Veshja e Shqiptarit

Postuar në 05 Maj, 2017 10:58
Ervin Hatibi

Në paralel me sa mbizotëron shqip në dikskurs dekadave të fundit, me deduksione të plogësht nxjerrë prej natyrës së regjimit të mileteve, mund të lexojmë një konstatim interesant të historianit Frederick F. Anscombe, në një kapitull të antologjisë “Ballkani osman: 1750 – 1830”. Sipas tij: “shqiptar(arnavud) është një ndër shënjuesit relativisht të rrallë etnikë që shohim t’u shtohen rregullisht etiketimeve të zakonshme fetare(mysliman-zimmi) që përdoreshin për të identifikuar personin në dokumentet shtetërore{osmane}.

Arsyet për këtë “gatishmëri të vazhdueshme”, me të cilën osmanët përdornin një “identifikues jofetar” si shtesë përshkrimore për shqiptarë të të gjitha feve, janë të paqarta, beson autori, duke kërkuar ta kuptojë këtë praktikë përmes “lëvizshmërisë së shqiptarëve pastoral dhe migrantë”, faktor që i vendoste ata dhe zakonet e tyre të dallueshme fisnore në të njëjtën kategori leximi me popuj të Kaukazit(si gjeorgjianët, abkhazët, çerkezët) apo kurdët – popullata “jo rastërsisht nga rajone të thella malore, në të shumtën e rasteve”, që identifikoheshin më së shpeshti nga një shënjues etnik, shumë më tepër nga sa ishte rasti me grekët, bullgarët ose turqit e arabët jotribalë(pra turqishtfolësit e arabishtfolësit kryesisht urbanë).

Ndoshta përcaktori etnik(më ekzoterik) pranë atij formalisht fetar bëhej i pashmangshëm përballë kësaj lëvizshmërie fluide të shqiptarëve në fokusin ngurosës së burokracisë, lëvizshmëri jo thjesht territorial e me motive ekonomike, por edhe komunitare e fetare, me grupe që kalonin në një proces të ngadalshëm, ndonjëherë dhe fiktiv, konvertimi, duke mbetur po aty në doke e zakone. Një dokument i vitit 1568, drejtuar nga Stambolli për te Beu i Dukagjinit, jep me detaje konfuzuonin e autoriteteve qendrore, të cilat u kërkojnë atyre lokale të sqarojnë punën me subjekte të zonës që thërriten me emra të kompzuar si shprehimisht, Ferhat Gjoni, Hysrev Domjani dhe Hasan Bogdani(emra që I gjen ndoshta edhe sot e kësaj dite në Facebook), të cilët përflitet se i pagëzojnë fëmijët tek prifti, pastaj u vënë dhe emra myslimanësh, e bëjnë të tjera punë hutuese si këto që pamundësojnë mirëmbajtjen e kufijve simbolië, fiskalë e ushtarakë mbi të cilët themelohej e mbahej në këmbë gjihë sistemi perandorak.

Është bërë e zakonshme që ky kufi i pastabilizuar të konstruktohet si posaçërisht shqiptar, ndonëse çka e mbante të tillë kufirin s’ishte asgjë më shumë se përkimi i tij me llogoren e një përplasjeje shembullore që troshiste gjithkund, prekte në etni, sekte, sërë e klasa, duke i thyer përmes, duke i rikompozuar në njësi të reja hibride.

Nga e njëjta thyerje shohim si fisniku Gjergj Cernojeviç i shkruan një letër në formë testament të shoqes, Isabeta, përfunduar në vitin 1514:

Unë dua që të paraqitesh pranë Sinjorisë së Venedikut, në mënyrë që ata aty të të plotësojnë nevojat, së bashku me fëmijët, për shkak se kanë arsye të mirë për ta bërë këtë. Së pari, për shkak se ne u kemi shërbyer mirë dhe besnikërisht. Pastaj, për shkak të sasisë që I detyrohen atit tim, zotëri Gjonit{…} sepse kur Sulltani rrethoi Shkodrën, im atë e ofendoi atë për hir të Sinjorisë dhe e sfidoi e kështu ai shkatërroi furnizimet tona ushqimore{…}.Por në qoftë se Sinjoria nuk e merr parasysh e nuk vepron si duhet(mëkati qoftë mbi shpirtrat e tyre), mos u vono me fëmijët për më shumë se dy muaj nëse ata thonë: Nesër, nesër. Në këtë pikë, merr tim bir Ludovik Kostandin dhe dërgoje tek im ungj zotëri Kostandini që ta paraqesë para Zotërisë së Tij Mbretit të Francës. Dërgo Salomonin tek ungji I tij Skënderbeg në Portën e Lartë. Shpresoj tek Perëndia se nuk do të të lënë të vdesësh nga uria, këta dy bij. Njëri tek Mbreti e tjetri tek Sulltani”.

(Në përkthimin e vet nga italishtja venedikase, historiania Diana Gilliland Wright – nga një artikull i së cilës është shkëputur copa më sipër – ka zgjedhur që formën origjnale Imperador ta përkthejë në anglisht si Sultan dhe Schenderbego si Skënder Beg, kurse Gjergj dhe Gjon janë shqipërime të emrave të zotërinjve Cernojeviç).

Që para se Vaso Pasha të hidhte formulën e pagëzimit laik të kombit shqiptar(“mos shiqoni kisha e xhamia/feja e shqiptarit asht’shqyptaria”) në bibliotekë ruheshin dëshmi edhe më të hershme mbi “fenë shqiptare”, shprehimisht. Përveç si “arbanska vera”(feja shqiptare), ne të cilën pravosllavët njihnin katolicizmin e shqiptarëve, ekzistonte prej më shumë se një shekulli një variant shumë i ngjashëm me atë të pashait shkodran, vetëm se përshkrues, jo parashkrues.

Por nga të gjitha fetë që kam parë, ajo e arnautëve mua më duket më e veçanta. Ata janë të lindur në Arnautlluk, Maqedonia e Lashtë, dhe ruajnë ende të njëjtin guxim dhe trimëri, ndonëse emrin maqedonas e kanë humbur. Ata janë milicia më e mirë në perandorinë turke dhe e vetmja që arrin të vërë frerët mbi jeniçerët. Janë ushtarë këmbësorë. Ne patëm një shpurë prej tyre që ndërrohej në secilin qytet nga ku kalonim. Vishen dhe armatosen me shpenzimet e tyre, të veshur me pëlhurë të bardhë të paastër e të ashpër, me armë të një gjatësie të stërmadhe, të cilën ata e hedhin mbi shpinë, a thhua se nuk e ndjejnë peshën e saj; kurse prijësi i tyre këndon një lloj kënge të palëmuar, jo të pakëndshme, dhe të tjerët e ndiqnin në kor. Ky poull jeton ndërmjet të krishterëve dhe muhamedanëve dhe duke mos qenë të aftë në debatet ndërmjet tyre, deklarojnë se janë krejtësisht të paaftë për të gjykuar se cila fe është më e mira. Por, për të qenë të sigurtë se nuk e refuzojnë plotësisht të vërtetën, ata ndjekin me shumë urtësi të dyja fetë. Të premteve ata shkojnë në xhami dhe të dielave në kishë; duke thënë – për t’u shfajësuar – se në Ditën e gjykimit ata e kanë të siguruar mbrojtjen nga profeti i vërtetë. Por, se cili është ky, ata nuk janë në gjendje ta përcaktojnë që në këtë botë. Besoj se nuk racë tjetër të njerëzimit të cilët kanë një opinion kaq modest për kapacitetin e tyre”.

Ky tekst i mirënjohur, shkëputur nga letrat e Lady Montagu-t, ku përmendet shprehimisht një fe e shqiptarëve si e ndryshme nga ajo e të krishterëve dhe  myslimanëve, është një nga tekstet më të cituara mbi të cilat është mbështetur fort përkufizimi ideologjik “mbifetar” apo “nënfetar” i shqiptarit. Vetëm studimi i imët mund të tregojë nëse ky kalim nga një tekst klasik si përmbledhja e shumëbotuar e letrave të Lady Montagu-t ka ndikuar ose jo mbi të tjerë udhëtarë europianë nga e kaluara, nga të cilët përzgjedhim lajmet e shenjta për identitetin tonë kombëtar: Bajroni të vjen ndërmend i pari. Kurse një njohës i mirë i punëve shqiptare si Faik Konica ka qenë skeptik që herët për vlerën e këtij raportimi. Sipas tij, Lady Mary “ka gabuar në perceptimin e humorit që kanë përdorur informuesit e saj. Ajo që ata ushtarë i kanë thënë asaj mund të dëgjohet akoma edhe sot në Shqipëri: është një mënyrë ironike dhe indiferente, pothuajse një klishe tipike e shqiptarëve, kur duan t’I shmangen një përplasjeje fetare”.

Në një zhvillim të degëzuar të dëshmisë më sipër nuk mund të mos përmendet këtu edhe kalimi I famshëm tek “Udhëtim përmes Shqipërisë e provincave të tjerë të Turqisë europiane”, nga John Hobhouse.

Megjithatë, përtej çdo dyshimi se të krishterët, të cilët pa frikë mund të quhen shqiptarë, zor se mund t’i dallosh nga muhamedanët. Ata mbajnë armë dhe shumë prej tyre janë rekrutuar në shërbi të Aliut(të Tepelenës), pa dallimin më të vogël prej ushtarëve të tjerë. Tek aata ekziston fryma e pavarësisë dhe atdhedashurisë, ashtu si tek i gjithë populli, i cili në një shkallë të konsiderueshme, e shpërfill dallimin që vërehet në pjesë të tjera të Turqisë që besojën në dy fetë. Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyeten se ç’janë, ata të përgjigjen:

Jemi turq!, ose Jemi të krishterë!, ndërsa banori i këtij vendi të përgjigjet: Unë jam shqiptar!. Po ashtu edhe përshëndetjet, apo shtrëngimi i dorës, janë po aq të praktikiuara mes të një turku(myslimani) e një të krishteri, sa edhe mes dy turqish e dy të krishterësh”.

                Por, nëse ndër shqiptarët, të krishterët nuk i dallon dot prej myslimanëve, në një kohë kur kodifikimi i dallimeve komunitare zakonisht kalonte nga shpërndarja urbanistike, deri tek ajo e ngjyrave në veshje, përtej kësaj, për kohën edhe vetë cilësimi “shqiptar” nuk e jepte dot të plotë, jo rrallë, dallimin etnik, sa kohë këtë emër(arnaut), tashmë antonomazi, e bartnin si titull profesional trima të zgjedhur serbë, grekë, bullgarë e vllahë, si truproja e pjesëtarë të tjerë shpurash dinjitarësh të veshur si shqiptarë, që shkërbenin kështu, kundrejt pagesës, shërbime luftarake të bëra të njohura prej namit të shqiptarëve.

                Kështu në një punim nga piktori i njohur orientalist Sir David Wilkie, për shembull, shohim një trim me jatagan në prag të një séance nargjileje, në shoqëri të një gruaje fytyrëmbuluar, dhe nën këtë skenë lexojmë diçiturën: “Sotiri, Chief Albanian of Mr. Colquhoun British General at Bucharest”. I njëjti autor ofron edhe të tjera punë me diçiturë më të thjeshtë(p.sh.:”Konsulli britanik në Kostandinopojë me shqiptarin e tij”) por çka na intereson këtu është kryeshqiptari si ndoshta shkalla më e lartë në hierarkinë profesionale.    

                Më në fund, përtej fesë e fisit, gjakut e gjuhës, shohim çka tepron pasi konsumohet gjithë potenciali, është veshja si performancë: njëherësh edhe uniform luftarake, brenda mund të përmbante teorikisht edhe një mysliman a të krishterë shqiptar konfensional aq sa një serb, grek a bullgar shqiptar profesional, vetiu përbënte një karnaval kërcënues përjashtueshmërie, surprize e heterodiksie, shartimi – pa numëruar këtu ende burrneshat!

                “{M}ë 1581 jo më pak se 283{skllevërish} të krishterë ia arritën t’i hipnin një galere korsarësh nga Stambolli dhe të lundrojnë deri në Siçili. Sipas Stefan Gerlach, një luteran i mirëinformuar dhe jashtëzakonisht kurioz, i cili shërbente si kapelan në ambasadën perandorake në Stamboll ndërmjet viteve 1570, arratisje të tilla nga deti, në shkallë të vogël, ndodhnin për vit. Por kjo nuk ishte e vetmja metodë arratisjeje. Ai e regjistroi gjithashtu agjentë të fshehtë(të cilët i quante ‘spiunë’) që vinin nga Spanja dhe Italia në Gallata, në zonën tregëtare të Satmbollit, për të hyrë në kontakt me skllevër dhe kështu të planifikonin arratisjen e tyre. Pas ikjes nga shtëpia e zotërisë së tij, një rob do të mbahet i fshehur për dy ose tre muaj, derisa mjekra dhe flokët t’i rriten; dhe pastaj i veshur si shqiptar së bashku me 15 apo 20 skllevër të tjera, mbledhur nga agjenti, largohet nga Stambolli, mes rrugësh sekrete, gjatë natës”.

Robërit europianë të luftës mundeshin pra, sipas dëshmisë mbi metodën, të çanin kufirin pikërisht aty ku ishte më i dobët: te tiparet e përbashkëta fizike me shqiptarët, maskuar brenda kaleidoskopit të veshjes së tyre.

http://shenja.mk/revista/72/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.