Gënjeshtrat e ministrit të Jashtëm dhe politika për kantonizimin e Maqedonisë

Postuar në 02 Maj, 2017 10:44

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka qenë dje në Top-Story ku ka folur gjerësisht për krizën maqedonase. Në një dalje të cilës i mungoi takti i duhur, por jo arroganca e një lektori që se kërkon kush, ministri ka dhënë leksione për demokracinë në Maqedoni, ka shantazhuar hapur Shkupin zyrtar kur ka theksuar “nevojën për çkyçje të rrugën euroatlantike të Maqedonisë”, si dhe ka deklaruar thuajse pa teklif, se Platforma Shqiptare duhet të jetë një udhërrëfyes për politikën e këtij vendi në raport me krizat shumëdimensionale të tij. I pyetur direkt nga moderatori Sokol Balla se “A ndjen Tirana përgjegjësi për atë që po ndodh në Shkup”, ministri Bushati tha:

Ne kemi mbështetur një qëndrim të partive shqiptare parlamentare në Maqedoni, 3 prej 4 partive kryesore dhe kemi bërë thirrje për më shumë kohezion politik dhe një përfaqësim më të drejtë të shqiptarëve në jetën publike në Maqedoni, kryesisht nisur pas zhvillimeve të viteve të fundit dhe posaçërisht pas zgjedhjeve të fundit, ku një pjesë e mirë e votave të shqiptarëve shkuan në favor të partisë opozitare atje, ndërkohë që kemi formacione të reja politike siç është rasti i Besës apo partisë së Ziajdin Selës që për herë të parë ka një prezencë më të madhe në Parlamentin e Maqedonisë.

Ne kemi mbështetur këtë platformë të shkruar dhe produkt tërësisht të faktorit politik shqiptar në Maqedoni, si një përpjekje për të zbatuar Marrëveshjen ende të pazbatuar të Ohrit, për të çkyçur rrugën euroatlantike të Maqedonisë, sepse leximi ynë për Platformën është shumë i qartë, ku ka jo thjesht elementë të bashkëjetesës, por edhe elementë që do ta ndihmonin Maqedoninë për të gjetur kursin e reformave euroatlantike dhe së treti për të krijuar një klimë më të mirë me fqinjët e saj, në kushtet kur nuk është vetëm çështja e emrit me Greqinë, por janë pak a shumë çështjet që lidhen me identitetin kombëtar me Bullgarinë, apo çështje të menaxhimit ndërkufitar me Shqipërinë dhe me Kosovën.

Një deklaratë që me siguri do të duhet të refuzohet si ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër, pasi nuk është e këshillueshme që një ministër i Jashtëm të japë direktiva dhe sugjerime për politikën e një vendi tjetër. Këto qëndrime ka mbajtur edhe Shqipëria ndaj Greqisë në disa raste, kur kjo e fundit ka komentuar zhvillime politike të brendshme.

Në çdo rast deklarata meriton një vëmendje pasi ajo zbulon disa të vërteta.

Së pari ministri Bushati gënjen hapur kur thotë se Platforma është produkt i partive shqiptare. Dhe një argument për këtë është izolimi që Tirana zyrtare i bëri Ali Ahmetit për 3 vjet si dhe përmendja në formë promovimi e lëvizjes Besa dhe partisë së Zijadin Çelës. Shqiptarët në Maqedoni përfaqësohen me parti të vetat, ata madje kanë dhënë votën edhe për parti sllave në një zgjedhje të lirë alternativash. Të thuash se Platforma ishte produkt i partive shqiptare, duke përmendur dy parti të reja, në fakt sapo ke pranuar se pas dokumentit qëndron qartazi Tirana zyrtare. Dhe jo vetëm. Lëvizja Besa nuk i ka fshehur asosacionet e saj me Turqinë dhe ky aspekt ndërfut në krizën maqedonase edhe elementin fetar.

Së dyti, ministri gënjen kur deklaron se “ne kemi mbështetur këtë platformë të shkruar dhe produkt tërësisht të faktorit politik shqiptar në Maqedoni, si një përpjekje për të zbatuar Marrëveshjen ende të pazbatuar të Ohrit…”. Platforma edhe në një lexim juridik i mbivendoset dhe e tejkalon Marrëveshjen e Ohrit, e cila është inkuadruar në Kushtetutë me parimin e ruajtjes së unitaritetit shtetëror. Përgjegjëse për zbatimin e saj janë partitë shqiptare të cilave u delegohet vota e shqiptarëve të atyshëm, e mandej shtetet shqiptare në Ballkan. Nëse shqiptarët votuan në masë një parti sllave, kjo do lexuar se vullneti i tyre e kërkon zgjidhjen në alternative të tjera, pa paragjykuar përkatësinë etnike. Ky zhvillim duhej përshëndetur nëse do përdorim standardin demokratik që preferon të veshë shpesh ministri Bushati. Siç shohim, ministri na thotë të kundërtën dhe kërkon një votë kuqezi.

Për të argumentuar pse qëndrimi i sotshëm i Ivanov është i bazuar dhe pse frika për ndarjen e Maqedonisë është reale, mund të kthehemi dy vjet më pas në ngjarjet e Kumanovës. Në një shkrim të asaj kohe me titull: “Në Kumnaovë u bvra edhe Ohri”, firmosuar nga këshilltari I Kryeministrit të Shqipërisë, Sandër Lleshi, ndër të tjera thuhet:

Ndryshimi i kursit të Fyrom-ës nga historia drejt të ardhmes kërkon në radhë të parë një formulë ta re politike e cila duhet të ofrojë jo vetëm një vizion të përbashkët për popujt përbërës të këtij vendi, por, para së gjithash, standarde të qarta dhe mekanizma funksionalë që garantojnë zbatimin e tyre. Modeli i një Zvicre ballkanike duket se është alternativa më e mirë përballë atij të një post- ose ish-Jugosllavie.

Në Kumanovë është “vrarë” edhe Ohri. Vendin e marrëveshjes shumë të përfolur e kurrë të zbatuar me emrin e këtij qyteti të bukur duhet ta zërë një projekt i ri, i hartuar nga njerëz të rinj, i mbështetur dhe i garantuar nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo përpjekje për të reanimacion është humbje e rrezikshme kohe

http://www.javanews.al/ne-kumanove-u-vra-edhe-ohri/

Kuptohet Sandër Lleshi nuk thotë asgjë si emër, por si këshilltar ai parathotë një version që sot po synohet të implementohet. Kantonizimi I Maqedonisë, siç shprehet në shkrim, realizohet mirë me një platformë që kërkon prezencë të shqipes edhe aty ku nuk ka shqiptarë. Në thelb kantonizimi çon në ristrukturim shtetëror, ai faktorizion shqiptarët në një pamje, por minon atë “rrugën euroratlantike të Maqedonisë”, të cilën po kërkon që t’I gjejë këtij vendi ministri Bushati.

Ka një fjalë të popullit që thotë se “pordha e madhe gris edhe brekët e reja”. Ndjesë për fjalorin, por kjo përcjell më së miri këto lloj poze, pasi Shqipëria zyrtare nuk është në kushtet të japë leksione dhe ide për demokracinë. Edhe pse angazhimi i saj në rajon, deri më tani, duhet përshëndetur. Qeveria aktuale ka krijuar disa probleme kur e ka parë politikën e jashtme si show personal, nuk ka sjellë realisht mendim, por pozim dhe kur mbi të gjitha vendi ynë përballet me probleme të vetat serioze.

Qytetarëve u shërbehet gjella e një politike patriotike, të dinjitetit, por kësaj “force” që nuk ja del as të fusë Lulzim Bashën në zgjedhje, i mungon transparenca. Origjina dhe qëllimi. Shqipëria ka investuar për stabilitetin e Maqedonisë dhe nuk dihet pse sot kërkon kantonizimin e saj dhe që skenarë hipotetikë për këtë të mos i marrin përsipër “media periferike” siç tha Bushati, është mirë që ky i fundit, apo edhe shefi i tij, të mos gënjejnë kaq trashë.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.