KMSHC ndalon çdo përfshirje të administratës publike në fushatë

Postuar në 05 Maj, 2017 17:26

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ndalon çdo përfshirje të nëpunësve civilë në fushatën që u paraprin zgjedhjeve të 18 qershorit. Në një njoftim të shpërndarë nga KMSHC-ja thuhet se janë marrë masat që nëpunësit civilë të jenë tërësisht të paanshëm dhe pa asnjë angazhim në fushatën e zgjedhjeve parlamentare.

Kështu trupa e administratës do ta ketë të ndaluar pjesëmarrjen në veprimtari politike gjatë orarit zyrtar apo edhe shprehjen publikisht të bindjeve politike, duke vijuar punën pa u ndikuar nga fushata. Për të monitoruar situatën në të gjitha institucionet që janë pjesë e sistemit të shërbimit civil  është krijuar një grup i gatshëm, në në përbërje të të cilit janë 12 inspektorë dhe drejtori i Përgjithshëm.

Procesi i monitorimit do të realizohet në bashkëpunim Departamentin e Administratës Publike dhe me grupet e monitorimit që do të ngrihen në institucionet e administratës shtetërore, që përfshijnë 18 ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë, si dhe në 73 njësitë e qeverisjes vendore, ku përfshihen 61 Bashki dhe 12 Këshilla Qarku.

Sipas KMSHC në masat e marra kërkohet që të sigurohet zbatimi i ligjit, në drejtim të respektimit të të drejtave politike të nëpunësit civil, e njëkohësisht edhe të kufizimeve të vendosura në dispozitën që përfaqësohet nga neni 37, i ligjit në fjalë, ku ndër të tjera, ndalohet pjesëmarrja e tij në veprimtari politike gjatë orarit zyrtar, si dhe  shprehja publikisht e bindjeve apo preferencave politike;

Po ashtu  kërkohet të  sigurohet vijueshmëria normale dhe e pa ndikuar nga fushata zgjedhore, e veprimtarisë së trupës së nëpunësve civilë, në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Komisioneri do të verifikojë kryesisht, çdo denoncim nga subjekte të ndryshme, si dhe nga media, ndaj nëpunësve civilë që ushtrojnë veprimtarinë në institucionet e administratës shtetërore dhe ka kërkuar nga institucionet, që të veprojnë menjëherë, me qëllim që të jenë në lartësinë që kërkon situata, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe për të siguruar zbatimin e parimeve themelore të administrimit të shërbimit civil, për një administratë në shërbim të qytetarëve dhe të pavarur nga politika.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.