Reagon Presidenti: Për Zhitin, dëshmi bashkëpunimi në Spaç. Konstatova edhe paqëndrueshmëri psikike

Postuar në 22 Mars, 2017 11:09

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka reaguar ndaj komenteve të Visar Zhitit, i Ngarkuar me Punë i Shqipërisë në Vatikan, i cili një ditë më parë akuzonte kreun e shtetit për dekretimin e Fatmir Xhafës si ministër i Brendshëm. Përmes një interviste të shkurtër në gazetën “Panorama”, Nishani zbulon disa arsye se përse nuk u dekretua Zhiti si ambasador në Vatikan, çështje kjo që ka lënë pezull përfaqësimin e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë. 

Kur u bë publik propozimi i Kryeministrit Rama për ta emëruar Zhitin ambasador në Selinë e Shenjtë, unë mora mesazhe dhe dëshmi nga ish-i përndjekuri politik P.V., i cili e akuzonte Zhitin si bashkëpunëtor të administratës së Burgut të Spaçit në vitet 1982–1983 në procese të ridënimit të burgosurve në atë burg. Por nuk ishte kjo arsyeja që unë nuk e emërova. Këto janë pa dyshim dëshmi të rënda, por që duhen verifikuar nga procesi i hapjes së dosjeve, i cili tashmë ka nisur dhe do të shkojë deri në fund për gjithkënd. Arsyeja që nuk emërova Zhitin kishte të bënte me mosrespektimin e procedurës ligjore të propozimit nga qeveria, të deklaratave publike të papranueshme të Zhitit ndaj Kishës Katolike (për periudhën e inkuizicionit) dhe pas një takimi që pata në zyrën time konstatova një paqëndrueshmëri psikike të tij. Në këto kushte përdora të drejtën time kushtetuese për të mos e emëruar atë në postin shumë të rëndësishëm të ambasadorit. Në rastin e Xhafajt, me gjithë mosdakordësinë time të plotë që një person i tillë të jetë në postin e ministrit të Brendshëm, nuk gjeta asnjë hapësirë ligjore që të më jepte mundësinë ta bllokoja emërimin e tij. Ndonjë dritëshkurtër mund të ketë menduar se do të përdorë Institucionin e Presidentit të Republikës për të devijuar situatën shqetësuese të krizës politike që qeveria ka me opozitën në lidhje me kushtet për zgjedhje të lira në një proces përplasjeje kushtetuese dhe parlamentare me Presidentin e vendit. Këto janë skenarë aq të vjetruar sa është edhe fytyra e atrofizuar e ish-Sigurimit të Shtetit, por që ende përpëlitet

është shprehur Nishani. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.