Rreziku rus një aspekt, por edhe nacionalizmi i porositur duhet marrë në analizë

Postuar në 08 Maj, 2017 09:04

Shaban Murati vijon edhe sot në një opinion në “Gazeta Shqiptare” me idenë e depërtimit rus në Ballkan. Duke e artikuluar këtë tezë në kufijtë e një obsesioni, Murati, diplomat dhe publicist i njohur, shkruan se kësaj radhe kemi të bëjmë me një etapë të re të angazhimit të Rusisë në Ballkan. Ai e merr spunton nga një deklaratë e ambasadorit rus në BE, Vladimir Chizhov, sipas të cilit “Rusia ofron alternativën ruse në vend të integrimit euroatlantik për Maqedoninë dhe shtetet e tjera të Ballkanit”. Këtë ide që në fakt është ndajshtesë e idesë së hershme të një pati të ri për sigurinë në Europë, që është propozuar nga Rusia, Murati e vlerëson si kërcënuese për rajonin dhe botën shqiptare.

Çfarë është alternativa ruse për vendet e Ballkanit? Së pari, ajo është përpjekja për të bllokuar dhe sabotuar orientimin strategjik të vendeve të Ballkanit për integrim në BE dhe në NATO dhe presion i ri rus ndaj Ballkanit për të hyrë në rrugën e integrimit ekonomik, politik dhe ushtarak me Rusinë. Së dyti, alternativa ruse është plani dhe përpjekja për të bërë një riformatim gjeopolitik të rajonit në përputhje me skemat e vjetra historike të kohës së Bashkimit Sovjetik. Së treti, alternativa ruse e Ballkanit synon kundërvënien ndaj sistemit të vlerave dhe të normave demokratike perëndimore, që shtetet dhe popujt e Ballkanit kanë zgjedhur me vullnet të lirë, për t’u integruar në familjen euroatlantike”, shkruan ai.

Më tej akoma, Murati shkruan se “sipas burimeve serioze, duhet pritur një dislokim më i madh i njësive dhe celulave profesionale ruse apo të mercenarëve rusë të diversionit dhe të luftës hibride në shtetet e veçanta të Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Është mirë të kujtohet edhe shteti, edhe lexuesi, se disa grupe diversioniste dhe terroriste të shërbimit sekret rus dhe serb, pjesëtarë në përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi gjatë zgjedhjeve në tetorin e vitit të kaluar, do të hynin në territorin malazez nga Shqipëria, çka tregon se ata kishin një mbështetje edhe në territorin shqiptar”.

Për komentet e para duhet thënë se kjo strategji ruse është pranuar në fakt, pse jo lehtësuar nga vetë vizioni që ofron kryeministri shqiptar dhe presidenti i Kosovës. Të cilët në mënyrë të koordinuar kanë deklaruar se dështimi i integrimit në BE, sjell bashkimin nacional të shqiptarëve në një shtet. Thënë kjo, vetiu është shtruar çështja – nga pjesa më pro perëndimore e Ballkanit, shqiptarët – për nevojën e ndryshimeve gjeopolitike në Ballkan. Çka do të thotë se integrimi në BE, është një aspiratë, një ëndërr që do të ishte fatlume për botën shqiptare, por ajo duket se nuk është më kaq absolute si tezë. Në këto kushte gjithësekush do të rivlerëojë aksionet dhe për këtë arsye nuk ka shumë kuptim teza e Muratit se pas çdo ndryshimi rreziku rus rrit peshën e vet. Projekti nacional I artikuluar nga Rama dhe Thaçi do të çonte edhe pa asnjë ndërhyrje të Rusisë në kërkesa analoge nga serbët duke minuar stabilitetin e Bosnjes, të Kosovës dhe duke rihapur llogoret e tensioneve Serbi – Kroaci. Neutraliteti I Serbisë e bën atë formalisht të pafajshme në këto përballje, sa kohë që neutralitet do të thotë e drejtë për të zgjedhur. Shqipëria dhe bota shqiptare përkundrazi, nuk mund të tolerojë andrrallat nacionaliste pasi kanë firmosur me vullnet pjesëmarrjen në organizatat e Perëndimit, të cilat janë të koduara nga vlera të tjera nga ato të nacionalizmit. për këtë arsye do të ishte mirë që krahas rrezikut rus, qartësisht prezent në Ballkan si peshë e shtuar e Moskës, të vihej theksi i kritikës, apo analizës edhe mbi pasojat e kësaj loje nacionaliste që luhet nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, jo si produkt i politikës së zgjuar apo forcës reale, por për llogari të të tretëve dhe në kontekst dobësie për të tjerët që nuk lë shije të mirë dhe që nuk do të mungojë të prodhojë kosto.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.