Frika e kryeministrit – fitorja e parë e protestës

Postuar në 20 Shkurt, 2017 15:57

Opozita kërkon gjëra që nuk varen nga ne”. Kështu raportohet nga mediat të jetë shprehur kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së ku siç thuhet ka dhënë porosinë që “të mos merren me protestën e tyre”.

Po kështu kryeministri ka shtuar se për votimin elektronik duhet miratimi I OSBE-ODIHR-it, gjethja e fikut pas të cili fshihet ai që nga koha e reformës në drejtësi. Asgjë nga këto që thotë kryeministri nuk është e vërtetë dhe sa më shumë i shmanget ai protestës, aq më shumë oopozita duhet të kuptojë se ka arritur fitoren e parë: e ka trembur kreun e qeverisë edhe kështu një person politik që jeton nën dyshime dhe frikë permanente.

Opozita po kërkon garanci për zgjedhjet përmes qeverisë teknike. Këtë në dorë e kanë dy aktorë: protesta masive që rrëzon qeverinë dhe qeveria vetë që sugjeron zgjidhje politike.

Së dyti, shmangia e vëmendjes ndaj protestës është humbje kohe dhe taktikë pa kokë, pasi protest aka hyrë në ditën e tretë dhe ajo ka nisur të komplikojë punën e qeverisë. Sazexhinjtë mediatikë të qeverisë mund të thonë çdo gjë, por çjerrja e tyre nuk mund të jetë mbi zërin e mijëra njerëzve që janë në shesh e po qëndrojnë aty.

Kryeministri po kërkon të përhapë tezën se po kërkohet pushtet në tavolinë. Kjo nuk është formalisht e vërtetë, pasi po kërkohet vetëm largimi I tij, si mbrojtës dhe promovues i krimit në Parlament. Kjo nuk është spekullative, tashmë kemi ceritifikimin e KQZ-së dhe veprimet e prokurorisë.

Kryeministri ka frikë dhe këtë e tregoi edhe me takimin që mbajti në Rogner me deputetin Rakipi, një ditë pasi protesta kishte filluar. Ai po kërkon të sigurojë numrat ndërkohë që në diskutim po vihet integriteti i zgjedhjeve. Në të vërtetë, në pamje të parë, PD-ja ja ka bërë shumë të lehtë Edi Ramës kalimin e situatës: nëse ai largohet, i përgjigjet një kërkese të opozitës e cila ka nisur një proces që s’mund të ketë kthim. Ai mund të imponojë garanci elektorale dhe të provohet në zgjedhje me një qeveri ku do të jetë njerëz të tij. Nëse fiton siç ka deklaruar se i thonë sondazhet ai do të godasë në zemër të gjithë aksionin opozitar, duke çmobilizuar energjitë e një shprese që është ngjizur vetëm nga arroganca dhe korrupsioni i qeverisë që ai drejton.

Edi Rama ka me vete polin pozitiv të reformës në drejtësi e cila është tregëtuar sikur miratohet vetëm nga PS-ja e në këtë drejtim ka përkrah edhe shpresën e njerëzve që e duan reformën. Por njësoj siç ka bërë në çdo rast, ai nuk preferon të marrë rreziqe që nuk është në gjendje t’i llogarisë. Por edhe për llogaritë ai nuk ka shkëlqyer. Ndryshimet e kushtetutës dhe sistemi zgjedhor spanjoll që imponoi u ideuan për të dhuruar fitore të lehtë për të. Në të dyja rastet humbi dhe humbi edhe në planin psikologjik kur u detyrua të lypte koalicion me Ilir Metën.

Ata që janë në protestë aty duhet të mbajnë parasysh se kanë përballë një njeri që nuk mban shumë, që do kërkojë të fshehë ankthin e tij, por kjo është tashmë e pamundur. Në çadra është ish-kryeministri Berisha që e di shumë mirë çdo të thotë që të drejtosh qeverinë me protestues të ngujuar në bulevard. Ndaj protesta që tanimë ka prodhuar terrenin e domosdoshëm për analizën e një krize komplekse, duhet të rigjejë energjinë për të dhënë goditje të reja edhe më të forta. Frika e kryeministrit është element përparësie, pasi frika çon në keqllogaritje dhe në gabime. Dhe ato nuk do të vonojnë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.