Rehatia apo Demokracia, kush kërcënohet nga protesta e PD-së?

Postuar në 09 Maj, 2017 11:11

Protesta e paralajmëruar e opozitës në 13 Maj ka angazhuar figurat e  reja e  të vjetra të pushtetit në Partinë Socialiste  të analizojnë aksionin politik të PD nga premisat e teoricienëve të demokracisë dhe stabilitetit. Nga dritaret e pushtetit shihet me një lloj keqardhje që Partia Demokratike po del jashtë sistemit dhe po asgjeson veten në një farë mënyre, madje kjo quhet deri një pabesi ndaj shtresave të djathta.  

Po ashtu konkluzionet janë se dhuna që po projekton opozita është në dëm të interesave të vendit dhe vetë Partisë Dëmokratike. Pandeli Majko shkruan sot se "Dhuna dhe Republika e saj nuk është alternativë politike". Ai thotë se "Përpara se të ulërasim duhet të mendojmë si të shpëtojmë vendin! Dhuna nuk është as zgjedhje dhe as zgjidhje. Sigurisht!..".

Po, sigurisht dhuna nuk është alternativë në demokraci. Po a i përmbush Shqipëria kriteret e një vendi demokratik, pa dhunë shtetërore mbi të drejtat dhe liritë e individit, ku stabiliteti nuk është një lloj ekuilibri mes të "drejtës" së disave për të grabitur e përfituar me lejen e shtetit dhe arrogancës mbi pjesën tjetër të taksapaguesve të stresuar të Republikës ku pushteti tregon shembullin e shtetit. Nuk mund ta thotë këtë deputeti i një partie që ka rekorde publike të përdorimit të dhunës për qëllime të pushtetit.

Vetë Partia e zotërisë është organizatore e një proteste të dhunshme në 21 Janar, për të cilën nuk ka mbajtur ende asnjë përgjegjësi. Kostot e rrugës së Edi Ramës drejt pushtetit kanë qenë me pasoja tragjike për jetën e 4 njerëzve që u vranë në një protestë, qëllimi i së cilës ishte rrëzimi me dhunë i një pushtetit të ngritur mbi korrupsionin dhe klientelizimin ose "njeriun me bllok", filozofinë e të cilit kjo parti e përqafoi pa dilema deri sa e kurorëzoi President të Republikës.

Pacifizmi që kërkojnë të përcjellin kokat e urta të pushtetit të merakosura për fatin politik të Partisë Demokratike vjen nga pozitat e rehatisë ku ndodhet Republika e drejtuar prej tyre. Kjo rehati sipas tyre nuk duhet prishur për hir të stabilitetit, pasi protesta nuk buron nga nevoja për demokraci por nga përçartja e drejtuesve të Partisë Demokratike. Arsyetime që vijnë nga Rehatia e një pushteti të ngritur mbi dhunën, dhunën e njerëzve të krimit që u bënë deputetë e kryetarë bashkish, dhunën e drejtorëve të pushtetit që drejtojnë rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës e të tjera me radhë.

Dhuna nuk është argument dhe nuk mund të jetë argument as dje as sot, ashtu siç nuk është argument cënimi e rehatisë së pushtetit përmes një përpjekje për të atashuar PD-në me dhunën, vetëm e vetëm që demokracinë ta quajmë kur e miraton ajo që sot quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila para pak vitesh ka bllokuar rrugë, bulevarde, ka djegur goma, ka ngritur çadra jo per kauza si këto të sotmet, por për ato që akoma dhe sot i quan faje të Saliut.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.