Merkel i ka dhënë garanci Bashës për të hyrë në zgjedhje

Postuar në 07 Prill, 2017 01:05

Prej më shumë se 47 ditësh opozita kërkon kushte për të hyrë në zgjedhje duke paraqitur si të vetmen garanci qeverinë teknike, ose qeverinë e besimit siç e quajti Ilir Meta. Në këtë kauzë Lulzim Basha deri më tani ka gjetur vetëm mbështetjen e LSI-së dhe aleatëve të PD-së, ndërkohë që faktori ndërkombëtar ka qenë thuajse në unison për rikthim në parlament dhe hyrjen në zgjedhje të opozitës.

Bashës kjo i është thënë edhe nominalisht edhe personalisht nga partnerët ku peshën kryesore e mbajnë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. Burime pranë Partisë Demokratike thanë për "Respublica" se letra e nënkryetarit të CDU-CSU, grupimit të Partisë së kancelares Merkel në Parlamentin gjerman, ishte një konformim i asaj që vetë Merkel i ka kërkuar Lulzim Bashës: Të futet në zgjedhje përkundrejt gatishmërisë nga pala gjermane për të dërguar 5 deputetë të CDU-CSU-së për ekspertizë të specializuar në çështjet të reformimit të Kodit Zgjedhor.

Të njëjtat burime thanë për "Respublica" se dalja në publik e letrës së nënkryetarit të CDU-CSUsë alarmoi kreun e PD-së që hetoi për ndonjë rrjedhje nga stafi i tij, por siç u konfirmua letra doli nga ambasada gjermane në Tiranë. Pra Lulzim Bashës i është kërkuar nga kancelarja Merkel të hyjë në zgjedhje dhe i është dhënë garanci për këtë, ashtu siç në fakt thuhet edhe në letër se "Gjermania mbështet shqetësimin për zgjedhje të lira e të ndershme, por i kërkon opozitës të jetë pjesë e procesit".

Përveç këtyre garancive opozita i ka të gjitha mekanizmat për të mbrojtur votën pasi ka 50% të grupeve të numërimit në Komisionet Zonale. Ndërsa së fundmi kryeministri propozoi në parlament që opozita të ketë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.