Opera me dy akte dhe arsyet pse Edi Rama bërtet Vettingu Vettingu..

Postuar në 28 Shkurt, 2017 11:20

Gjysma e qeverisë është kapur pas Vetting-ut dhe në veçanti dy ministra, kryeministri dhe kryetari i bashkisë së Tiranës janë katër komisarët e retorikës të amplifikuar për barazi e drejtësi sidomos pas presionit që ka provokuar protesta e opozitës.  Përpos disa shifrave dhe inagurimeve që janë lënë për në qershor, kryeministri ka gjetur flamurin e radhës për t'i rokanisur kokën publikut se është Vettingu që e ka penguar të ketë rezultate në qeverisje. 

Me pak fjalë fabula qe na servir është e thjeshtë, ai, Sajmir Tahiri, Arben Ahmetaj dhe Erion Veliaj janë Pro dhe krahu përballë është kundër kësaj mrekullie që do të shpëtojë Shqipërinë. Duhet pranuar se kjo lloj propagande ka gjetur sukses tek telespektatorët që i janë bashkuar një nisme për firmosjen e një peticioni pro Vettingut. 
I pakuptimtë dhe bolshevik në sojin e vet, ky lloj solidariteti merr kutpim në një parti si ajo që ka trashëguar Edi Rama, ku çfarë thotë nëna parti bëjnë bijtë e saj. Reforma ka kaluar në parlament me 140 vota dhe u duatrokit me ngazëllim nga kryeministri, kështu që firmat dhe peticionet kuptohet pse fabrikohen nga Partia Socialiste, e cila ka dhënë "carta bianca" që ky proces të menaxhohet nga të huajt. 
Pra që trupa e vëzhguesve të huaj, e përbërë nga amerikanë dhe europianë, të merret me përgatitjen e procesit të Vettingut, i cili konsiston në skanimin e njerëzve të drejtësisë në tre drejtime kontrollin e figurës, verifikimin e pasurisë dhe të profesionalizmit. 
Në fazën e parë trupa do të ketë rol vetëm rekomandues, ndërsa rolin e vëzhguesit në një fazë të dytë do ta bëjnë ambasadorët Lu e Vllahutin, të parashikuar për të qenë pjesë e Bordit të Menaxhimit. Duhet thënë se rolin rekomandues të ONM-së e kanë pranuar të gjithë, duke e sanksionuar madje dhe në Kushtetutë, çka nuk është kriter për rreshtimin pro ose kundër perëndimit, siç kërkon ta shesë Taulant Balla. 
Paradoksi është se të talentuarit e Partisë Socialiste nuk po na sqarojë për qëndrimin që po mban gjysma tjetër e qeverisë lidhur me Vettingun dhe çështjet e reformës. A është LSI pro apo kundër Vettingut? A futen dhe këta tek ata që nuk e duan reformën në drejtësi? A po përpiqet Ilir Meta dhe Petrit Vasili ta pengojnë funksionimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në formën aktuale të tij? Apo ministrat e LSI janë korrektorët teknikë të reformës dhe Edi Rama me të vetët janë zëdhënësit politikë?

Le të zhvishemi nga retorika politike dhe shohim argumentat që sjell ministri i Edi Ramës për rolin e ONM-së dhe kushtetueshmërinë e Bordit të këtij Operacioni, pjesë e të cilit do të jenë edhe ambasadorët Vllahutin e Donald Lu. 
Petrit Vasili përmes dy letrave drejtuar drejtuar Brukselit thotë se  “Kushtetuta flet qarte per ONM-ne, por nuk ka asnjë percaktim per Bordin e saj, i cili ne te gjitha komentet, perfshire dhe komentet qe vijne nga Bashkimi Europian, nenkuptohet apo konceptohet si i mireqene. Ky eshte nje qendrim i pabazuar ne Kushtetute e ligj, pasi institucioneve te papercaktuara me ligj, nuk mund fu jepen detyra dhe pergjegjesi, perdryshe veprimtaria e tyre do te ishte e atakueshme juridikisht, e diskutueshme dhe ne kete menyre do te demtonte edhe kredibilitetin publik te reformes ne drejtesi." Vasili thotë se "ka vetëm një marrëveshje Administrative per Bashkepunim lidhur midis Bashkimit Europian dhe Shteteve te Bashkuara te Amerikes per te vene ne dispozicion ekspertet, qe do te luanin rolin e vezhguesit ne perputhje me detyrat qe Kushtetuta detyron, si dhe referohet projekti perkates IPA, qe do te mbuloje fmancimin e procesit te rivleresimit".

Me pak fjalë qeveria në të cilën bën pjesë ministri Vasili  e quan antikushtetues ngritjen e një Bordi ku do të jenë të pranishëm dhe ambadasorë të huaj që do të çertifikojnë Vettingun. 
E gjithë kjo zhurmë ndodh kur qeveria dhe Edi Rama duhet të japin përgjigje për dekriminalizimin, një lloj Vettingu që për funksionarët publikë, të cilin duhet thënë se e imponoi opozita. Një tjetër proces që për nga efektet që po prodhon kompromenton më shumë mazhorancën dhe në veçanti kryeministrin. Nga forca që ai drejton janë të paktën 2 deputetë dhe disa kryetarë bashkish me precedentë kriminale. 

Këtë proces, pra të skanimit të njerëzve të saj, mazhoranca politike ia ka besuar këtyre gjykatave që kemi dhe nuk është distancuar për asnjë moment për të kërkuar ekspertizë ndërkombëtare. Pse ky standard kur bëhet fjalë për pastrimin e politikës? Nuk presim që qeveria të japë shpjegime sepse në kohën që i duhet ulëritur për kriminalizimin e parlamentit Edi Rama bërtet Vettingu - Vettingu...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.