Për thirrjen për dhunë në protesta dhe stigmat reale të kundërshtimit të saj

Postuar në 27 Shkurt, 2017 08:51

Lulzim Basha bëri së fundmi thirrje për atë që ai e quante luftë, por që në fakt ishte thirrje për përballje fizike me pushtetin aktual. Janë dy gjëra të ndryshme që nuk duhen ngatërruar. Pasi luftë është koncept që implikon shterimin final të çdo komunikimi për të kaluar në likujdimin e kundërshtarit që është bërë armik. Diçka për të cilën sidomos Basha nuk gjen dot ushtarë nga pas te ata njerëz që nuk janë militantë. Por kur një krah politik apelon për goditje fizike, agresion ndaj përfaqësuesve të pushtetit, ndaj posedimeve të tyre skandaloze, siç i ka quajtur p.sh vilat një ambasador, atëherë këtu jemi në kushtet kur pakënaqësia kapitalizohet në një drejtim që nuk përbën subversion.

Protesta e PD-së, në të gjithë manifestimin e saj, është një akt demokratik i një mekanizmi demokratik. Ajo na provon të gjithëve, pavarësisht mesazheve të ndonjë pushtetari, se sheshi është në fakt hapësirë politike që dominohet nga njerëz të angazhuar politikisht. Në këtë pikëpamje sulmet e sazexhinjve mediatikë ndaj protestës bashkë me autokritikën e Pandeli Majkos, thjesht sa vërtetojnë se protesta ka dy rezultate të prekshme: ajo ka destabilizuar qetësinë e një pushteti që vjedh duke zbuluar se me zgjedhjet pazari është “rotacion i kryeministrit”. Pazar i cili vlen edhe si objektiv pjesor duke parë se çfarë po bën ky pushtet dhe ky klan.

Dhe së dyti ajo ka destabilizuar koalicionin sa kohë që i vetmi veprim i dukshëm nervoz i kryeministrit pas nisjes së protetës ishte takimi me përfaqësues të PDIU-së dhe me aleatin Meta.

Edhe njëherë këto dy veprime reflektive dhe pa sens përgjegjësie na thonë se kryeministri po refuzon zgjidhjen politike të një akti politik të opozitës për t’u kujdesur për numrat.

Në këto kushte kur Fjala ka pushuar së qeni përçuese e mesazhit politik nga një palë që është bashkëpërgjegjëse për vendimmarrjen, atëherë kalimi në veprime është i legjitimuar. Dikush mund të thotë që qeveria dhe institucionet janë legjitime: ashtu është. Por edhe kundërshtimi ndaj tyre është një e drejtë edhe më e madhe. Askush nuk votoi për këtë Shqipëri para katër vjetësh, sepse askund nuk pati ndonjë premtim për kanabizimin, për kërcimin në Parlament të kriminelëve të certifikuar dhe askush nuk është dakord për miliarderët që po mbijnë sa hap e mbyll sytë me para të djersës së ballit.

Një tjetër mund që mendojë se aderimi në një krah është në fakt kulturë dhe epërsi qytetërimore e mund të thotë se duhen pritur zgjedhjet. Po, por protesta po bëhet për zgjedhjet, për garancinë e tyre. Për të cilat nuk ka garanci. E mbani mend opozitën kur thoshte s’ka zgjedhje me Saliun?

Dhe këtu vijmë te nevoja e rindërtimit të marrëdhënieve të njërës palë dhe tjetrës me zgjedhjet.

PD-ja e Berishës akuzohet për zgjedhjet e vitit 1996, duke pranuar sërish faktin se ajo fitonte, por jo aq thellë. PS-ja shpiku Dushkun, fitoi në vitin 1997 me armë dhe në një klimë terrori, humbi në 2005-ën për shkak të përçarjes. Në vitin 2009 pretendimi për zgjedhjet i PS-së u refuzua edhe nga aleati i sotshëm i saj, ndërkohë që viti 2011 vuri në veprim një mekanizëm korrigjues – fletët e kontestuara- i cili kapi në befasi edhe jursitët shumë të mirë të tipit Gjiknuri. E që mandej me iniciativë të PS-së u adoptua si mekanizëm në kod.

Ku qëndron atëherë diferenca mes njërës palë dhe tjetrës në raportin me zgjedhjet? Askund, përveçse në atë se PD-ja pavarësisht percpetimit të kultivuar nga media si një parti të pagdhendurish, ka një raport më pozitiv me to në bilancin demokratik sesa PS-ja, në mos të barabartë. Le të kujtojmë këtu se në vitin 2003 edhe z. Ngjela, sot shqytar i kryeministrit e akuzonte këtë të fundit për vjedhje votash!!!

Ajo ndarje që qëndron pas kësaj klime që synon të deligjimitojë çdo lëvizje të saj, në fakt është ndarje krahinore. Ajo lidhet me emrin e Sali Berishës – malokut dhe malokëve të tij të ’90-ës -  siç edhe përflitet rëndom në çdo bisedë të “majtësh”. Nuk ka sekret për këtë.

Një pjesë e madhe njerëzish i shkojnë nga pas kësaj ideje, kësaj stigme, duke ngritur pikëpyetje mbi kulturën politike në këtë vend. Se një pyetje kërkon përgjigje: çfarë kulture dhe civilizimi është ky kur një pjesë e popullsisë voton verbërisht njërin krah? I cili amnistohet për krimet e 50 viteve, ndërkohë që krahu tjetër ndëshkohet për gabimet e 5 vjetëve? Ku bën pjesë kjo inerci iracionale? Askund tjetër veçse në kukturën e sektit dhe në pjesëmarrjen si instrument përfitimi e jo kontributi.

Nuk ka aty as ide, as mendim, as analizë. Ka vetëm apel emocional dhe provokim instinktesh ndaj malokut, nga disa parvenu që sot shesin dishendencën nga një fisnikëri katundarësh me dyfek në krah, si hipotekë intelektualizmi dhe patriotizmi. Çka në fakt na thotë se nuk kanë ata asnjë diferencë reale me ‘malokun’ që kaq shumë e përflasin e të cilin do nuk do ta kishin bërë lanet nëse do të ishte në parti me ta.

Kjo situatë që ka ngjizur një keqkuptim kaq të madh na çon te nevoja për rishikimin e historisë së afërt, për një adoptim më të drejtë të saj, pasi kështu do të kultivohej më mirë qëndrimi moral. Kështu kjo kastë skuthash nuk do të kishte mundësi të krenohej se mundi ballistët, as me ndonjë kurs dhe diplomë që nuk pi ujë gjëkundi, por do të kishte ulur kokën. E këtu fajin po që e ka Saliu.

Nuk ka në krahun e PD-së asnjë defiçencë reale morale. Pavarësisht brrockollitjes së “intelektualëve”.

Sa për atë dhunën në protestë: është e qartë se ajo është energjia e munguar e saj. Mjafton që ajo të drejtohet ndaj simboleve të arogancës së këtij pushteti dhe mesazhi është qartësisht i lexueshëm.Të tjerat janë hallet e filxhanit socialist që nuk po lexohet mirë këto kohë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.