Zaev premton gjithçka me flamurin e reformës në drejtësi

Postuar në 07 Maj, 2017 17:35

Lideri i opozitës maqedonase, partia e të cilit u rendit e dyta në zgjedhje, por nisur nga mosarritja e Gruevskit për të formular qeverinë pretendon se ka mandatin popullor për t'u bërë kryemistë ka dhënë një intervistë së fundmi për Radio Europa e Lirë, ku ka premtuar thuajse gjithçka me flamurin e reformës në drejtësi. Pajtim me shqiptarët, hetim rastit të Kumanovës dhe referendum për çështjen e emrit  me Greqinë 

Radio Evropa e Lirë: Nuk përmendni çështje që janë me interes për shqiptarët siç është zbardhja e ngjarjeve në Kumanovë, apo rastin Monstra... paralelisht do të punoni në këtë drejtim? Mund t’ua premtoni këtë qytetarëve?

Zoran Zaev: Unë premtova zgjidhje të shpejtë me përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në hetime të ngjarjeve të Kumanovës, Monstrën, Brodecin, rastin e Nikolla Mlladenovit, atë të Martin Neshkovskit dhe disa raste të tjera. Pse? Sepse nevoja për të vërtetën dhe drejtësinë, paraqet vërtetim për atë se jemi apo nuk jemi shtet.

Shteti i së drejtës duhet të garantojë pavarësinë gjatë vendimeve (gjyqësore), por edhe të vërtetën e përgjithshme për qytetarët. Vetëm në atë mënyrë do të përçojmë porosi për një pajtim të plotë, barazi dhe bashkarish të angazhohemi për perspektivat e këtij vendi të përbashkët, Republikën e Maqedonisë.

Radio Evropa e Lirë: Kur mund të pritet një zbardhje e tërësishme e këtyre rasteve, që prekin interesat e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë?

Zoran Zaev: Paralelisht, do të angazhohemi për të gjitha këto çështje? Pse? Sepse duhet të mundësojmë të sundojë shteti i së drejtës. Ashtu siç do të kthehet shteti i së drejtës, Maqedonia e ka patjetër të ecë rrugës së integrimeve në BE dhe NATO. Por, njëkohësisht duhet të angazhohemi dhe në realizimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Radio Evropa e Lirë: Skenat e përgjakshme nga e enjtja e kaluar, sollën shqetësim te qytetarët. Pas këtyre ngjarjeve, nëse bëheni kryeministër, si do të jeni për të gjithë qytetarët? A është i mundur pajtimi në shoqëri?

Zoran Zaev: Gjithsesi se duhet të ndodhë pajtimi politik, pajtimi nacional, pajtimi ndëretnik, pajtim partiak, si të doni kuptojeni. Përmbi kokë na kanë dalë ndarjet e përçarjet. Shumë gjak i keq u lëshua në mesin e popullit tonë dhe nuk mund të presim perspektivë dhe të ardhme të mirë për Maqedoninë nëse kjo mbetet kështu.

Unë jam i krishterë ortodoks, besimtar dhe, ja, kështu do ta them - falja më e madhe në fenë time, e besoj se kjo kështu është edhe te feja islame, edhe tek ajo katolike, edhe te të gjitha fetë, është që t’ia falësh armikut. Ne kundërshtar kemi kundërshtarin politik, të tjerë nuk kemi. Kjo do të thotë se, absolutisht, secili do të shkojë në gjykatë dhe secili do të bartë përgjegjësi. Por, duhet mes nesh ta përcjellim porosinë e faljes, nëse duam të bashkëpunojmë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse departizohet gjykata, a do të ketë nevojë për Prokurorinë Publike Speciale?

Zoran Zaev: Prokuroria Publike Speciale është formuar me konsensusin e të gjitha partive dhe të gjithë deputetëve në Parlament dhe ajo e ka qëllimin dhe nevojën e vet për funksionim, për ekzistim dhe për të mbaruar atë (punë) për të cilën është formuar.

Unë jam i bindur dhe dua që ajo ta kryejë punën për të cilën është formuar, që do të thotë të hulumtojë gjithçka çka është e lidhur dhe e cila del nga përgjimet jolegale.

Nëse ka dëshmi, le të procedojë hetime dhe akuza; nëse nuk ka, atëherë hetimet këtu mbarojnë. Kjo është ajo që pres, dhe njëkohësisht dhe në mënyrë paralele, patjetër do të duhet t’i hapim proceset rreth departizimit të gjyqësisë. Ne vërtetuam se nuk ka shtet juridik në Maqedoni. Gjithçka është e lidhur mes trupit ekzekutiv, me pushtetin ekzekutiv dhe forcat politike në shtet.

Premtuam dhe gjendjen e kemi të pastër në lidhje me këtë çështje - pezullim të gjyqësisë dhe të organeve të jurisprudencës dhe rizgjedhje të tyre, ku politikanët do t’i heqin duart e veta dhe ndikimin e tyre, që të sigurohen ekspertë në pajtim me praktikën më të mirë evropiane, ashtu siç është bërë në shumë vende, të cilat janë afër Bashkimit Evropian apo të cilat tashmë janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Vetëm në këtë mënyrë politikanët do të shqiten (nga drejtësia), qytetarët do ta dinë se ka drejtësi, se do të punohet me të drejtë dhe se më askush nuk do të përgjigjet nëse është i pafajshëm. Secili që do ta shkelë ligjin, do të përgjigjet. Ligji do të vlejë për të gjithë njëlloj. E drejta dhe shteti juridik duhet të jenë imperativ, nëse duam të jemi vend me aspirata të plota për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Radio Evropa e Lirë: Kundërshtarët tuaj ju akuzojnë se qëllimi i fundit për ardhjen tuaj në pushtet praktikisht është ndryshimi i emrit. A jeni të përgatitur për bisedime për çështjen e emrit, me qëllim që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s?

Zoran Zaev: Unë jam i përgatitur që të flas me fqinjin tonë jugor, i cili ka problem me emrin tonë, e ky është raport shumë jo i drejtë i një fqinji ndaj Maqedonisë, por qëndrimi ynë është i qartë – vendimet do t’i marrim së bashku me opozitën, ndërsa do të jenë përfundimtare në referendum, ku do të votojnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

Radio Evropa e Lirë: A keni frikë për ndërhyrje më të madhe ruse në Maqedoni, që të pengohet integrimi maqedonas në strukturat euro-atlantike?

Zoran Zaev: Gjithmonë kam përcjellë porosi dhe sërish do t’i përsëris - unë dua bashkëpunim me të gjithë, përfshirë këtu edhe Federatën Ruse. Por, alternativë tjetër për Maqedoninë, përveç anëtare me të drejta të plota në NATO dhe në Bashkimin Evropian, nuk ka. Kjo është perspektiva e Maqedonisë. Por, dua të shoh më shumë prodhime bujqësore nga Maqedonia në Moskë, në Petersburg dhe gjithandej, ashtu siç dua të shoh gaz e naftë ruse këtu në Maqedoni. Nuk kemi problem me këtë gjë. Të bashkëpunojmë në sferën e kulturës, arsimit, sportit e të ngjashme, ashtu siç duhet të bashkëpunojnë dy vende mike, por edhe miqtë nga Rusia e dinë se gjithë Ballkani, ashtu edhe Maqedonia, vendin e ka - anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.