Nuk ka asnjë arsye që të ligjërojë votime pa kandidat për president

Postuar në 20 Prill, 2017 11:21

Sot në disa media ka qarkulluar një mendim se procedura e zgjedhjes së presidentit mund të shërbejë për të provokuar zgjedhje të parakohshme, e për rrjedhim për të nxjerrë de facto pa vlerë Çadrën e protestës së PD-së. Ideja bazohet thjesht mbi procedurat e parashikuara nga Kushtetuta: tre raundet e para kërkojnë shumicë të cilësuar për zgjedhjen e një kandidati. Dy raundet e fundit kërkojnë shumicë të thjeshtë. Nëse opozita sërish nuk pranon atëherë kalohet në zgjedhje të parakohshme dhe KQZ-ja bën rivendosjen e afateve për regjistrim koalicionesh dhe subjektesh. Ky është skenari i përfolur i cili nuk merr parasysh disa momente.

Dje kryeministri Edi Rama deklaroi se shumica i ka votat, por nuk ka paraqitur kandidat për raundin e parë për shkak se kërkon të japë një shenjë të vullnetit të mirë për opozitën. Raundi i parë u krye pa kandidat, por ai sipas nenit 87 të Kushtetutës konsiderohet edhe kështu si votim i ezauruar. Palëve u garantohet e drejta me Kushtetutë që të paraqesin kandidatë të rinj në raundin e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë.

Në Kushtetutë përcaktohet qartë një diferencë për cilësinë e votës së zgjedhjes së Presidentit në dy raundet e fundit.

Thuhet në nenin 87:

Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin  katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.

Ky përcaktim i rregulluar me konsensus në vitin 2008, u udhëhoq nga nevoja e shmangies së krizës së kuorumit të nevojshëm dhe hapësirës për bllokim që lë dispozita e zgjedhjes me vetëm 3/5-at. Çka do të thotë se Parlamenti shqiptar ka gjykuar se lëshimi në shumicën e kërkuar për zgjedhje në dy raundet e fundit nuk e cenon vlerën e përkufizimit të bërë në nenin 86 që sërish e sheh Presidentin si “Kryetar shteti dhe përfqësues të unitetit të popullit”.

Nisur nga fryma e Kushtetutës, apo ndryshimeve të bëra në të, por edhe deklarimeve të Kryeminstrit se “durimi mbaron në kufijtë e Kushtetutës dhe të ligjit”, nuk shihet të ketë aktualisht asnjë arsye të vërtetë që mazhoranca të lërë vendin pa president në emër të zgjedhjeve të parakohshme, apo nevojës së një konsensusi imagjinar. Aq më tepër që kryhet votim për personin dhe zgjedhja mund të jetë edhe preferenciale. Kjo mund të kishte kuptim nëse zgjedhja e presidentit do të ishte në mes të mandatit dhe edhe atëherë si zgjedhje e një koniunkture. Të djegësh zgjedhjen e presidentit në emër të rregullimit të afateve nga KQZ-ja është një incident shumë i rëndë që cenon edhe atë pak besueshmëri të mbetur tek institucioni i Presidentit.

Së dyti, ka dy aktorë që sot nuk u interesojnë zgjedhjet e parakohshme: së pari është vetë PS-ja dhe kryeministri, të cilët ndoshta për konveniencë të sistemit mund të përfitojnë nga dalja vetëm në zgjedhje si subjekt, duke shpallur politikisht aleancë me LSI-në. Ky është një aksident i lumtur që favorizon forcat e mëdha politike. Aktori tjetër është PD-ja e cila nëse do të bëjë sehir për të parë sesi zhvillohet ky skenar do të humbasë në fakt kauzën për të cilën u mbyll në çadër duke u vetëasgjësuar për shkak të procedurës.

Në çdo rast jetojmë në Shqipëri dhe institucionet shtetërore nuk janë asgjë më shumë sesa shtrojë për këmbët e partive politike dhe nuk përjashtohet që pazari PS-LSI të ketë në mendje edhe zgjedhjet e parakohshme, por asnjë nuk mund të përligjë djegien e raundeve për zgjedhjen e presidentit pa propozuar një kandidat, në kushtet kur libreti i histerisë politike që quhet Kushtetutë u ndryshua mu për këtë qëllim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.