Një ndjesë e pavend për gjyqësorin që anashkalon ndjesën për (keq)qeverisjen

Postuar në 08 Mars, 2017 10:39

Kryeministri Edi Rama ka qenë dje në Korçë me rastin e 130 vjetorit të Mësonjtores së parë shqipe. Ai ka folur për reformën në arsim, proces që e ka spërkatur me ndonjë të dhënë historike për të dalë në finale te çështja e gjyqësorit, që po trajtohet si hurdhra e një Shqipërie të rilindur. Tha ndër të tjera kryeministri:

Sot, nëse kthejmë kokën pas e kujtohemi për Sabri Qytezën, si një nga krijesat e lavdishme të Mësonjëtores dhe për gjykatat e shëmtimit, si një prani shumë penguese e shqiptarëve të asaj kohe, na duket vetja sikur jemi në atë kohë, teksa kemi përpara gjithë shëmtinë e sistemit gjyqësor, gjithë gjykatat e shëmtimit, të cilat duhet t’ia lënë vendin, me patjetër, një autoriteti të rilindur të drejtësisë, ku të mos ushtrohet pushteti i drejtësisë sipas kërbaçit dhe haraçit dhe ku drejtësia të jetë mishërimi i barazisë përpara ligjit, për këdo. Patjetër që është një sfidë, jo vetëm e domosdoshme, por dhe e mundur! Është sfida e fëmijëve tanë, të cilën duhet ta fitojmë ne për ta, sot…Ndjesë, në emër të qeverisë dhe të kujtdo që na ka votuar, të gjithë themeluesve të Mësonjëtores, të gjithë atyre që sakrifikuan deri dhe jetën për një Shqipëri ku drejtësinë ta bënin të drejtët e ta vendoste e drejta, për Shqipërinë e sotme të gjykatave të shëmtisë!”

Kjo është një ndjesë e pavend, por edhe problematike në të njëjtën kohë. E pavend sepse kryeministri aktual nuk ka mund të akuzohet se ka ndonjë kontribut në krijimin e kësaj gjendjeje në pushtetin gjyqësor. Ai është bashkëautor i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, por të cilat nuk prekën gjyqësorin.

Problematike, pasi kryeministri përfaqëson pushtetin ekzekutiv. Ai është votuar të qeverisë vendin, të zbatojë politikat që ka premtuar – nëse mundet – dhe mandej si mazhorancë e përbërë të ndjekë edhe kursin e reformave, mes të cilave edhe reforma në drejtësi. Ku qëndron atëherë themeli i kësaj ndjese, nëse ajo nuk tradhëton dëshirën për të qenë një kryeministër që jep urdhëra ekzekutivë, që de facto emëron gjyqtarë dhe ristrukturon akuzën penale përmes institucionesh të reja? Pa dashur Rama ka pohuar akuzën që PD-ja i ka bërë së fundmi se kërkon të kapë drejtësinë dhe termi “drejtësi e rilindur” është një nonsens i vërtetë, sa kohë që rendi juridik mbetet i njëjti, kodet dhe parimet po ato dhe në fakt ndryshojnë vetëm njerëzit. Situata hierarkike brenda gjyqësorit ndryshon ndjeshëm me kushtetutën e re apo me ligjet plotësuese të saj, por ky ndryshim nuk është sistemik. Ai nuk ndryshon paradigmat, thjesht prek korporatizmin, duke infiltruar një lob të ri. Koha do të provojë se loja që bëhet aktualisht me sistemin e drejtësisë është asgjë më tepër sesa një lobim për të riprojektuar sipas raporteve të skenës politiko- ekonomike situatën vendimmarrëse në pushtetin gjyqësor.

Na vjen në ndihmë për ta rrokur mirë këtë situatë Italia fqinje. Silvio Berlusconi, ish-kryeministri i vendit fqinj, nisi në një kohë të fliste për “gjykatës të së majtës” që po e sulmonin pa pushim. Po të ecim më pas në kohë, termi “gjykatës të së majtës” na çon në procesin e “Mani Pulite” kur vërtet si kokë turku u bë socialisti Betino Kraksi, por në fakt, procesi i dha fund me një diskreditim të pashembullt monopolit të kristiandemokracisë. Cossiga doli në pension, Andreotti u spostua dhe për të djathtën doli në skenë si alternativë Berlusconi. Operacioni politik ndaj tij u realizua me një farë suksesi nga dy drejtime: Media dhe Gjyqësori. Këtu nuk është çështja që të amnistohet ish-kryeministri nga përgjegjësitë e veta, por sulmi frontal ndaj tij u transformua në indulgjencë për “të korruptuarit e mirë” të krahut tjetër.

Ç’do të thotë pra drejtësi e rilindur? Në demokraci ka vetëm drejtësi ta pavarur, diçka që nuk rezonon mirë me sjelljen dhe retorikën e kryeministrit shqiptar. Për një rastësi, vetëm dje, Gjykata Kushtetuese dha një vendim që mund të komentohej nga kreu i qeverisë, që flet për gjykatës kriminelë. Aldo Bare u çlirua nga vendimi i Gjykatës së Lartë që e dënonte me burgim të përjetshëm. A mund të themi se “kryeministri shkëlqeu me mungesën e tij” përderisa nuk u kërkoi edhe njëherë ndjesë shqiptarëve për këtë vendim?

Pse vallë kjo sjellje me dy standarde? Kujt i shërbejnë këto teza populiste? Sigurisht, vetëm drejtësisë jo. Një kryeministër nuk ndërhyn dot në diskrecionin e gjykatave, para të cilave e shumta është palë në një proces. Një kryeministër ka atribute të tjera politike që lidhen me ligjet dhe vendimmarrjen, por mu aty ka mbaruar edhe roli i tij. Kjo është një sjellje që paralajmëron rreziqe të reja për vendin.

Dikur, Sali Berisha sulmonte Prokurorin e Përgjithshëm, Theodhori Sollakun, të cilin e ka patur këshilltar, se ai “flinte mbi dosje”. Por Sollaku përfaqësonte AKUZËN e SHTETIT, atë që ngushton sferën e veprimit të “gjykatësve kriminelë”. Dhe në finale ai u largua pas një “hetimi parlamentar” dhe një dekreti presidencial të Bamir Topit, që pagoi kështu interesin për zgjedhjen e tij si president. Pra edhe duke e krahasuar me shembullin më të keq, kjo sjellje e sotme stonon. Dhe stonon sepse kyeministrit aktual duket se i rri ngushtë ideja se ka diku hallka pushteti që nuk i kontrollon.

Nuk kemi pse spekullojmë dhe ta asociojmë këtë me prirjen autoritariste të tij. Jo. Më mirë shpjegimin e gjejmë te heshtja e tij dhe mungesa e ndjesës për “korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes”, siç thotë raporti i DASH, për drejtoreshat 20-vjeçare që vendosi në sektorë kyç, për kanabizimin, për paaftësinë për të kapur një njeri të shumëkërkuar dhe për personalizimin e qeverisjes dhe politikave. Për mosdhënien llogari, mungesën e transparencës dhe çarjet e mëdha në vendimmarrje. Çështje që nuk marrin përgjigje te rikonfirmimi me votë që ka shumë arsye.

Këto sot janë çështje të pushtetit, por nesër mund të jenë materie për hetime. Ndaj, përtej të gjitha përgjegjësive të gjyqësorit, fajeve dhe kapjes së tij, operacioni aktual politik, nuk është (edhe aq)qëllimmirë. Ose të paktën veprimet politike që e ligjërojnë atë, nuk përputhen me parimet e sistemit. Dhe kjo nuk është shenjë e mirë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.