Roli i epidemive në rënien e Romës dhe ngritjen e Kristianizmit*

Postuar në 20 Mars, 2017 14:41
Caroline Wazer/Universiteti i Kolumbia

Cila ishte arsyeja që solli rrëzimin e Perandorisë Romake? Me këtë pyetje u fiksua edhe historiani i madh, Edward Gibbon, në faqet e fundit të librit të tij “Perëndimi dhe Rënia e Perandorisë Romake”. Ai vuri në dukje se në vend se të spekullojmë rreth arsyeve të kolapsit të gjatë dhe të ngadaltë të Romës mes shekujve III – VII e.s(kjo në varësi të atyre që pyet), ne duhet të mrekullohemi që ai zgjati kaq shumë.

Edhe sot, diçka i mahnit historianët te rënia e Romës. Shpjegimet e sugjeruara përfshijnë helmimin masiv nga plumbi(e hedhur poshtë si tezë në masë të madhe) dhe degradimi moral(diçka e vështirë për t’u provuar). Një teori revizioniste me ndikim të jashtëzakonshëm pretendon se Roma nuk ra në fakt asnjëherë – ajo thjesht u transformua në diçka tjetër të panjohshme. Në përgjigje të këtij interpretimi “transformues”, historianët së fundmi po insistojnë se antikiteti i vonë karakterizohej mbi të gjitha nga dhuna, vdekja dhe kolapsi ekonomik – një ide që mbrohet me shumë vendosmëri nga Bryan Ward në librin e tij të vitit 2005, “Rënia e Romës dhe fundi I Qytetërimit”.

Ne mund të mos jemi ndonjëherë në gjendje të gjejmë një arsye për vdekjen e Perandorisë Romake, por gjithsesi historianët po i afrohen edhe më shumë të kuptuarit të jetës së banorëve të Perandorisë, ndërkohë që bota e tyre po shpërbëhej.

Dy studime veçanërisht innovative, publikuar në numrin e fundit të Journal of Roman Archaeology, shtrojnë pyetje mbi rolin që kanë luajtur sëmundjet epidemike në perëndimin e Perandorisë Romake. I pari, nga historiani i universitetit të Oklahomas, Kyle Harper, adreson të ashtuquajturën Murtaja e Kiprianit në mes të të trazuarit shekull të 3-të e.s.. Studimi tjetër, i shkruar nga ish-profesori i Harper, Michael McCormick, një profesor i historisë mesjetare në Harvard, merret me Murtajën e Justinianit, që ra në shekullin e 6-të të e.s..

Në rastin e dytë, ne e njohim patogjenin përgjegjës të murtajës. Në disa studime të shpejta gjatë dekadës që lamë pas, tre ekipe shkencëtarësh kanë identifkuar në mënyrë të pavarur AND-në e Yersinia Pestis – bakteri i njëjtë që është përgjegjës për Vdekjen e Zezë – në skeletet njerëzorë që dihet se datojnë nga koha e murtajës së Justinianit.

Burimet antike e përshkruajnë Murtajën e Justinianit në një mënyrë të tillë që na shfaqet apokaliptike. Sipas një rrëfimi, banorët e Konstandinopojës – që meqë ra fjala ishte kryeqyteti I Perandorisë Romake të Lindjes, apo Bizantit – vdisnin në një masë të tillë të jashtëzakonshme, saqë perandorit Justinian iu desh të caktonte një zyrtar të posaçëm për të koordinuar largimin e kufomave nga rrugët e qytetit. Këtij zyrtari të pafat, emri i të cilit ishte Teodor, organizoi transportin e kufomave me karro, përmes Bririt të Artë të Gallatës, që sot është një lagje e pasur e Stambollit.  Në një pasazh të gjallë makabër, dëshmitari okular Johani nga Hefesi, e përshkruan kështu procesin:

“[Teodori] hapi gropa shumë të mëdha brenda secilës u hodhën 70 mijë kufoma. Ai caktoi pastaj njerëz aty që sollën edhe më kufoma, I grumbullonin ato dhe i stivonin. Ata I ngjishnin kufomat në rreshta, sipër njëra tjetrës, në të njëjtën mënyrë si ngjishet kashta në  papafingo. Burra dhe gra u bënë kapicë në tokë dhe në hapësirën e vogël mes tyre, u ngjeshën me këmbë të rinj dhe fëmijë, që ngecën aty si rrush i shkelur”.

Pavarësisht numrit të jashtëzakonshëm të kufomave që përshkruhen në këtë apo edhe në burime të tjera tekstuale, në Gallata ende nuk është zbuluar nga arkeologët ndonjë varr masiv. Nuk ka patur zbulime të tilla as në ndonjë lagje të Stambollit. Në fakt, asnjë gropë varri që të përmbajë diku afër 70 mijë skeleteve nuk është gjetur as edhe në Mesdhe, pavarësisht se kujt kohe i përket, shekullit të 6-të apo ndonjë periudhe tjetër. Historianët kanë arsye të jenë dyshues për çdo shifër që përmendet në tekstet antike, por nuk ka dyshim se Murtaja e Justinianit mori një numër të jashtëzakonshëm jetësh në të gjithë Mesdheun. Ku ndodhen gjithë këto kufoma?

Siç sqaron McCormick gërmimet e paplota arkeologjike - sidomos ato në qytetet e mëdha, ku marrja e lejes dhe gërmimi pranë infrastrukturës moderne paraqet sfida serioze – duhet të ketë kontribuuar në mungesën e gjetjeve të “gropave të murtajës” së Justinianit. Në fakt, në një qytet të madh romak të shekullit të 6-të ku janë bërë gërmime të mëdha, Jeruzalemi, janë gjetur disa varre masive, në tre prej të cilëve kishte më shumë sesa 100 skelete.

Por edhe nëse këto gropa do të mund të gjenden, ato nuk do të na rrëfejnë dot për shkallën e vërtetë të Murtajës së Justinianit. Ndërkohë që historia e regjistruar priret të dominohet nga qytetet për shkak të përqendrimit në to të pasurisë dhe pushtetit, bota antike ishte në një masë dërrmuese agrare.

Të ndikuar nga arkeologjia e Vdekjes së Zezë në Londër, breza të tërë arkeologësh kanë bërë të vetën tezën se ngjarjet e vdekjeve në masë shkojnë dora - dorës me varreza të mëdha komunitare. Një ekzaminim më i hollësishëm i burimeve tekstuale zbulon gjithsesi se edhe në Londër, gropat e hapura për shkak të murtajës, nuk u hapën përpara se hapësira e varrezave të zakonshme të qytetit të ishte konsumuar. Kjo na çon në arsyetimin se ngulimet e vogla në fshat mund të mos jenë përballur asnjëherë me krizën për varre njësoj siç mund të ketë ndodhur në qytetet e mëdha: kombinimi i hapësirës së madhe me një popullsi të pakët, do të thotë se shumica e popullsisë mund të mos ketë patur nevojë të ndryshojë praktikat e varrimit. Një rast i përshkruar nga McCormick  e ilustron shumë mirë këtë hipotezë. Teksa po analizonin ADN-në e marrë nga skelete të gjetur në një varrezë në dukje të parëndësishme të shekullit të 6-të në qytetin gjerman të Aschheim, pranë Munich, shkencëtarët u tronditën kur zbuluan se kockat e tetë individëve përmbanin gjurmë të ADN-së së Yersinia Pestis. Materili genetik degradon me kalimin e kohës, kështu që gjetja e gjashtë sekuencave të ndara, qartësisht të identifikueshme, është në fakt një gjë e madhe. Ka shumë gjasa që shumë më tepër individë të varrosur në varrezë të ishin po ashtu viktima të Murtajës së Justinianit.

Për shkak se varreza e Aschheim shërbente më parë si pikë varrimi kryesore për rezidentët e qytetit të vogël, kockat e gjetura brenda saj ka më shumë mundësi që të pasqyrojnë me një saktësi të madhe mbetjet e popullsisë së tij. Si rezultat, arkeologët mund të përdorin evidencat e skeletëve për të kuptuar se cilat ishin pasojat e murtajës në këtë popullsi të mbyllur. Modeli që rezulton është shokues: bazuar në të dhënat e varrezës “ky ngulim i vogël rural do të ketë humbur një minimum prej 35-53% të popullsisë së tij në pak muaj” në vitin 555 të e.s., një humbje kjo nga e cila nuk do ta mërrë veten kurrë plotësisht.

Rasti i Aschheim provon se arkeologët duhet të kërkojnë për viktima të Murtajës së Justinianit në çdo ngulim të shekullit të 6-të që ishte e lidhur me Romën e antikitetit të vonë, pavarësisht sa I vogël ka qenë apo sa larg Konstandinopojës. Puna që nevojitet është jashtëzakonisht e madhe, por të dhënat e mbledhura nga kjo vaskë e re shpërthyese e varrezave potenciale të murtajës do të nisin të mbushin hapësirat boshe të të kuptuarit tonë për përmasën shkatërruese të epidemisë së Yersinia Pestis të kohës së Justinianit.

Në të kundërt me këtë, mikrobi përgjegjës për epideminë e përzgjedhur nga Harper, Murtaja e Kiprianit e shekullit të 3-të, mbetet kokfortësisht i padintifikueshëm, pavarësisht varianteve të disa historianëve që shkojnë nga lija te fruthi. Inde të marra nga skelete të varrosura në këtë kohë në varre masive, të zbuluar së fundmi në Egjipt dhe Romë, sigurisht që do të analizohen imtësisht. Metodat mikro-bioarkelogjike, që janë integrale për kërkimin e McCormick, nuk japin rezultate për Murtajën e Kiprianit: duke u mbështetur në përshkrimet antike të sëmundjes, Harper argumenton se epidemia ishte me gjasë një shpërthim viral i etheve hemoragjike, ethes së verdhë apo Ebolas.

Për të qenë të sigurtë, lista e tmerrshme e simptomave që na përcillet nga Kipriani(peshkopi kartagjenas dhe dëshmitar okular sipas emrit të të cilët është emërtuar murtaja) do të tingëllojë e njohur për çdokënd që ka ndjekur shpërthimin e fundit të virusit të Ebolas në Afrikën Perëndimore.

Teksa kompaktësia e trupit shpërbëhet, zorrët mbushen me gjak: një zjarrmi që nis në organet e brendshme jep djegie në plagët e fytit…zorrët shkunden nga të vjellat të vazhdueshme…sytë tendosen nga presioni i gjakut…teksa dobësia fiton mbi rënien dhe humbjen e trupave, ecja paralizohet, dëgjimi bllokohet apo shikimi verbohet…”.

Në ndryshim nga bakteret, shumica e viruseve – përfshirë Arenoviruset, Flaviviridae dhe Filoviruese përgjegjës për ethet virale hemoragjike – e transmetojnë informacionin e tyre genetik vetëm përmes ARN-së(Acidi Ribonukleik). Zinxhiri i vetëm i ARN-së(ARN është molekulë lineare njëzinxhirore) është shumë më i brishtë sesa spirali i dyfishtë i ADN-së, ndaj edhe është shumë më pak i aftë për t’i mbijetuar kohës.

I gjendur përballë mungesës së evidencës genetike, Harper mbështetet më pak në metodat hi –tech për të kuptuar sesa e rëndë ishte vërtet Murtaja e Kiprianit. Në vend të kockave, evidenca e tij është një trup prej 23 burimesh tekstuale – disa bashkëkohorë me rënien e murtajës dhe disa të shkruar shumë më vonë – që në vija të përgjithshme e përkufizojnë epideminë në terma të një polemike fetare. Murtajat(sëmundjet epidemike) në Mesdheun e antikitetit, njësoj si periudha të tjera të historisë, kuptoheshin shpesh si mbinatyrore, siç besohej edhe për fatkeqësitë e natyrës. Për shkak se shekulli i 3-të ishte një kohë kruciale për ngritjen dhe përkufizimin e kishës së hershme kristiane, Murtaja e Kiprianit erdhi dhe mori një kuptim të thellë spiritual, si për paganët ashtu edhe për kristianët.

Për Peshkopin Kiprian, murtaja që mori emrin e tij, ishte një provë e superioritetit të Kristianizmit mbi religjionin tradicional romak. Duke e parë epideminë si një mundësi për të vënë në veprim besimet e tyre më të thella, krisitianët e kohës së parë u angazhuan në përkujdesjen e të sëmurëve dhe në organizimin e varrimeve për të vdekurit.

Në anën tjetër të ndarjes fetare, establishmenti pagan ishte i kapluar nga frika. Tradicionalisht, priftërintë romakë i interpretonin epidemitë si shenjë e pakënaqësisë së zotave. Provat e ardhura deri më sot në formën e një ikonografie të re në monedha dhe referencat për organizimin e sakrificave të jashtëzakonshme nën mbikëqyrjen e shtetit, sugjerojnë se Murtaja e Kiprianit nuk bënte përjashtim në këtë drejtim. Siç vëren Harper, burimet konvergojnë se “epidemia minoi matricën sociale të shoqërisë pagane”, ndërkohë që “përgjigja e organizuar e komunitetit Kristian, sidomos në varrosjen e të vdekurve, përfaqësonte një kontrast të plotë”.

Gjuha e njëanshme si e burimeve kristiane, ashtu edhe atyre pagane ka çuar në qëndrimin e studiuesve që i shohin ato si propagandë fetare – pvaarësisht faktit se nëse heq mënjanë dogmatizmin, burimet kristiane dhe ato pagane bien dakord në të gjitha pikat kryesore, çka ka më shumë rëndësi, për faktin sesa ngjitëse, e dhimbshme dhe vdekjeprurëse ishte sëmundja. Prirja e disa dëshmitarëve për të huazuar fraza nga përshkrimet letrare klasike të epidemive të Tuqiditit dhe Virgjilit kanë ndikuar po ashtu në diskreditimin eevidencave tekstuale – në mënyrë të pandershme kjo, pasi siç argumenton Harper, citimi i të mëdhenjve të kulturës ishte një mënyrë ekstremisht e zakonshme në procesimin dhe emfatizimin e traumave të përbashkëta në antikitet. Sëmundja, përfundon ai, ishte një nga gozhdët në arkivolin e Perandorisë Romake dhe një gur i rëndësishëm miliar në ngritjen e Kristianizmit të hershëm.

Sado të ndryshme që janë metodat e tyre, artikujt e Harper dhe Mçormick, hapin dritare të reja për peizazhin bilogjik të antikitetit të vonë, edhe në qofshin këto makabre.

Rivlerësimi i varreve të murtajës nga McCormick qartëson faktin se Murtaja e Justinianit u përhap shumë më larg kufijve të qyteteve të mëdha, duke mbërritur në hinterlandin europian – dhe këtu historianët dhe arkeologët e kanë nënvlerësuar shkallën dhe shtrirjen e epidemive antike.

Nga ana tjetër, rianalizimi i kujdesshëm nga Harper i shkrimeve fetare e bën të qartë nevojën e rishikimit të evidencave në tekstet e vjetra me synim rindërtimin e sëmundjeve për të cilat evidenca fizike mbetet e dyshimtë. Për më tepër, natyra spirituale e teksteve të Harper, na zbulon sesa realisht i tmerrshëm ishte regjimi i sëmundjeve në antikitetin e vonë. Për kristianët e hershëm, shkatërrimi ishte diçka e ngjashme me një oportunitet, për besimtarët e religjionit tradicional të Romës, valët e sëmundjeve që u përplasën në mënyrë të pandalshme mbi botën mesdhetare, ishin asgjë më pak sesa fundi i botës.

Marrë nga "The Atlantic"(https://www.theatlantic.com/science/archive/2016/03/plagues-roman-empire...)

*Titulli është i ResPublica

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.