzistencës arabe dhe treguesin e të ardhmes arabe. Shumica e politikanëve, aktivistëve dhe protestuesve mendojnë se kriza brenda botës arabe është zmadhuar nga mungesa e Egjiptit dhe besojnë se arabët nuk do të gjejnë rrugëdalje nga situata aktuale derisa Egjipti të ringrihet. Shtegu arab drejt një të ardhmeje më të mirë, besojnë ata, është i kushtëzuar nga rimarrrja nga Egjipti e përgjegjësive si lider i të gjithë botës arabe. E megjithatë realiteti tregon se arabët duhet t’i japin më pak rëndësi kujtimit të maadhështisë së Egjiptit dhe të çlirojnë veten nga ky kurth. Kjo jo pse Egjipti ka humbur domethënien e vet, pozicionin apo madhësinë, por sepse Egjipti nuk ka hyrë në rrugën e ripërtëritjes dhe ringjalljes; dhe nuk duket se ka ndërmend së afërmi të rimarrë lidershipin e diçkaje. 

Thjesht një rrënojë

Duhet pranuar se Egjipti nuk është më burimi i ndërgjegjes arabe, as edhe nuk është më farkëtues i kulturës arabe. Arsimi egjiptian ka rënë kohë më parë, artet e këtij vendi janë në dekadencë, ndërkohë që media egjiptiane është burim turpi. Egjipti vuan nga një krizë ekonomike që me gjasë do të zgjasë për shumë dekada dhe një kolaps i madh, në mos i plotë në të gjithë sektorët e shërbimeve nga transporti te shëndetësia, është i mundshëm. Edhe pse institucionet shtetërore nuk janë në gjendje të mirë në asnjë prej vendeve arabe, shteti egjiptian nisi të tatëpjetën në fillim të viteve ’60 të shekullit të 20-të dhe sot është një rrënojë totale. Megjithë madhësinë dhe historinë e vet, Egjipti është sot peng dhe nën ndikimin total të një vendi shumë më të vogël dhe të ri në Gjirin Arabik. Arabisë Saudite. Revolucioni i 25 janarit 2011 përfaqësonte një shkëndijë shprese për Egjiptin. Gjithësesi, grushti i shtetit i 23 korrikut e shuajti shumë shpejt atë shkëndijë dhe risolli rënien. Qysh prej atëherë situata ka qenë më keq se asnjëherë më parë. Egjiptit i nevojitet një çmontim radikal dhe total i strukturave politike, ekonomike dhe sociale në mënyrë që një shtet i ri të ndërtohet nga këto mbetje. Një opsion i tillë nuk duket se figuron në llogaritë e klasës drejtuese dhe në mjedisin kulturor, as në ato të forcave dhe rrymave opozitare. Edhe sikur një opsion i tillë të mund të bëhet i mundshëm, do të duhen dekada përpara se Egjipti të jetë i aftë të rimarrë diçka nga roli dhe nga ndikimi që gëzonte në historinë moderne të arabëve.

Me fjalë të tjera, arabët duhet të heqin dorë nga pritja e Egjiptit dhe të shkarkojnë veten nga barra e një nostalgjie të tillë iracionale për rolin e tij të dikurshëm. Ata kanë nevojë që të nisin të kërkojnë për të ardhmen e tyre pavarësisht nëse janë të aftë të ndihmojnë ose jo.

*Titulli dhe përkthimi nga ResPublica

https://www.middleeastmonitor.com/20170514-egypt-is-no-longer-the-heart-...

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mema e kulturave boterore prej mijra vjetesh, Egjypti, eshte ne renie te vazhdueshme shekullore! Pa ndihmen e perendimit kishte per tu ndare ne tre-kater provinca! Ndaj ka per ti kaluar edhe shekujt e ardhem mes demokracise dhe diktatures!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.