Vettingu, kusht i pushtetit, jo i ndërkombëtarëve

Postuar në 02 Maj, 2017 21:24

Joseph Daul, zv. President i PPE-së dhe Johannes Hahn, Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë në Bashkimin Evropian, kanë zhvilluar sot një videokonferencë me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike.

 Videokonferenca përbën akt të pastër ndërmjetësimi dhe presioni ndaj PD-së të cilës i kërkohet të shmangë bojkotin e zgjedhjeve dhe të miratojë paketën e McAllister, e cila siç u tha para disa ditësh kur politikani gjerman ishte në Tiranë parashikonte:

Propozime mbi dekriminalizimin, luftën kundër narkotikëve, masat teknike për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe masat e ndërtimit të besimit politik. Ide për diskutim mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme parazgjedhore në strukturat e qeverisë për të ndërtuar besim afatgjatë te sistemi. Nga ana e mazhorancës pati dakordësi mbi pikat e propozuara me kusht që vetingu të votohet në parlament. Partia Demokratike iu përmbajt pozicionit të saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe miratimin e një sistemi elektronik votimi për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme", thuhet në deklaratën e zyrës së BE- së”.

https://www.pressreader.com/albania/gazeta-shqiptare/20170427/281539405848358

Ndërkohë kryeministri Edi Rama, duke ironizuar një apel të presidentit për takim dhe dialog, e cilësonte situatën “një krizë të PD-së”, ndërkohë që ajo është krizë politike. Dhe vetë McAllister e cilësoi të tillë: Krizë të thellë politike që kërcënon zgjedhjet.

Siç mund të shihet nga shfletimi i çdo medieje, asnjë ndërmjetësues i huaj nuk ka vënë në tryezë si kusht Vettingun. Atë e sjell Edi Rama, kryeministri dhe dy apo tre ambasadorë që po u ecën mirë në Tiranë. Edhe sot nga Elbasani Rama tha se “askush nuk mund ta bllokojë Vettingun”. Vettingu është kthyer kështu një alibi për të bllokuar manovrën e PD-së, njësoj siç duket kërkesa e PD-së për qeveri teknike e cila ngjan si alibi dhe kërkesë për fitore gjysmake në kushtet kur perceptimi për zgjedhjet është se PS-ja fiton sërish.

Lidhur me Vettingun duhet thënë se ai aktualisht ka humbur vlerën që ka patur si argument, sa kohë që bojkoti i zgjedhjeve nga PD-ja është përafruar si skenar real, e jo thjesht mjet negociimi. Në këto kushte dhe kur PS-ja duket e vendosur të hyjë në zgjedhje edhe pa PD-në, duket se vënia e Vettingut si kusht është në fakt mjet për të mbajtur PD-në të izoluar në krizën e vet dhe për ta akuzuar atë si bllokuese të reformës. Nëse marrim skenarin se PD-ja bojkoton, atëherë PS-ja, për shkak të llogarive të sistemit elektoral merr shumicën e nevojshme për të miratuar çështjet që rrjedhin nga komisionet e Vettingut, meqenëse do të jemi në kushtet e riformatimit parlamentar. Pse atëherë të kërkohet me këmbëngulje kjo gjë? Përgjigja është e qartë dhe mund të shikohet në historinë e mënyrës si negocion kryeministri aktual: duke kërkuar atë që nuk mund të bëhet, në funksion të shpërndarjes së akuzës për bllokim. Kështu me zgjedhjet lokale të 2007-ës, kështu me tre ligjet, kështu me protestat pas vitit 2009, gjithnjë në neglizhencë të qëllimshme të procedurës.

Sigurisht PD-ja është e kapur mat në refuzimin për të mos votuar Vettingun, por këmëngulja e saj për zgjedhjet nuk ka pse të lidhet detyrimisht me këtë çështje. Sot përgjegjësia e qeverisë është të organizojë zgjedhjet, të japë zgjidhje për krizën dhe mandej Vettingu. Ky i fundit është çështje vullneti politik dhe qytetarët janë në gjendje të kuptojnë se kush nuk e do atë e kush jo. Edhe njëherë asnjë prej ndërmjetësve të huaj nuk është raportuar se ka vënë si kusht Vettingun. Ai është alibia dhe taktika e izolimit të PD-së dhe këtë do ishte mirë ta kuptonin edhe ata të huaj që sot thjesht janë të alarmuar nga klima e përgjithshme në rajon, të cilës i shtohet edhe një krizë e zgjatur në Shqipëri, por jo dhe aq demokracia. Përndryshe do kishin sy të kuptonin dhe të pranonin se kriza nisi me PD-në dhe disa qasje ndoshta absurde të saj, por ajo amplifikohet tjetërkund. Pushteti po kërkon një betejë elektorale pa kundërshtarë dhe e ndjek këtë kurs edhe kur ata janë të dobët dhe ky është themeli i një krize edhe më të madhe e cila po dobëson të gjithë vlerën e sistemit.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.