Mbreti gjysmëlakuriq dhe gjysmëopozita

Postuar në 26 Prill, 2017 13:34

Negociatat me ndërmjetësimin e dy negociatorëve europiane prodhuan një realitet të ri politik që do ta detyrojë qeverinë të lëvizë nga llogorja në raport me çështje që deri dje  refuzonte t'i pranonte. Pranimi i problemeve me dekriminalizmin, narkotrafikun, implikimin e policisë dhe shitblerjen e votës shënoi një fitore të vogël të opozitës dhe një goditje për imazhin e qeverisë. 
Lëshimet u komentuan si një lëvizje taktike e Edi Ramës dhe fleksibilitetit pa kosto përballë një opozite që do të refuzonte gjithçka. Por pavarësisht vaterlosë së negociatave angazhimi përpara ndërkombëtarëve për të dhënë disa garanci e detyron kryeministrin të përmbushë detyrat që dolën nga tryeza e Pallatit të Kongreseve.

Zëvendësimi i ministrit të Brendshëm vërtetoi se lufta e policisë me kultivimin dhe trafikun e drogës nuk ishte prioritet dhe në këtë pikë opozita pavarësisht denoncimeve nga selia e PD-së nuk e vuri në peshore karrierën e ish-ministrit Saimir Tahiri. Asnjë komision hetimor për lidhjet e policisë me trafikun e drogës dhe rastin Balili, zyrtarin e qeverisë shqiptare të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Vrasja e djeshme e ish-shefit të krimit ekonomik në Durrës përforcoi dyshimet se policia ruan lidhje paralele me strukturat kriminale për aq kohë sa nuk arriti të arrestojë një ish-efektiv të saj të shpallur në kërkim dhe që lëvizte lirisht deri sa ra në pritën e vrasësve. 

De fakto po flitet për një shtet të inkriminuar dhe në këtë pikë kryeministri nuk ka çfarë të fshehë dhe të justifikojë më. Njolla e dytë e madhe për qeverinë që drejton Edi Rama dhe Ilir Meta është dekriminalizimi, çështje për të cilën në tryezën me negociatorë europianë u ra dakord të nisë sa më shpejt zbatimi. Këto dy handikape mjaftojnë që dyshja Rama-Meta të mos çertifikohen në terma europianë për të  drejtuar një vend europian.

 Terreni ideal për një opozitë të kërkonte një orë e më parë zgjedhje të parakohshme për të përfituar nga ndëshkimi me votë i një qeverie të tillë. Kontravers me këtë logjikë, politike opozita e drejtuar nga Lulzim Basha refuzon të futet në zgjedhje duke vënë në tavolinë një kërkesë maksimaliste për dorëheqje të kryeministrit. Ky refuzim për të shkuar në zgjedhje mund të shpjegohet vetëm me mungesën e garancive që ka opozita për të fituar votën popullore.

Tentativa për të rrëzuar në tavolinë Edi Ramën nuk është fitore për demokracinë për të cilën duhet të luftonte opozita, por për llogarite e ngushta politike të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe ndoshta të LSI-së që ka flirtuar jo pak me këtë variant. Mbreti është gjysmëlakuriq, por gjysmëopozita nuk është e aftë ta hedhë me votë dhe kjo qasje është duke prodhuar një krizë të favorizuar edhe nga paaftësia e kryeministrit Edi Rama për të ndërmarrë akte politike i pavarur nga Ilir Meta. Edi Rama kërkon të qëndrojë në politikë me garancitë e fituesit, por mbështetja tek Ilir Meta është rruga e gabuar, si në 2013 ashtu edhe aktualisht.

 Në vitin 2007 Shqipëria bëri pjesë të fushatës ekzibicionizmin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, personazhit kontravers që në jetën private kishte shijuar plazhet nudiste të Francës. Publikimi i fotove nudo nga opozita e asokohe nuk pati asnjë efekt elektoral për njeriun që ishte projektuar si kryeministër i Shqipërisë. Rama shënoi një fitore edhe më të thellë në zgjedhjet vendore. 10 vite më vonë "Mbreti është sërish gjysmëlakuriq", kësaj radhe për mëkatet që lidhen me pushtetin e tij si kryeministër i Shqipërisë, por shqiptarët mesa duket do të vazhdojnë ta adhurojnë me votë edhe për shkak të opozitës që kemi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.