"Dita e Qametit" kaloi pa incidente

Postuar në 24 Prill, 2017 13:45

Opozita zhvilloi sot protestën e paralajmëruar duke bllokuar për 1 orë disa nga aktet nacionale të vendit. Ndryshe nga sa deklaruan eksponentë të qeverisë për rikthim të skenarëve të 97' gjithçka kaloi pa incidente. 
Megafonët e policisë u kujtuan protestuesve se protesta e tyre ishte e paligjshme, ndërsa nuk munguan kamerat dhe fotografët e saj të vendosur në disa pika kyçe për regjistrimin e protestuesve.  Protestuesit gjithashtu kanë lejuar qarkullimin e urgjencave madje duke i shoqëruar me duartrokitje. Kryetari i PD, Lulzim Basha iu bashkua protestës në sheshin "Shqiponja" ku ripërsëriti kushtin për qeveri teknike që do ta çojë vendin në zgjedhje. 

"Një qeveri teknike, e cila do të largojë kriminelët nga institucionet, sipas ligjit të dekriminalizimit, që do të luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin biometrik dhe numërimin elektronik të votës së çdo shqiptari e çdo shqiptareje dhe, menjëherë pas kësaj, votimin dhe zbatimin e vetingut dhe reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 22 korrikut" - deklaroi Basha.

Në të njëjtën kohë kryeministri i shoqëruar edhe nga ambasadorja e BE-së Romana Vllahutin shfrytëzuan një financim të BE-së për Parkun e Apollonisë për të dhënë mesazhin se qeveria dhe Europa janë në një linjë, të paktën sa i takon trashëgimisë kulturore.
"Nuk është koha për të bllokuar rrugët e Shqipërisë. Nuk është koha për të bllokuar njerëzit që duan të lëvizin lirisht në rrugët e vendit. Nuk është koha për të bllokuar njerëzit që kanë punë, që kanë nevojë të lëvizin, fëmijët, nxënësit, studentët, gjyshet, gjyshërit, kompanitë, mallrat, që janë gjaku i ekonomisë tonë çdo ditë. Por është koha për të hapur përfundimisht rrugën e të bërit një shtet modern, demokratik dhe europian, ku secili në rrugën e vet duhet të jetë i garantuar në konkurrencë dhe i vlerësuar sipas meritës, ku për secilin ka një mundësi dhe ku mundësia për secilin i jep gjithkujt shansin të krijojë mirëqenie. Mirëqenia nuk është status i privilegjuar, por është një mundësi për secilin"- theksoi kryeministri i Shqipërisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.