Zgjedhje pa opozitën në 7 Maj në Kavajë

Postuar në 24 Mars, 2017 11:41

Presidenti cakton 7 Majin si datën e zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë pas zbardhjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese që konfirmoi si të ligjshëm shkarkimin e Elvis Rroshit. Ndoshta i vetmi aksion politik i opozitës që prodhoi zhvillime, ligji për dekriminalizimin do të detyrojë mazhorancën të ripropozojë kandidat për bashkinë e Kavajës, një bastion i Partisë Demokratike, i rënë në duart e socialistëve falë kombinimit Edi Rama-Elvis Roshi.

Kryeministri e ka mbrojtur deri në fund dhe publikisht beniaminin e Rilindjes së Kavajës, duke folur për një zgjedhje "me dorë në zemër" (por pa mendje në kokë), nisur nga larmishmëria e emrave të Elvis Rroshit dhe akuzave të drejtësisë italiane, për një ish-emigrant të përvuajtur nga diskriminimi-siç ka pohuar kryeministri.Roshi përfaqëson një nga modelet me të cilët qeveris Edi Rama dhe humbja e tij mund t'i dhembë më shumë sesa ikja e Ben Blushit nga Partia Socialiste. 
Elvisi apo Ervini mund të ikë nga bashkia, por jo nga partia. Ai do të udhëheqë fushatën e Partisë Socialiste në Kavajë bashkë me kordinatorin Arben Ahmetaj. Zgjedhjet e pjeshshme në Kavajë vijnë në një kohë kur opozita ka paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve parlamentare dhe mund të ishin një test që do t'i vlente frymës opozitare të protestës dhe kontestimit të këtij modeli qeverisës. Burime thanë për Respublica se Partia Demokratike nuk do të propozojë kandidat dhe nuk do të futet në garën për bashkinë e Kavajës, një sinjal i fortë për qeverinë dhe një ekuacion që i shtohet krizës. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.