A mund ta rishkruajë historinë një dekoratë Presidenti?

Postuar në 18 Prill, 2017 14:16

Gjergj Meta shkruan sot një opinion në gazetën “Panorama” mbi dekorimin nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, të përfaqësuesit të Kishës Katolike: Kardinal Ernest Simoni(Troshani) me dekoratën “Nderi i Kombit”. Meta, një njeri i pranishëm në publicistikën shqiptare, jep mendimin se dekorimi me këtë urdhër “…i dhënë nga institucioni më i lartë i vendit për këto kategori personash, në specifikën e historisë sonë kombëtare, në një vend ku institucionet vlerësohen si duhet, merr përmasat e një rishkrimi dhe rishikimi të historisë”.

Pak më poshtë Meta shton se:

Përmbysja e sistemit komunist në vetvete nuk ishte ipso facto, edhe përmbysja e një lloj historiografie të imponuar përdhuni nga ideologët e tij. Kjo e fundit do kohën e vet dhe nuk bëhet me revolucione popullore. Por shenja konkrete si këto të institucionit presidencial janë një mënyrë për ta vendosur historinë dhe shkrimin e saj në hullitë e një historiografie sa më afër objektives. Dritëhijet e historisë dhe të veprës së shumë njerëzve, nëse ka pasur të tilla, nuk mund dhe nuk duhet të zbehin kontributet e tyre”.

Ky paragraf nuk është se hedh dyshime, apo krijon një digresion mbi hijet eventuale të figurës së Troshanit, apo të tjerëve si ai, por kërkon të sugjerojë se kontributet historike prevalojnë mbi pjesën e errët të një figure. E thënë në këtë gjuhë, përshkrimi i Metës nuk ka ngjyra revanshi, kaq i pranishëm në kohën tonë, por ruan njëfarë përultësie që përkon me besimin në disa vlera që nuk janë vetëm kristiane. P.sh akuza për bashkëpunim që bëhet rëndom për një kategori figurash ka kompromentuar rëndë kontributin e këtyre figurave(nuk është rasti i Troshanit) në historinë shqiptare. Mirëpo kjo duhet theksuar në të dyja aspektet duke i kërkuar shoqërisë shqiptare që të pranojë në gjirin e vet me nderime të caktuara figura që kanë dhënë diçka në histori edhe pse kanë bërë gabime. Gabime të cilat rëndojnë për keq, por koha e kërkon që veprat e mira të ndahen nga ato të këqija. Aq më tepër që periudha e pas Luftës u njollos me krime që u gjeneruan në kohën e përballjes së madhe. Meta flet për një pajtim, por ky pajtim nuk mund të vijë duke bërë siç thotë ai një gjimnastikë të lirë historike.

Kisha Katolike, me lumnimin e 38 martirëve, dashje pa dashje, e rishkroi historinë, atë histori që gjithmonë ajo në fakt e ka besuar. Nuk munguan zëra, edhe pse ndoshta të heshtur apo nëpër forume të ndryshme shpesh anonime, e nuk do të mungojnë kurrë ndoshta, që akuzuan se po shenjtëronim kolaboracionistë dhe armiq. Kjo është në fund të fundit demokracia që gjithkush të mendojë atë don. Por, gjithashtu, mund të themi se brezave të ardhshëm u bëhet një shërbim i madh, kur edhe institucioni i kreut të shtetit vlerëson ata që vuajtën pse donin të ishin të lirë, e shpresojmë që këtë gjë të vazhdojë ta bëjë në çdo rast e për çdo person që ka vuajtur apo është përbaltur padrejtësisht nën atë sistem. Kur brezat e ardhshëm të jenë të lirë nga kushtëzimet ideologjike do të kuptojnë që rehabilitimi nuk është vetëm një çështje fjalësh, por ka të bëjë me gjeste konkrete”, shkruan ai.

Në fakt një dekoratë e Presidentit edhe mund të tërhiqet dikur, ajo mbetet një akt simbolik që nuk kultivon ndonjë njohje të historisë. Brezave të rinj u flitet në shumë mënyra, shumë më ngulmuese sesa gjestet presidenciale, çka e bën të domosdoshëm që historia të mos jetë një fushë ku secili beson atë që do. Pasi disa të vërteta ekzistojnë objektivisht, ato mund të hulumtohen dhe zbardhen për të krijuar atë emërues të përbashkët që nxit pajtimin. Meta thotë se “Kisha Katolike e rishkroi historinë…”, por që kjo histori të kthehet në histori të shqiptarëve kërkohet diçka më shumë sesa “falja përmes Lumnimit”. Ndoshta krimi komunist siç përshkruhet teorikisht është I këtillë që e bën shoqërinë të mbajë distancë sigurie nga përsëritja e tij, por Gabimet e atyre që i paraprinë atij(sigurisht nuk është fjala për kardinal Troshanin) kërkojnë një ndjesë, apo qartësim, në mënyrë që këto figura edhe të Kuptohen, përveçse të nderohen nga Presidenti i radhës.

http://www.panorama.com.al/historia-180-grade-ne-dekorimet-e-presidentit/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.