Qeveria që fshehu mesazhet e urimit për Trump: Politika e ShBA nuk ndryshon

Postuar në 18 Shkurt, 2017 11:02

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka folur dje në një intervistë për Zëri i Amerikës, për tensionet e fundit në Ballkan dhe sulmet sipas tij ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë. 
Me tonin e një lektori që kupton mbi të tjerët çështjet shumë të ndërlikuara të politikës së jashtme, Bushati e ka nisur komentin për këtë çështje me një thënie të para disa dekadave, që duket se e ka bindje: 

Për fat të keq, edhe në këtë rast, Ballkani e e vërtetoi që mund të prodhojë më shumë histori se sa mund të konsumojë. Dhe të gjithë këtë lloj diskutimi, debate, spekulimi, apo në disa raste keqinformimi e disinformimi në portale nga më të ndryshmet, do ta konsideroja si një furtunë në gotë. Sepse, duket se, që nga shembja e regjimit komunist, nuk kemi nxjerrë mësimin e duhur kur diskutojmë me administratën, kryesisht me administratën amerikane, për sa i përket disa politikave të cilat janë të pazëvendësueshme dhe nuk varen nga individë që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë ministri. 

Në fakt, po të lëmë mënjanë portalet që kanë nxitur fobi te ministrat e kësaj qeverie, edhe mediat kryesore në botë kanë nisur të flasin për një ndryshim të madh me ardhjen e Trump në ShBA. Gazeta dhe revista të njohura, nga ato që me siguri i konsulton ministri, po shkojnë deri aty sa po flasin për fundin e botës që la Lufta e Ftohtë, pa folur këtu se urdhërat ekzekutivë të presidentit amerikan kanë provokuar jo pak tronditje. 

Ministri bën atë që di të bëjë më mirë: hipokritin, kur deklaron se “mësimi numër dy, që duket që nuk e kemi nxjerrë mirë është që reforma në drejtësi, reforma në shtetin e së drejtës, e cila duhet të jetë e thellë dhe kirurgjikale, buron nga nevoja jonë si shoqëri për t’u demokratizuar, nga nevoja jonë si shoqëri për të thithur investime serioze, nga nevoja jonë si shoqëri për të ndërtuar një shoqëri ku sundon e drejta dhe jo një shoqëri ku mund të sundojë tregu”. 
Diçka që vjen ndesh me mbylljen e partisë ku bën pjesë zotëria, i cili meqë është te rasti i ShBA, bën mirë të kuptojë se një nga parimet e politikës amerikane është se struktura e brendshme e një vendi reflekton politikën e jashtme të tij. Në këtë kuadër mund të shihet personalizimi i politikës së jashtme të Shqipërisë, ku z. Bushati, pa dashur të fyejmë, është thjesht një kancelar. 

Ministri vijon me leksionin e vet kur këshillon të mos personalizohen apo të mos shihen të personalizura raportet me ShBA, pasi sipas tij “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një partner i pazëvendësueshëm, jo thjesht në Shqipëri por në Evropën Adriatike, në Evropën Juglindore dhe besojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe përmes këtij procesi të vështirë reformash, mbeten avokati kryesor i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Le të na thotë ministri atëherë se për cilën arsye ai dhe eprori i tij e mbajtën të fshehtë mesazhin e urimit për presidentin e zgjedhur të ShBA? 

Për ata që nuk e dinë, ky zotëri personalizon politikën derisa të angazhohet  për një titër, vendimmarrjen deri në hollësi për shoferët e ministrisë, me një përkujdesje maniakale për origjinat e njërit e të tjetrit, duke zbuluar në fakt se detyra që i shkon më për shtat është ajo e Organizimit në PS. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.