Fëmija dhe Televizioni – Teoritë e ndikimit televiziv

Postuar në 04 Maj, 2017 08:49
Gëzim Mekuli

Do të mundohem të sqaroj disa perspektiva hulumtuese themelore të ndikimit televiziv. Arsyeja është se hulumtuesit kanë një kohë të gjatë që hamenden nëse televizioni ndikon te shikuesit për të kryer veprime të dhunës. Këtu duhet nënvizuar që në fillim se perspektiva e hershme e hulumtimit mbi mediat ishte më shumë e bazuar në fuqinë e drejtpërdrejtë të mediave, ndërsa më vonë hulumtimet tregojnë se faktorët përreth janë të rëndësisë së veçantë për fuqinë e ndikimit indirekt të televizionit.

Modeli stimulus – respons

Hulumtimet e para u nisën nga parimi se mediat ishin të gjithëfuqishme. Hulumtuesit ishin të bindur se pranuesi ishte i njëjtë dhe ndikimi ishte i lehtë. Ky mendim mbi pranuesin, si jo kritik ndaj porosisë dhe programeve të mediave, me kohë ndryshoi. Hulumtuesit mendonin se me revolucionin industrial, me ndryshimin e kushteve të jetës dhe të profilit të ri të familjes, mediat ishin bërë akoma më të fuqishme për të ndikuar te konsumuesi. Lëvizjet e mëdha fshat – qytet dhe shkëputja nga rrejti social dhe shoqëria ishin argumente se shumë njerëz ishin të shkëputur dhe të izoluar nga rrethi social e kjo, sipas tyre, ishte argumenti më i fuqishëm mbi ndikimin mediatik.

 Kjo teori zanafillën e ka në mesin e Luftës së Dytë Botërore. Teoria stimulus – respons krahason porosinë e mediave si të një injeksioni i cili i jepet drejtpërsëdrejti njeriut në trup dhe ka ndikim të menjëhershëm te të gjithë njerëzit. Pra, kemi të bëjmë me një efekt dhe ndikim të drejtpërdrejtë. Jemi këtu te hulumtimet mbi Teorinë e efektit televiziv.

Mirëpo, nëse duam që të kuptojmë domethënien e dhunës televizive, ne duhet të përdorim një perspektivë më komplete të rrethit social (shiko figurën nr 1). Në lidhje me këtë, Felize shton se këtu duhet të merret në konsideratë përmbajtja programore e mediave, pranuesit medialë, pra konsumuesit, si edhe kultura dhe shoqëria në të cilën veprojnë këto media.[1]

 Figura 1. Perspektiva e plotë

Hulumtimet mbi ndikimin e dhunës mediatike te pranuesit janë ndarë në dy grupe[2]: Në grupin e parë e që i përkrahin mediat si të plotfuqishme, ndodhen ata hulumtues të cilët mediat i shohin si të izoluara nga shoqëria dhe nga statusi i rrethit të tyre social. Kjo teori njihet me emrin Studimet mbi efektin.

 a. Studimet mbi efektin

Kjo teori hulumton ndikimin e drejtpërdrejtë të dhunës televizive në pranues/shikues, nga një  distancë e shkurtër kohore.

 b. Studimet mbi përdorimin

Kjo teori hulumton ndikimin e mediave, duke u nisur nga faktorët e ndryshëm social. Këtu hulumtohen më shumë vlerat dhe nevojat personale që shikuesi ka për të ndjekur një program televiziv. Ndërsa Studimet mbi efektin  televiziv janë të njëanshme për ndikimin në sjelljet e shikuesve të televizionit, Teoria mbi  përdorimin e mediave ka në bazë të saj një perspektivë më të gjerë dhe më të besueshme shkencërisht. Kjo teori niset nga ajo se shikuesit e ndryshëm televizivë e përdorin  televizionin po ashtu ndryshe nga njëri-tjetri. Veç kësaj, këtu bëjnë pjesë edhe faktorët e tjerë socialë ndikues afatgjatë, që gjenden jashtë televizionit. Ndërsa Studimet mbi efektin  televiziv janë të njëanshme për ndikimin në sjelljet e shikuesve të televizionit, Teoria mbi  përdorimin e mediave ka në bazë të saj një perspektivë më të gjerë dhe më të besueshme shkencërisht. Kjo teori niset nga ajo se shikuesit e ndryshëm televizivë e përdorin  televizionin po ashtu ndryshe nga njëri-tjetri. Veç kësaj, këtu bëjnë pjesë edhe faktorët e tjerë socialë ndikues afatgjatë, që gjenden jashtë televizionit.

1.            Studimet mbi efektin – pranuesi pasiv

Teoria tradicionale dominuese e viteve shtatëdhjetë ishte se agresiviteti lind nga kultura ku dhuna mediale është një faktor ndikues i fuqishëm në mësimin e dhunës praktike. Sipas kësaj perspektive, agresiviteti nuk gjendet te njeriu, por lind nëpërmjet stimulimit dhe imitimit të dhunës mediale. Studimet mbi efektin pohojnë tërthorazi se njeriu është një pranues pasiv i porosisë që mediat dërgojnë te pranuesit e tyre. Teoria mbi efektin ndahet në disa nëngrupe. Këto nëngrupe janë relevante për arsye se nëpërmjet tyre ne kemi një pasqyrë kronologjike të qartë të teorisë së mediave:

  1. Teoria stimulative

Sipas teorisë stimulative, pranuesi i televizionit shtyhet emocionalisht të shikojë dhunën në TV. Kjo bën që ai të bëhet vetë më agresiv. Atë që fëmija sheh në TV, është stimuluese për të dhe nxit pastaj që të ndryshojë veprimet dhe sjelljet e tij. Pra, dhuna krijon dhe ushqen dhunën. Shumë hulumtime dhe eksperimente që u bënë në lidhje me këtë teori, duke pasur fëmijët si objekt studimi dhe duke i ballafaquar këta me dhunën televizive, nuk kanë edhe aq mbështetje të fuqishme shkencore. Ka shumë hulumtues që nuk pajtohen në mënyrën se si kjo teori i kreu  hulumtimet. Shumë sish thonë se fëmija nuk është në të njëjtën situatë, sikurse ai që është në një dhomë të izoluar, kur  ai shikon televizor, sepse ka një ndryshim shumë të madh midis jetës në familje dhe asaj në dhoma të izoluara të eksperimenteve. Por Søbstad mbështet fuqishëm këtë teori, duke kujtuar valën e fuqishme të dhunës në SHBA në vitet e 60-ta, kur kjo dhunë kryesisht i referohet shikimit të gjatë të dhunës televizive dhe filmave me agresivitet të madh. Ky këshillon që të mos shpejtojnë në konkluzione të shpejta në mes arsyes dhe ndikimit të dhunës televizive.

b.  Teoria e të adaptuarit

Një kusht që dhuna televizive të këtë ndikim largpamës te pranuesit, është eksponomi i fëmijës në mënyrë të vazhdueshme e të fortë ndaj dhunës televizive. Por rezultati i kësaj është besueshmërisht që pranuesi të jetë aq shumë i adaptuar dhunës, sa që kjo të mos i lërë farë përshtypje. Kjo teori ka mbështetje si nga mediat, po ashtu është edhe nga specialistët tjerë të  mbrojtjes se fëmijëve.

c.  Teoria e imitimit

Kjo teori niset nga parimi se pranuesi, duke parë dhunën dhe agresivitetin në televizion, mëson agresivitetin dhe sjelljen e dhunës nga televizioni.

Kur femja sheh rregullisht dhunën si një qëllim për zgjidhjen e problemeve në jetën e përditshme dhe kur i fuqishmi çdoherë del fitimtar dhe ka gjithmonë të drejtë, kjo besueshmërisht, sipas Arne Flem (1991:14), do të ndikojë në sjelljet e tij. Waldahl (1989:244) pohon se dhuna televizive mund të ndikojë si shembull mësimi dhe si mundësi përdorimi, sepse kjo tregon se në çfarë situate njeriu ka mundësi të veprojë dhunshëm. Fëmijët mund të imitojnë çfarë shohin në televizion, ndërsa të rinjtë mund të marrin ”udhëzime” se si ti zgjidhin problemet në situata të ndryshme. Kemi të bëjmë këtu me impulse jetëshkurtra e jo me transmetim të vlerave, thotë Feilitzen. Megjithatë, frika e fuqishme e efektit të ndikimit të dhunës nga televizioni është shumë e madhe dhe kjo sot nënvizohet qartë, si nga politikanët, po ashtu edhe nga mediat e ndryshme objektive. Për shembull, administrata islandeze u bëri thirrje me shpejtësi fëmijëve që të mos luajnë me ujërat e kanalizimit, pasi që seriali me Ninxha Turtles u shfaq duke u parë në ujërat e zeza.

Hulumtimet e tjera tregojnë se nëse dhuna e televizionit dhe e filmit dënohet dhe gjykohet, atëherë edhe fuqia e ndikimit të tyre është më e vogël. Kjo dukuri është vërejtur veçanërisht nëse fëmijët shihnin skena të dhunës dhe të agresivitetit së bashku me të rriturit, të cilët i gjykonin ose i kritikonin këto skena. Pra, nëse i rrituri distancohet nga dhuna dhe e gjykon këtë fenomen, forca e ndikimit të dhunës televizive është më e vogël, ndërsa është e kundërta po u lavdërua modeli i dhunës në televizion. Po nuk u komentua negativisht skena e agresivitetit, kjo do të këtë efekt më të madh ndikimi negativ te fëmijët.

Pra, roli i prindërve dhe i të rriturve ka rëndësi të madhe se në çfarë shkalle do të këtë ndikim dhuna televizive ndaj fëmijëve.

d. Teoria e përforcimit

Sipas Anita Werner (1989:172), imitimi ndodh veçanërisht atëherë kur fëmijët kanë një anim kah agresiviteti dhe kur televizioni ndikon si përforcues i dhunës. Pranuesit televizivë zgjedhin programin televiziv në baze të qëndrimeve dhe të tendencave të tyre tashmë të ndërtuara në personalitetin e fëmijëve. Përzgjedhja e programit është vetëm vërtetues i personalitetit të individit.

Edukimi dhe procesi i socializmit ka një rëndësi të veçantë dhe kjo është vendimtare se çfarë ndikimi dhe efekti mund të këtë dhuna e televizionit te fëmijët.

e. Teoria Katarsis

Kjo teori kushtëzon që pranuesi paraprakisht të jetë i mbushur me dhunë dhe inat apo i ngarkuar me armiqësi para se të shikojë programin në televizor. Kjo teori niset nga parimi se duke parë dhunë televizive, pranuesi identifikohet me të dhe në këtë mënyrë ndodh një lloj pastrimi i tij. Por, të tjerët e kundërshtojnë këtë teori, duke pohuar se kjo është vetëm një përpjekje e mediave që të arsyetojnë dhe legjitimojnë dhunën e tyre në programet e tyre televizive.

[1] Feilitzen 1993:43

[2] Søbstad 1986:266

Ndikimi i mediave (Pjesa e II-të)

Ndikimi i mediave në shoqëri është i papërjashtueshëm. Më poshtë do të gjeni studimet që janë bërë në lidhje me ndikimin telelviziv.

Hipoteza e dy shkallëve

Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, në vitin 1940, një grup hulumtuesish u interesuan se çka ndikon te votuesit që të marrin një qëndrim për një kandidat politik. Hulumtuesit bënë një vëzhgim të rëndësishëm. Edhe pse fushata ishte intensive, ishin shumë pak votues që ndryshonin mendjen para zgjedhjeve. Ata që e bënin këtë, ishin votues të cilët kishin biseda personale me individë për të cilët ata kishin respekt e besim të madh. Pra, ndryshimi i mendjes e bindja nuk formohej dhe nuk gatuhej thjesht nga informatat që ofronin mediat për zgjedhësit.

Projekti hulumtues tregoi se komunikimi personal ende ishte i rëndësishëm shumë i fuqishëm, madje më i fuqishëm se komunikimi masiv. E, pikërisht ky fakt dobësoi besimin dhe bindjen mbi mediat e plotfuqishme.

Disa persona u duk të ishin më të informuar se të tjerët. Këta ishin të parët që kuptuan porosinë nga mediat masive dhe këta përçuan porosinë më tutje në afërsi te njerëzit tjerë ku jetonin. Këta persona ishin shpesh edhe udhëheqës joformalë në mjedisin ku jetonin, të ashtuquajtur udhëheqës të opinioneve. Porosia mediale pra kaloi në dy shkallë, së pari tek udhëheqësit e opinioneve e më tej te njerëzit tjerë. Kjo është arsyeja se pse modeli njihet me emrin “modeli i dy shkallëve”.

Sot ky model ka përdorim të gjerë në fushën e politikës, reklamës dhe të biznesit.  P.sh., prodhuesit e veshjeve sportive bëjnë dhurata falas tek udhëheqësit e opinioneve, me qëllim që të ndikojnë tek të tjerët që t’i blejnë këto. Edhe në reklamën televizive përdoret kjo strategji, ku, p.sh., sportistë të njohur reklamojnë një produkt të një prodhuesi, me qëllim që të ndikojnë te blerësit tjerë.

 3.  Studimet e përdorimit – pranuesi aktiv

Të gjitha këto perspektiva kritikohen nga hulumtuesit e studimeve të përdorimit të mediave, sepse këta ofertën e programeve televizive e shohin si shumë homogjene, pranuesin si shumë pasiv dhe ndikimin e mediave si të njëanshëm dhe me ndikim negativ.

Tashmë hulumtuesit janë të interesuar më shumë për shfrytëzuesit e mediave. Edhe përkundër faktit se mediat kanë fuqinë dhe mundësinë e funksionit të  definimit të agjendës ditore, këto nuk mund të vendosin se si duhet menduar dhe vepruar pranuesi. Studimet mbi përdorimin e mediave e shohin pranuesin si përzgjedhës. Ai sheh vetëm programet televizive që mbështesin dhe kënaqin mendimin e tij dhe kupton mesazhin në bazë të kapacitetit të tij intelektual. Pra, dhuna dhe agresiviteti në televizion kuptohen dhe përpunohen individualisht, ndryshe prej pranuesve të tjerë.

Sipas kësaj teorie, mediat nuk e kanë atë ndikim të plotfuqishëm, të fortë dhe negativ, siç e pretendojnë dhe e thonë hulumtuesit e studimit të efektit. Është ky vetëm një panik i moralit rreth asaj që po zhvillohet, rreth dhunës në media, thotë Feilitzen (1993:37). Mirëpo, këtu ka përsëri mospajtime. Pranuesit e mediave nuk mund të jenë qind për qind selektivë të programit televiziv, shprehet Waldal (1989:104).

Raporti social dhe kulturor këtu luan një rol të rëndësishëm dhe kjo është një tregues i sigurt i asaj se si përdoren mediat. Flasim këtu për një proces të ndërlikuar, ku ndikimi social, psikologjik dhe individual është i madh. Në tabelën më poshtë do t’i shihni të gjithë faktorët e rëndësishëm që gjenden në një rreth social. Aty duket qartë se mediat nuk janë të vetmet ato që lënë gjurmë në personalitetin dhe në formimin e fëmijës (Figura 2)

 Perspektiva mediatike sot

Pra, ndikimet e faktorëve të dhunës nuk duhet të shikohen të izoluara. Asnjë teori mbi ndikimin e dhunës se mediave te fëmijët nuk mund të jetë shkencërisht e vërtetuar dhe qind për qind e saktë. Të gjitha s’mund të jenë shembuj të qartë mbi ndikimin e dhunës televizive te fëmijët. Me kohë mendimi për fuqinë ndikuese të televizionit ka ndryshuar.

Fillimisht, hulumtuesit ishin të mendimit se televizioni ishte i plotfuqishëm dhe kishte një fuqi të pakufizuar ndikimi te shikuesit. Por, këto hulumtime mbi efektin e mediave u nisën nga ajo se çfarë bëjnë mediat me njeriun? Më vonë u vërtetua se fuqia ndikuese e mediave ishte tjetër, ndoshta jo e madhe.

Studimet e mëvonshme, pra studimet mbi përdorimin e mediave, u nisen nga ajo se çfarë bën njeriu me media, si njeriu i shfrytëzon mediat dhe filluan të sqarojnë se si dhe përse njeriu përdor televizionin.

Përfundimi nga kjo, sipas Søbstad (1986:266), ishte se të gjitha efektet janë relative dhe hulumtimet nuk mund të japin përgjigje të sakta. Ashtu siq u kritikua studimi mbi efektin televiziv që thoshte se pranuesit janë shumë pasivë, po ashtu kritikohen studimet mbi përdorimin e televizionit, sepse këta pranuesin e paraqesin shumë më racional nga sa ai është në të vërtetë.

Është e qartë se këto dy teori nuk mund të ndahen aq prerazi, ndikim dhe përdorim. Sipas studimeve të sotme, mediat nuk janë aq të gjithëfuqishme dhe as të pafuqishme.

Nga shumë analiza del se prindërit me arsimim të ulët shikojnë më së shumti TV (Feilitzen 1993:62). Si rregull, fëmijët që kanë prindër ”të çmendur dhe të uritur” për të shikuar TV, shohin po ashtu çmendurisht shumë program televiziv. Një nënë pohon se ajo çdoherë shikonte televizionin me fëmijët e saj derisa ishin të vegjël: ”Filmat vizatimorë të prodhimit amerikan ishin plot me dhunë. Mendoj se nuk është e shëndoshë që të shihet dhunë e tepërt në televizion. Fëmijët duhet të kenë një baraspeshë.”

Përfundim

– Të gjithë prindërit, me arsimim të lartë, janë të mendimit se shikimi i tepërt i televizionit është një rrezik. Së pari, se kjo shpenzon kohën e lirë dhe, së dyti, se televizioni dhe dhuna që shfaqet aty mund të ndërtojë mendime të gabuara ndaj realitetit apo mund t’i japë fëmijës pikëpamje joreale të pasojave të dhunës.

– Të gjithë prindërit, me arsimim të ulët, po ashtu pohojnë se fëmijët mund të shohin ëndrra të frikshme dhe të tremben si shkak i dhunës së televizionit.

– Që të gjithë thonë se fëmijët duhet të kenë një baraspeshë në kohën që shohin televizor, pra duhet të kenë dikë të rritur afër vetes, me qëllim që rreziku për ndikim negativ të jetë sa më i vogël. Prindërit, në këtë rast, duhet të vlerësojnë negativisht dhe qartë dhunën dhe të shpjegojnë pasojat e saj.

Hulumtimet nga “individi” në “shoqëri”

Pas vitit 1970, shumë hulumtime u orientuan në ndikimin e gjatë që mediat ushtrojnë në kulturë dhe në shoqëri. Pra, hulumtimet e braktisën fushën e studimkërkimit për individin dhe u fokusuan në nivelin e shoqërisë. Pas vitit 1980 – 1990 ata janë përqendruar me shumë në semiologji. Kjo degë përfshin e bën fjalë për mësimin e shenjave dhe domethënien e tyre. Secila shenjë ka një domethënie të cilën ne e quajmë kod. Një kulturë ka një sistem të caktuar të kodeve dhe të shenjave. Secila kulturë ndryshon me kohën, por shumica mendojnë se mediat janë në gjendje që të ndihmojnë që kultura të ndryshojë me ritëm më të shpejtë. Si po ndryshojnë shqiptarët dhe kulturën dhe kodin e tyre le të vlerësojnë vetë. Por një gjë dihet! Kombet e përparuara kanë media që ushqejnë kulturën vetanake dhe e mbrojnë atë nga impulset negative…

Si përfundim, mund të them se prindërit duhet të mbrojnë fëmijët nga dhuna televizive, por, njëkohësisht, ata duhet së pari të mbrojnë veten e tyre.

*Autori Gëzim Mekuli studioi Film, Media dhe Komunikim në Norvegji dhe këtë ne universitetin Oslos, Stavangerit, Kristiansandit dhe Bergenit. Fitoi titullin master në shkencat e mediave, drejtimin Retorikë. Në Gjermani studioi shkencat politike. Është kandidat për doktorant në universitetitn e Mainzit në Gjermani.. Është anëtar i Lidhjes së Gazetarëve të Norvegjisë, me seli në Oslo. Është autor i libirt kritik “Mediat dhe Politika” (2006).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.