1 milionë vota për ta lënë Shqipërinë siç ishte  

Postuar në 11 Maj, 2017 13:35

Gënjeshtra dhe demagogjia po infektojnë keq klimën politike në Shqipëri, të cilën media nuk duket se po e administron dot në pasqyrim. Për çdo takim, çdo lëvizje, çdo fjalë, ndoënse me tekst dhe vizibilitet të njëjtë për të gjithë, tituj të ndryshëm, lexime të njëashme dhe theksime të posaçme tentojnë të tërheqin vëmendjen aty ku është interesi I njërës palë. P.sh paketa e McAllister do të duhet të raportohej njësoj pasi përmbajtja e saj ishte e rëndësishme dhe shumë e pranueshme. Të dyja palët gënjyen, e pas tyre edhe media, që kap te fjalitë e politikanëve valencën e nevojshme për të përshatur linjën editoriale ditore. Kjo është njëra anë. Ana tjetër, edhe më e rëndë, është loja që luajnë kategoria e analistëve, të cilët mbajnë me oksigjenin e kredibilitetit të tyre narrativën bardh e zi të një opozite që është destruktive. Në fakt opozita ka dëshmuar sinjale destruktiviteti, por po aq destruktiv është edhe qëndrimi i pushtetit që e shtyn atë drejt kësaj rruge.

Tek lexon përditë se Donald Lu me Romana Vlahutin venë e vinë nëpër zyrat e opozitës dhe të qeverisë, e sërish nuk po qullosin gjë, mund të kuptosh se kriza është shumëdimensionale dhe se ajo nuk është më siç thotë kryeministri, një krizë nervore e PD-së. Demagogjia me të cilën po luan pushteti mund të kushtojë shtrenjtë.

18 qershori është votë për vettingun. Kështu tha kryeministri para disa ditësh. Dakord, po pse t’ia kërkosh atëherë PD-së vettingun?

Së dyti, kemi ministrin e Brendshëm të kësaj qeverie që pranoi publikisht se kanabisi është problem emergjent dhe se policia e shtetit, ka qenë e implikuar në nivele të larta. Më tutje: paraardhësi i tij kishte gabuar…si djalë i ri që ishte.

Po përgjegjësia që pason në kësi rastesh ku është? Kush e merr? Kanabizimi nuk është përgjegjësi policore dhe operative, por ligjore e politike. Ministri Tahiri iku, por sot ai është kryetar i PS-së së Tiranës dhe bën fushatë me votuesit e rinj që e dinë nga ana e tyre se “ministri i ka luajtur fenë me hashashin”.

Pse vettingu po luhet si karrem për të gjithë? Është e vërtetë se sistemi i drejtësisë do shkundur, por z. Rama nuk ka sesi të kërkojë vota sërish me këtë kartë, kur ato i mori njëherë në vitin 2013. 1 milionë shuplakat iu dhanë atij ndër të tjera edhe për të “futur Sali Berishën në burg”. Sot jemi katër vjet më pas dhe ata që shpresuan se kjo gjë do të ndodhte, panë se në seancën e parë të Parlamentit, z. Rama ia la historisë gjykimin e Berishës. Më tej, interesi ia kërkoi të hapte llogari të reja, kurse sot është i paqartë për atë që mund të ndodhë, pasi mesa duket nuk është dëshmuar menaxher i zoti i 1 milionë votave. Sot votuesit shohin sërish Berishën që me fjalët e atij kryeministri që e votuan, “kërcënon të rikthejë 1997-ën”. Gjëja e parë që të vjen ndërmend këtu është se përse vallë duhet votëbesuar sërish një njeri që është treguar kaq i pazoti?

E dyta që pason është ajo që lidhet me qeverisjen dhe problemet e saj, të cilat as që zihen në gojë: Përse duhet vettingu i gjyqtarëve për konçesionet, apo për luftën ndaj kanabisit? Vetë z. Rama ka pranuar dhe vlerësuar verdiktin e gjyqësorit për çështje të vetat personale, duke ngritur dyshime për karakterin instrumentarl të reformës në drejtësi.

Në të gjithë këtë tollovi të organizuar qëllimisht, mungon roli denoncues i medias, e cila nuk mund të atrofizohet kaq shumë saqë edhe të vërteta të dukshme, t’i kanalizojë me ndihmën e një shqipeje dredharake. Çfarë po kuptohet tashmë është roli i diskredituar i analistëve që janë atashuar shpirtërisht apo financiarisht me parti politik, por edhe fakti se kazani mediatik po aq sa e dëmton pushtetin, aq edhe po e ndihmon me fragmentarizimin dhe kaosin që përcjell.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.