Opozita ex machina/ Tempus fugit Ben, barra e opozitës së shqiptareve bie mbi ty!

Postuar në 18 Shkurt, 2017 17:12
Ilir Sinanaj

Ndërsa dola nga shtëpia për të shkuar në punë, rruga më ra në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku është planifikuar protesta e 18 shkurtit 2017 e opozitës të kryesuar nga Partia Demokratike. Duhet thënë se për këtë protestë ka rreth një muaj që në media-fasonin shqiptar dëgjojmë të flitet me pasion të madh retorik, por gjithmonë ka munguar një analizë faktike në kuadrin ekonomik se përse gjërat nuk shkojnë mirë, ose më saktë shkojnë keq.

Më duhet të ikja në punë, por nga ana tjetër isha gati të mos ikja në punë për të protestuar. Kjo gatishmëri për të shprehur pakënaqësinë ndaj kësaj qeverie, edhe në dëm të ditës së punës në rastin tim, bazohet mbi hulumtime që kam bërë, sipas të cilave kam hasur në abuzime të pafundme të kësaj qeverie, që janë të faktuara jo vetëm në Shqipëri por ndërkombëtarisht. Ndërkohë, mënyra sesi i pashë të servirura përgatitjet paraprake për protestën nga media-fasoni dhe sesi shpreheshin disa politikanë të opozitës në lidhje me të, duke mos dhënë gjëra konkrete që prekin realisht përditshmërinë shqiptarëve që vuajnë, më kishte krijuar dyshime për forcën e kësaj protesta. Ndërkaq, protesta më doli nga radari përfundimisht kur, ndërsa kaloja rreth orës 9:30 të mëngjesit (18 shkurt 2017) në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pashë të përgatitej një skenë dhe kamerat e regjisë së mediave, sikur të ishte një koncert, e jo sikur të ishte një protestë kundër mjerimit! Vendosa të ikja në punë, por pa harruar të shkrep edhe disa fotografi. Nuk kishte vend për mua në atë protestë, larg përditshmërisë konkrete të shqiptarëve.

Më shumë sesa një protestë, pasi ndoqa më tej sesi u zhvillua dhe çfarë u tha në të, kjo mbledhje demokratësh më ngjasonte me një ofshamë të lodhur të kreydemokratit Basha, që kishte nevojë për një gotë ujë, që përpiqej t’u mbushte mendjen njerëzve: Ne vazhdojmë të ekzistojmë në hapësirë-kohë. Ekzistenca e opozitës në kapitalizëm mund të quhet e tillë vetëm kur preken drejtpërdrejt probleme ekonomike të së përditshmes, duke bërë të skërmisin dhëmbët nga zemërata dhe të dridhen nga frika oligarkët që kanë bllokuar potencialin krijues dhe prodhues të vendit. Pra protesta nxjerr në pah një opozitë të stisur. Me makinacionet e media-fasonit dhe me sistem amplifikimi të zërit të vendosur përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, dhe më pas me ngritjen e një çadre për t’u strukur, papritmas na del që ka një Parti Demokratikë dhe aleatë të saj që përbënkërkan opozitën. Një “deus ex machina” politike, ose më saktë një “opozitë ex machina”. Ku ishin realisht Partia Demokratike dhe aleatët e saj për 3 vite e kusur, që “rilindja” dhe LSI bënë “gjëmën ekonomike”?

Deri më sot, opozita reale ndaj pushtetit, duket se ka ardhur nga LIBRA, kryesisht me betejat e intelektualëve parlamentarë Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi, në Kuvendin e Shqipërisë por edhe në takime të shumta në mbarë Shqipërinë. Por e thënë kjo, LIBRA ka ende shumë për të bërë, madje për të qenë të saktë kjo forcë politike duhet të bëjë përpjekje titanike dhe të ndezë motorët me shumë së kurrë më parë në të gjitha qelizat e saj të anëtarësisë. Jam i bindur se potencialin e ka, dhe mbetet vetëm të punojë fort me vendosmëri dhe vullnet të hekurt!

Opozita

Mungesa e një opozite konkrete nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, që janë pjesa më e madhe e opozitës, në një arsyetim makabër të çon në përfundimin, se kjo mungesë mbështetet pushtetin “rilindje”-LSI”, dhe kështu mund të themi se në Shqipëri kemi koalicionin “rilindje”-PD e Vjetër-LSI që udhëheq.

Nga ana tjetër statistikat e mospjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhjet vendore të vitit 2015 nxorën në pah një pakënaqësi të madhe të qytetarëve ndaj forcave politike ekzistuese. Ky shpirt opozitar ka nevojë për përfaqësim dhe drejtim.

Kamxhiku opozitar Ben Blushi

Një nga zërat më të fuqishëm të opozitës reale ndaj forcave që kanë bllokuar fuqitë prodhuese dhe krijuese të vendit, që fshikullon në çdo seancë parlamentare koalicionin “rilindje”-PD e Vjetër-LSI, është intelektuali Ben Blushi. Por edhe në daljet e tij publike gjithashtu dhe nëpërmjet rrjeteve sociale.

Intelektuali Ben Blushi ishte i vetmi që iu kundërvu bindëshëm projektligjit për importin e mbetjeve. Në një hulumtim mbi projektligjin e importit të mbetjeve më rezultoi se mbetjet e importuara mund të digjeshin në Shqipëri nën pretekstin ligjor të rikuperimit të energjisë, duke rrëzuar kështu tezën mashtruese të kryeministrit Edi Rama se mbetjet e importuara nuk do të digjeshin.   

Intelektuali Ben Blushi nxori në faqen e tij të rrjetit social “Facebook” një postim për numrin e madh të sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Në një hulumtim sipas shifrave të Organizatë Botërore të Shëndetësisë rezultoi se Shqipëria është ndër 20 vendet e para në botë për raport popullsie për vdekshmërinë e shkaktuar nga sëmundje që lidhen me ndotjen e ajrit.

Intelektuali Ben Blushi është i pari që foli për nevojën e vendosjes me ligj të minimumit jetik (tashmë i propozuar në masën 125 euro nga LIBRA). Në një hulumtim të dëmit të buxhetit të shtetit në vitin 2015, sipas progres-raportit më të fundit të BE-së, më rezultoi se ishte 940 milionë euro. E thënë ndryshe kjo shumë mjaftonte dhe tepronte për t’u dhënë 125 euro çdo muaj, për 1 vit, deri në 600 mijë shqiptarëve që rrojnë me më pak se 500 lekë në ditë.

Intelektuali Ben Blushi është i vetmi që ka kërkuar llogaridhënie në parlament se përse pushtetarët kishin shkaktuar dështimin e rrugëtimit evropian të Shqipërisë. Në një hulumtim të progres-raportit më të fundit të BE-së më rezultoi se një ndër pengesat kryesore të anëtarësimit të Shqipërisë në BE ishte vetë funksionimi i brendshëm i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

E kështu shumë të tjera.

Së fundmi, LIBRA zhvilloi zgjedhjet e para të brendshme dhe me mijëra anëtarë e votëbesuan intelektualin Ben Blushin për të drejtuar këtë forcë politike apo më saktë lëvizje politike. Tashmë, ashtu si deri më tani intelektuali Ben Blushi ka fshikulluar bishën “rilindje”-PD e Vjetër-LSI në një qoshe pa shpëtim në Parlament, nëpërmjet drejtimit të LIBRA-s nuk pritet gjë tjetër përveçse që ai të marrë në dorë frerët e drejtimit të opozitës së shqiptarëve të ndershëm në mbarë vendin.

Vëmendja e vërtetë politike, përtej media-fasonit, është mbi ty Ben. Qytetarë të zakonshëm dhe intelektualë, me të cilët flas shpesh, besojnë tek lidershipi yt! Në dispozicion ke një parti me shtrirje në mbarë Shqipërinë që të mbështet! Shkrije talentin e liderit dhe përfaqëso ndryshim që e kërkon koha, pasi nuk ka më kohë! Tempus fugit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.