Erjon, sinqerisht: Merr ca ditë - lajme pushim!

Postuar në 14 Shkurt, 2017 14:13

Gazeta “Tema” njofton sot se kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj sugjeron ndryshimin e orarit të administratës për të eliminuar trafikun.

Si qëndron puna?

Po të lexojmë atë që thotë Veliaj, “fluksi i orës 07:30 – 08:00 është një fluks I cili për qytetin tonëë, paraqet një problematike që mund të zgjidhet vetëm duke shtuar numrin e autobuzëve. Po mendojmë edhe për zgjidhje të tjera, pra si mundet që me disa nga institucionet  punëdhënëse të koordinojmë oraret, ku jo çdo institucion të fillojë punë në të njëjtin orar. Kjo na jep mundësi të sfazojmë pak fluksin e mëngjesit duke e ndarë në disa fasah orare”.

Populli ka një fjalë për këta invadues të heshtur të hapësirës së tjetrit: Molë e butë. Molën e butë e nëvlerëson, nuk e sheh, nuk e dëgjon dhe mbi këtë indiferencë dhe shpërfillje, mola ecën e grin të gjithë strukturën. Si molë e butë operon edhe ky person që nuk ka ditë të mos shfaqet në media me gjithfarë budallallëqesh, i aftë t’ia lejojë vetes vetëm ai. Javën që shkoi na ikën ditët duke parë përditë foto të sheshit “Skënderbej”, sesi ai po ndryshon, sesi një pemë po vihet në një gropë, sesi një pamje nga lart e tregon bukur. Një ditë tjetër e pamë në shi, një ditë tjetër në autobus…

Qetësohu mor zotëri! Qetësohu pak! Se edhe Zoti bëri pushim ditën e shtatë, jo më ti, që e meriton pushimin se po lodhesh kaq shumë. Zbrit një ditë nga autbouzi, shkëputu pak nga sheshi, mos u duk nga tregu fshatar për të folur për standardet higjenike të leshit të dhisë, lëre njëherë periferinë halleshumë dhe freskoje pak me qetësi veten. Mendjen, shpirtin proletar që kaq shumë të trazon! Dil një xhiro nga Peza, ditën jo natën dhe qëndro aty në vilën e Konferencës, anës barit. Dhe pash Zotin, dil njëherë të veteme nga Lajmet, bëhu burrë o derëbardhë: Kërko që mos të ta pasqyrojnë një aktivitet. Ose mos njofto! Nuk i zë vend njeriu më, se nuk është letër. Bite interneti janë, fjalë pa vend, punë për dukje, erë, vetëm erë o Eri.

Jo çdo gjë mund të ndryshojë e të bëhet pse ti zotëri do të jesh në lajme. Orari i administratës është zyrtar, njerëzit kanë një jetë që lëvizin në këtë ritëm dhe nuk po ankohet kush kaq shumë. Edhe mund ta bësh të mundur këtë “ide gjeniale”, por është e sigurtë se fundi i saj e bashkë me të edhe yti, fundi i pushtetit, i këtyre budallallëqeve me okë që janë karakteriale te ty e që na detyron t’i dëgjojmë e t’i shikojmë, do të vijë. Do vijë bashkë me barsaletat që do të jenë biografia jote politike. Sepse për një njeri kaq të shtirur dhe hipokrit, barsaletat nuk janë ironi, as tallje, por alternativa e sinqeritetit që përshkruan më mirë se çdo gjë këtë marrëzi për të ndërtuar nje realitet që nuk ekziston. Sepse suksesi yt nuk ekziston, ai i vërteti, ai që edhe sikur mos ta kesh fare qejf tjetrin, do ta duartrokasësh. Ky i yti është sukesesi i pleshtit që paraziton mbi trupin e huaj dhe shpërndan sëmundjen me pickime, gjithnjë nëse ja del pa ngrënë një dackë asgjësuese që shpërthen atë gjakun e keq. Të habit pa masë kjo arrogancë për të kërkuar kaq shumë nga koha e njerëzve, ky pretendim që ke ti mor zotëri për të të parë fytyrën dhe dëgjuar zërin, ndërkohë që edhe në atë moment do të na gënjesh duke na shpikur punët pas të cilave gjoja fshihesh. Erjon, ndryshoje pak orarin të paktën nëse nuk ja del të na hiqesh nga media për ca ditë. Dil o zotëri pas orës 24:00, hap një tv selfie si shefi yt, posto në Facebook- tënd, po vallahi na ndihmo të gjithëve me mosqenien tënde ca kohë. Eja në terezi!

Shaptilografisti

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Thone qe ky Erjoni naten vesh nje pale pantollona te vjetra, ve edhe mustaqe dhe del shet fiq. Meqenese kete aktivitet nuk e pasqyron dot ne TV, Erjon Mjafti cdo trapllek qe ben diten e pasqyron ne 3D dhe 360 grade.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.