Rikthimi i “militarizmit” serb

Postuar në 04 Mars, 2017 15:34

A rrezikohet që Ballkani të përfshihet sërish në një konflikt ushtarak? Asgjë nuk përjashtohet, por të paktën nisur nga ajo që ndodhi në vitet ’90, lufta e ardhshme, me gjasë do të jetë luftë e të tjerëve në Ballkan. Para disa javësh bëri lajm deklarata e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, i cili në raportimin para Senatit deklaroi se angazhimi i SHBA-së në Kosovë do të reduktohet nëse FSK-ja kthehet në ushtri. Në thelb kjo do të thotë se SHBA ruan pozicionimin e vet. Po kështu, ngjarjet në Maqedoni, rikthimi i klimës së tensioneve, si dhe problemet në Turqi, konflikti turko – grek, e mbyllin Ballkanin në një zgavër tensionesh, prej nga ky sugjerimi i parë për rrugëdalje, është dialogu dhe procesi demokratik.

Në vend të parë të retorikës së fortë, po ridel Serbia dhe kjo ka rëndësinë e vet. Ky vend ka disa kohë që qëndron në mes të një “dileme” gjeopolitike, mes Perëndimit dhe Rusisë, duke luajtur taktikisht me një pozicion që do të duhet të jetë strategjik. Serbia ka një traditë në këtë drejtim që lidhet me Vendet e Paangazhuara të iniciuara nga Tito, por ruajtja e “neutralitetit”, siç prentdon sot Beogradi zyrtar, ose bëhet përmes garantimit ndërkombëtar, Zvicra p.sh, ose duke qenë në gjendje të luash i pavarur. Dhe Tito luajti në këtë drejtim falë një ekuilibri të pranua mes dy blloqeve, por edhe duke u shndërruar në superfuqi ushtarake të rajonit. Në këtë drejtim po përpiqet edhe Serbia, e “mikut Aleksandër”, e cila prej disa kohësh ka nisur një politikë të PR të forcës së vet ushtarake. Aleksandër Vuçiç, i cili duket se do të kandidojë për President së afërmi, është prononcuar disa herë për armatosjen e Serbisë, duke nënkuptuar se “ne do të bëjmë gjithçka për mbrojtjen”. Ai është kujdesur të shtojë se “armatimi ynë është difensiv”, duke spekulluar kështu se Serbia po kërkon thjesht të afirmojë sovranitetin e vet. Më tej akoma, Beogradi nuk ka bërë asnjë hap për lidhjen me NATO-n, ndërkohë që zëra të ndryshëm e implikuan me ngjarjet elektorale në Mal të Zi.

Nuk janë kaq të pafajshme edhe qëndrimet e ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiç, kur deklaroi se Serbia ka bërë gabim që ka njohur Maqedoninë me emrin e vet dhe jo si FYROM. Në kushtet kur krahu konservator në Shkup ndodhet në tërheqjes, roli i Serbisë mund të jetë deçiziv. Ky rol aktiv i Serbisë shkon dora dorës me fuqizimin ushtarak të saj dhe çka është më e rëndësishme me publicitetin e forcës ushtarake. Në një prononcim për “Sputnik Serbia”, një ekspert ushtarak, bashkëpunëtor i gazetës “Politika” në Beograd, Miroslav Lazanski, deklaron se Serbia ka nisur prodhimin e një rakete me rreze maksimale 300 km, e cila sipas tij, nëse do të disponohej në vitin 1999 do t’i mundësonte vendit raprezalje mbi qytetet kryesore në Ballkan. Sipas tij, raketa “Sumadija”, është projektuar dhe prodhuar në Serbi dhe vendos diferencë të madhe në kapacitetet mbrojtëse duke e kthyer vendin në prodhuesin numër një të armëve në Europën Juglindore.

Kjo është pikërisht ajo çfarë Serbia kishte nevojë për të parandaluar pjesëmarrjen e fqinjëve tanë në agresionin e vitit 1999...Shpresojmë që një konflikt i tillë të mos ndodhë më, por nëse dikush është aq i çmendur saqë të vendosë hapësirën e tij ajrore në dispozicion të një vendi të tretë që synon të sulmojë Serbinë(siç bëri Bullgaria në vitin 1999), ne tani kemi një raketë që godet të gjitha qytetet strategjike në rajon”, tha Lazanski.

https://sputniknews.com/military/201703041051263518-serbia-missile-nato/

Këto kapacitete të shtuara ndikojnë në doktrinë e mbrojtjes së Serbisë duke futur një koncept elemnentar edhe të luftës preventive. Nuk ka sesi kjo të mos prekë edhe Politikën e Jashtme të këtij vendi  që në çdo rast nuk lë pa prekur temën e një sulmi ushtarak, të neutralitetit dhe të marrëdhënieve të posaçme me Rusinë.

Në këto rrethana mesazhet që i vijnë qytetarëve shqiptarë për miqësi dhe epokë të re në marrëdhëniet me Serbinë, tingëllojnë disi voluntariste, e pse jo edhe kaotike, kur sheh në plan të brendshëm ato konvertohen në deklarata nacionaliste. Duke patur parasysh se edhe SHBA tani po bën të qartë se për mbrojtjen dhe sigurinë anëtarët e NATO-s duhet të angazhohen më shumë, ndoshta është e udhës që bashkim vëllazërimi t’i lërë vendin realizmit dhe politikave me përmbajtje. Jemi dy vende dhe dy popuj që konsumojmë prej një shekulli të njëjtën histori, por me narrativa të kundërta. Përditë e më shumë bëhet e qartë se investimi perëndimor në Ballkan për shqiptarët duhet mbrojtur së pari nga këta, duke mos konsideruar më me aq siguri se “Kosova është realitet i patjetërsueshëm”.  Më pak show dhe kapardisje dhe më tepër seriozitet ndoshta do të ishin të dobishme, tani që duket se as miqtë nuk na e kanë edhe aq shumë ngenë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.