Oborri Mediatik që gjallon pas Katundit Mediatik

Postuar në 13 Prill, 2017 13:05

Së fundmi në portale të ndryshme online, por edhe në faqet e televizioneve vihet re një praktikë “gazetarie” që sugjeron për lexuesin bisedat që kryeministri zhvillon me komentues të ndryshëm në profilin e tij në Facebook. Përveç ndonjë rasti kur thuhet ndonjë gjë me vlerë, apo përcillet ndonjë mesazh, kjo praktikë “pune” nuk justifikohet as për interesin publik dhe as për kriterin profesional. Së pari shumica e portaleve që transmetojnë këto qyfyre politike qëndrojnë në klikime poshtë numrit të ndjekësve të kryeministrit Rama në Facebook. I cili ka sot më shumë se 1 milionë ndjekës. Duke patur parasysh mënyrën e funksionimit të Facebook në shpërndarjen e nwës feed, është e qartë se çdo postim i Ramës, çdo qeshje, foto, çdo akt virtual i tij u shfaqet së paku 50 mijë ndjekësve. Ka ndonjë portal, sado i lexuar qoftë i cili të mund të mbrojë publikmin e llogjeve virtuale me argumentin se ato lexohen shumë. Pra se lexohen të paktën 50 mijë here? Teknikisht po të flasim është e sigurtë që Jo.

Mund të hamendësohet në këtë rast përmes një pyetjeje: kjo është praktikë që portalet e kanë nuhatur me intuitën e tyre karakteristike dhe aftësinë për gazetari inventive, apo është kryeministri që kërkon në një mënyrë apo në një tjertër që diskutimet e tij të popullarizohen për t’u paraqitur si “ulje gjunjë më gjunjë me popullin”?

Nuk ka një përgjigje për këtë, por vetëm qasje të tërthortë. Që kryeministri është i interesuar që komunikimi i tij t’u shpëtojë analizave(ta lëmë mënjanë cilësinë e tyre), komenteve, filtrimit të titujve etj., kjo është e vërtetë e pamohueshme. Ai ka hapur së fundmi edhe një televizon të personalizuar, ku shfaqet vetë, flet dhe komunikon dhe ndjek vijën editoriale të “vënies në plan të parë të punëve dhe jo llafeve të katundit mediatik”. Katund ku duhet thënë se ai ka hyrë edhe pse me pretendimin se është ndryshe.

 Kjo e Ramës është një media e llojit të ri, e cila nuk qëndron aty si pasqyrë, por si shëmbëlltyrë, si autoportret; ajo gjeneron lajmin e protagonistit që është edhe gazetar dhe kameraman, skenarist dhe regjizor në të njëjtën kohë. Këtë e mundëson teknologjia, por kjo gjetje do të duhet që të theksonte nevojën për një kujdes të shtuar të mediave me kritikën dhe dyshimin ndaj “punëve të mira të qeverisë”. E kundërta po ndodh. Mediat po vihen në garë me Facebook-un e kryeministrit, me televizionin personal të tij. Aq sa mundet që ndonjë ditë të shohim biseda të publikuara në to, në kohë reale me faktin fizik. Kujt i shërben kjo lloj “gazetarie”? Kujt i drejtohen këta operatorë të eksituar me “lajmin e parë”? E qartë fare: pushtetit ku janë ngjitur vetë dhe asgjëje tjetër. Qesharakja nuk njeh kufi kur pas kësaj sorollatjeje ditore me fotokopjim, shfaqen edhe editoriale, apo komente, analiza dhe gjithfarë mendimesh sesi pushteti bën këtë apo atë, sesi media ja futi kot sot, apo sesi opozita dhe qytetari dixhital humbën.

Kjo epidemi po bëhet dominuese pasi Kliket në këtë rast i ngjajnë atij reaksionit zinxhir të teshtimave kolektive që na gënjejnë me iluzionin se “ka rënë gripi”. Pasi çfarë kuptimi mund të nxjerrësh nga publikimi, ripublikimi, shpërndarja dhe rishpërndarja e “veprave dialoguese” të kryeministrit me popullin virtual? Asnjë kuptim të vërtetë, pos parafabrikimit dhe ngulitjes së idesë se pushteti është kaq pranë teje si hallexhi, ka zbritur kaq poshtë, është te dera dhe dritarja jote, ai ka vënë veshin e po pret që ti të qash një hall, të denoncosh një padrejtësi, të bësh një pyetje. Ore po t’ja fusësh kot fare që të të sqarojnë se të kanë zënë ethet e Çadrës. Mirëpo ky është Oborri Mediatik, i cili fshihet shumë hollë pas Katundit Mediatik, i cili vetë është Oborri Mediatik i opozitës që simetrizon skenën klasike të mashtrimit ku njëri luan priftin apo hoxhën, e tjetri Prokurorin dhe profetin. Në fund nuk është çudi pse liritë rrëshqasin nëpër astare xhepash dhe bëhen pronë e të njëjtave fytyra, e të njëjtave zëra që vijojnë e vijojnë pa ndalim predikimin moral dhe denoncimin e të keqes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.