Tirana, prova e dytë për ndërmjetësim e Merkel në Ballkan. Në Shkup, Berlini dështoi

Postuar në 16 Prill, 2017 14:00

Prej dy ditësh në disa media po qarkullon lajmi për një të dërguar të kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë që do të përpiqet të negociojë mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje. Si emër përmendet David McAllister, kreu i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, i cili vjen në Tiranë me gjasë pas një kërkese të kryetares së Komisionit Parlamentar për Integrimin, Majlinda Bregu.

Modeli i zgjedhur është përsëritës: një krizë që krijohet nga frika e zgjedhjeve, e cila nxjerr në tryezë kërkesa absurde dhe ndërkombëtarët që vijnë dhe zgjidhin diçka. Çështja është se kësaj radhe nuk bëhet fjalë për kërkim garancish, por për kushte kategorike siç është largimi i kryeministrit. Mbi ç’bazë të negociosh përballë kësaj kërkese?

Nga ana tjetër duhet thënë se në eventualitetin e një dialogu tresh të formatit: shumicë – opozitë- partnerët ndërkombëtarë, opozita dhe z. Basha fitojnë mundësinë e daljes nga qerthulli i përgjegjësisë për vijimin e një proteste që nuk ka më qarkullim gjaku dhe të cilës po i humbet oksigjeni i objektivave. Protesta është kthyer në një audiencë pritjeje se çfarë do të bëjë Ilir Meta, ndërkohë që ndërmjetësimi ndërkombëtar e çliron opozitën nga situata e izolimit. Ndërkombëtarët, në këtë rast njeriu i Merkel merr përgjegjësinë e madhe të negociimit të një krize, të cilë sme prezencën dhe misionin e vet mund t’i japë më shumë jetë. Për krahasim kemi rastin e Maqedonisë. Në maj të vitit 2016, Gjermania caktoi ambasadorin e saj në Vjenë, Johannes Haindl, si të dërguar të posaçëm për krizën maqedonase, provokuar pasi Presidenti Ivanov ndaloi hetimet për 56 zyrtarë të lartë të partisë së Gruevskit. Ja ku jemi sot pas gati një viti me një Maqedoni në krizë, me zgjedhje të shtyra tre herë dhe me një president që refuzon mandatimin e Zaevit.

Natyrisht ndryshimi është se në rastin e Maqedonisë, problemi shihej te qeveria, ndërkohë që i dërguari i Merkelit në Shqipëri mendohet se vjen për të trajnuar opozitën me vullnetin për të hequr dorë nga skenari i bojkotit të zgjedhjeve.

Pa paragjykuar një sukses të mundshëm të McAllister, është loja e interesave ajo që e kthen krizën shqiptare në thuajse të pamenaxhueshme mbi kriteret e një negociate. Pasi kemi një palë, PS-në dhe kryeministrin që thonë kemi mandat, kemi një palë tjetër LSI-në që synon shkatërrimin e Ramës dhe rrëzimin e tij duke qenë ndërkohë aleat dhe PD-në që refuzon vettingun, bojkoton dhe ndjen se nuk i fiton dot zgjedhjet. Siç shihet zgjedhjet në këto kushte i interesojnë për momentin vetëm PS-së, dy të tjerat shohin vetëvrasje politike në datën 18 qershor. Si mund të negociosh për të bindur dikë për t’u vetëvrarë veçse me forcë? Kjo mbetet për t’u parë dhe mund të qëndrojmë optimistë, ndonëse fjala e të huajve në Ballkan nuk ka më peshën që kishte dikur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.