Apologji publike nga Xhafaj: Kam qenë hetues, por jo dhunues

Postuar në 20 Mars, 2017 18:00

Pas dekretimit nga Presidenti Nishani si Ministër i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka sqaruar me një deklaratë publike  akuzat mbi të kaluarën e tij si hetues i Prokurorisë Krujës. Deklarata vjen si përgjigje ndaj rezervave të shprehura nga Nishani për figurën e tij, duke përcjellë edhe mesazhin se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Në qershor 1984 krijohet për herë të parë organi i hetimit penal, si institucion i veçantë dhe i pavarur nga institucione të tjera, pjesë e organeve të sistemit të drejtësisë të asaj kohe pranë prokurorive të rretheve, tërësisht i ndarë nga organet e hetimit të Ministrisë së Brendëshme. Po atë vit, në qershor, më emëruan në punë pranë këtij organi. Në këtë periudhë prej një vit e gjysëm, (qershor 1984 – dhjetor 1985), kam kryer edhe stazhin gjashtëmujor në prodhim, pranë Ndërmarrjes Bujqësore Krujë. Në fund të vitit 1985 jam larguar përfundimisht nga puna në organet e sistemit të drejtësisë në moshën 26-vjeçare. 

Asnjë ditë të jetës sime nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme. Janë të pavërteta pretendimet e një zonje për dhunë ndaj saj dhe vëllait të saj në një proces penal të kohës. Sa unë jam në dijeni, kjo çështje penale është gykuar dhe përfunduar në fundin e vitit 1986, periudhë kur unë nuk isha më pjesë e sistemit të drejtësisë.

Lidhur me akuzat nga Partia Demokratike në adresë të vëllait të tij,  Xhafa thotë se është treguar i hapur për hetime.

I kujtoj liderit të Partisë Demokratike dhe i mësoj kryetarit aktual të saj, se në tetor 2010 kam bërë një deklaratë në Parlament lidhur me baltën e hedhur në mënyrë sistematike ndaj meje dhe e kam ftuar publikisht qeverinë apo grupin parlamentar të Sali Berishës të hetojë për çështjen në fjalë dhe akuzat lidhur me personin tim.

Ai thotë se ka vetëm një mënyrë shterruese për t’iu përgjigur sulmeve dhe baltës, të vazhdojë punën si Ministër i Brendshëm.

Të punoj me ndershmëri e profesionalizëm çdo ditë në shërbim të vendit tim, në respekt të kushtetutës, ligjeve dhe njerëzve. Të kryej detyrën që më është besuar me pasion qytetar dhe vendosmëri të plotë, për të çuar përpara përpjekjen e madhe që është bërë në këto tre vite, për të kthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve.

Vlen të theksohet se Partia Demokratike nuk ka patur asnjë kontestim për zgjedhjen e tij si bashkëkryetar i Reformës në Drejtësi, madje disa herë ka përshëndetur bashkëpunimin me të.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.