Ministria e Brendshme, teknikisht është Qeveri Teknike

Postuar në 17 Mars, 2017 16:07

Dita e sotme ofroi një spektakël deklarimesh për shtyp që meriton të komentohet jo për amoralitetin total, por për synimet që mund të gjurmohen pas tyre. 

Fatmir Xhafa, deri më dje një nga “xhaketat e vjetra” të PS-së, pjesë e lojës së zakonshme politike, befas u shndërrua në njeriun kyç të stabilitetit të Shqipërisë. Me një mijë të zeza, gati në një linjë me Kadri Hazbiun, Xhafa po pikturohet si profili së keqes. Kreu i PD-së, Lulzim Basha e çoi në ekstrem artikulimin kur deklaroi se Xhafa emërohet ministër i Brendshëm, vetëm nëse kalon trupat e protestuesve opozitarë. Është një qëndrim që nuk përligjet nga asnjë gjë, përpos intereresit politik. Pa dashur, Basha ka zbuluar se qeveria teknike që ai kërkon është teknikisht kontrolli i Ministrisë së Brendshme, e cila është garancia e rendit publik në zgjedhje, me rëndësi të shtuar për shkak të penetrimit të kriminelëve në politikë. 

Xhafa po sulmohet jo për CV-në, por përmes elementëve të CV-së si një zgjedhje e Edi Ramës në këtë detyrë. Dhe po sulmohet edhe nga LSI-ja e cila deri më dje nuk shprehej hapur për këtë dikaster apo titullarin e përfolur të saj, Sajmir Tahiri. Duke shfrytëzuar një raport të DASH për drogën, partia e Ilir Metës ka dalë sot në një qëndrim të hapët kundër Ministrisë së Brendshme, përmes një kadeti të përhershëm për postin e ministrit të Brendshëm, siç është Luan Rama. Ky i fundit ka folur për nevojën e një angazhimi më të madh, ka kërkuar angzhzim dhe ka lënë të kuptohet se nuk është bërë një punë e mirë në këtë drejtim. Lind pyetja: pse duhet të sulmohet tani Sajmir Tahiri që ka ikur nga detyra? Dhe tjetra: çfarë fitoi në fakt LSI-ja me ikjen e Tahirit? 

Për pyetjen e parë mund të përgjigjesh nëse merr në konsideratë se lëvizja e Tahirit në fakt ka eliminuar një kartë të opozitës dhe tërthorazi të LSI-së për të atakuar procesin zgjedhor nesër. Implikimi i ish-ministrit legjitimon çdo akuzë, ndaj heqja e tij, e çastit, ose jo, në pamje të parë ka ndihmuar më shumë kryeministrin. Duke pranuar këtë është e natyrshme të mendohet se LSI-ja po sulmon “me drogën” Ministrinë e Brendshme, ndërkohë që PD-ja po sulmon me drogën dhe të kaluarën, emrin e ministrit të ri. Në fakt të dyja sulmet pajtohen në synimin e qartë tanimë se Ministria e Brendshme nuk mund të jetë më nën drejtimin e PS-së. Ilir Meta shtyn në këtë drejtim opozitën e kapur dëshpërimisht në çadrën e protestës, por nuk mund të neglizhohet këtu edhe frika e tij për bilancin e tij qeverisës.

Qenia e Metës në krye të Kuvendit të Shqipërisë provoi se identiteti i LSI-së është vetëm një person: kryetari. Ministrat e saj nuk mbahen mend për ndonjë gjë. Në dy raste u veprua me urdhër direkt nga kryetari: në rastin e miellit nga Kosova, ministri i Bujqësisë ndryshoi versionet si pa të keq dhe në rastni e dytë, aksidentin tragjik të Kavajës, drejtori i Rrugëve në Ministrinë e Transporteve u mbrojt me të gjitha mjetet deri në fund. Cili është bilanci i LSI-së në qeverisje? Nismat, korigjimet apo edhe propozimet? Thuajse asgjë. Në skenën politike spikat vetëm roli i Metës në negociimin e reformës në drejtësi kur ai arriti deri sa përmendi fjalën burg dhe në disa momente të politikës së Jashtme. 

Natyrisht PS-ja mban faturën e kanabizimit, të konçesioneve, të korrupsionit dhe keqmenaxhimit, të kriminalizimit. Por për aq sa propaganda e shtebërjes ngjit, ajo i faturohet sërish PS-së si meritë. Përgjegjësitë e socialistëve janë të tilla saqë do të kishin mjaftuar që një parti si LSI-ja, “jo-oportuniste” siç thotë Meta, të kishte marrë qëndrime. Të ishte shkëputur. Nuk e bëri këtë. Thjesht bëri pazarin e radhës me instrumente shantazhi. 

Ky term e përshkruan më mirë se çdo gjë këtë koalicion. Dhe është po ky term, i kultivuar si kulturë sjelljeje dhe vendimesh, që në fakt po çon në luftën për Ministrinë e Brendshme, për të cilën “Luan Rama po lëpin buzët”, nëse do të përdornim një frazë disi letrare. Të gjitha lëvizjet, bashkë me ulërimat e Bashës, janë farat e organizimit të një krize që u intereson disave, në emër të ruajtjes së mjeteve për të justifikuar gjithçka nesër, e çka po duket, për të imponuar si variant minimal, largimin e Edi Ramës nga detyra e kryeministrit. 

Comments

Submitted by lom deliu (not verified) on

Nga pikpamja e LIgjit te Lustracionit nje HETUES I DIktatures nuk mund te punoj ne shtetin Demokratik;
jo me te ndryshoj Kushtetuten, te reformoj drejtesine dhe te behet Minister I Brendshem
turp per neoenveristet e Ed Ramës

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.