Ndryshim kursi me Greqinë apo parodia elektorale e radhës?

Postuar në 27 Shkurt, 2017 12:07

Në fundjavë kryeministri zbriti në jug të vendit për të marrë pjesë edhe në një Forum për Minoritetet, organizuar nga partia MEGA, e cila me ndihmën e Partisë Socialiste dhe Koço Kokëdhimës në veçanti fitoi bashkinë minoritare të Finiqit në zgjedhjet lokale të 2013. Një fitore politike jo vetëm për drejtuesit e saj, por edhe përballë hegjemonisë së PBDNJ-së Vangjel Dules, që ka mbajtur për shumë vite monopolin e përfaqësimit të grekëve apo pakicave të tjera në Parlamentin e Shqipërisë. 

Forumi në fjalë diskutoi për Ligjin e Ri për Minoritetet që po përgatit qeveria dhe këtë tribunë kryeministri e shfrytëzoi për të dhënë disa mesazhe si brenda vendit ashtu edhe jashtë.  E para u tha minoritarëve të bëjnë dallimin mes PBDNJ-së dhe Partisë MEGA që sipas tij, po tregon një qasje europiane për çështje të minoritetit. "Ky është edhe misioni i një partie politike që përfaqëson minoritetin, të bëjë çmos që të ndërtojë një urë sa më të fortë me qeverinë, për të bërë sa më shumë për njerëzit dhe për komunitetin dhe jo të bëhet zëdhënëse politikash “të mëdha”, që në fund të ditës krijojnë vetëm keqkuptime të mëdha"- theksoi kryeministri. Por argumenti se Dule është tashmë njeriu i Saliut, nuk qëndron për aq kohë sa MEEGA në zgjedhjet e vitit 2013 ishte në koalicion paraelektoral me Saliun. 

Me Saliun ishte në qeveri edhe LSI apo edhe më keq disa ministra që nga qeveria e Saliut kaluan në qeverinë e Rilindjes. Ndaj dhe kryeministri nuk duket se është shumë në merak për qasjen e vetë minoritarëve ndaj minoritetit sesa për llogaritë elektorale të Partisë së tij që tashmë ka kundër Vangjel Dulen. Edi Rama tha po ashtu se mes tij dhe Athinës zyrtare ka një keqkuptim të madh që ka ardhur nga ndërlidhësit e kësaj marrëdhënie dhe se ka një konspiracion që kërkon të  fusë në armiqësi atë dhe Geqinë. 
"Shumëkush apo pakkush,  -në fakt s’janë shumë, por bëjnë shumë zhurmë dhe duket sikur janë shumë, - kërkon të fusë zjarrin mes nesh dhe përpiqet të shpërdorojë sa të mundet shpirtrat e trazuar të njerëzve të zakonshëm, duke i fryrë armiqësisë dhe duke përdorur qëndrimet e mia për çështjen çame, si argumentin madhor, pse ky është armiku i grekëve. Unë nuk jam grek dhe nuk jam as antigrek. Unë jam shqiptar. Nuk ka asnjë përpjekje, përveçse nuk ka asnjë qëllim për të nxitur asgjë tjetër, përveç mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Greqinë fqinje dhe patjetër me minoritetin, që për mua është shumë më i afërt se vetë Greqia"-deklaroi Rama në Sarandë. 

Në fakt e pakuptimtë pse kryeministri në raport me Greqinë ka vepruar me ndërlidhës siç thotë ai dhe në katër vitet e para të qeverisë nuk ka bërë asnjë vizitë zyrtare ne Greqi. Ndonëse nuk ishte vendi, kryeministri nuk ripërsëriti pengjet që ai ka në raport me Greqinë dhe çështje të natyrës kombëtare, por u shfaq i predispozuar për të forcuar urat e bashkëpunimit. 
Por jo të gjithë i besojnë metamorfozës së kryeministrit nisur nga qëndrimet e tij në të shkuarën e afërt për Greqinë. Edi Rama u bojkotua të shtunën nga OMONIA, organizata e minoritetit etnik grek që si të thuash bashkon interesat e minoritetit përtej dallimeve politike. 
Kreu i saj Leonidha Papa shpjegoi arsyet e këtij BOJKOTI në një publikim të gjatë ku thotë se gjendja e shkollave në minoritet apo dhe çështje të tjera provojnë se kreu i qeverisë në praktikë ka mbetur vetëm në nivelin e retorikës. Deklaratat e Edi Ramës në Sarandë janë komentuar edhe në shtypin grek ku sërish ngrihet dyshimet nëse kemi të bëjmë me vullnet për të zgjidhur çështjet apo me një fasadë elektorale të kryeministrit shqiptar. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.