Një tezë mbi lobin serb në Tiranë

Postuar në 13 Shkurt, 2017 08:54

Shaban Murati, ish-ambasador dhe gazetar, shkruan sot në “Gazeta Shqiptare” mbi rrezikun e tensionimit serb në Ballkan. “Tensioni serbe ndaj Kosovës janë edhe për Shqipërinë”, titullohet shkrimi, i cili nis më një përshkrim të akteve diplomatike provokative serbe në javët e fundit. Sipas Muratit kjo strategji synon të evidentojë Beogradin si aktor lider në Ballkan, sa kohë që do të perceptohet se ai ka në dorë stabilitetin e tij.

Në rrjedhën e opinionit të vet, ish-diplomati shqiptar shkruan se kjo strategji kërkon një përgjigje nga Shqipëria, e cila nuk duhet të shohë veten të shkëputur nga tensionet me Kosovën pavarësisht se Serbia po hedh karremin se ndaj Shqipërisë nuk ka asnjë problem. Murati ecën më tej kur elaboron disi tezën e “grupeve lobistësh serbë me kombësi shqiptare në Tiranë”, diçka që I shtohet tezës së tij të mëparëshme për ndikime ruse në median shqiptare.

Do të ishte naivitet i madh diplomatik dhe shtetëror, nëse Shqipëria do ta shihte veten të ndarë nga kjo strategji e rrezikshme serbe ndaj Kosovës. Këtë naivitet e ushqejnë disa grupe lobistësh serbë me kombësi shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët synojnë të injektojnë pareshtur qëndrimin e rrezikshëm se ajo që bën Serbia ndaj Kosovës, nuk ka të bëjë me Shqipërinë, dhe se Serbia ndaj Shqipërisë ndjek politikë paqësore. Për fat të keq, këto grupe lobistësh serbë me kombësi shqiptare, kanë një akses të habitshëm në disa zyra shtetërore në Tiranë dhe në Prishtinë, ndoshta të stimuluar nga mielli serb, nga ilaçet serbe, nga energjia elektrike serbe apo nga lidhje të vjetra okulte serbe. Qeveria dhe diplomacia serbe po punojnë shumë për t’i krijuar Tiranës idenë se, pavarësisht nga tensionet dhe hijet e luftës me Kosovën, Serbia po ndjek një politikë distensioni me Shqipërinë

shkruan Murati.

Sipas tij kjo është një tezë e vjetër që i mëshon idesë së ndarjes mes Kosovës dhe Shqipërisë për defaktorizimin e shqiptarëve në rajon. Murati nuk përmend emra konkretë, ai ndalon te fenomeni, duke mos marrë në konsideratë fare aspektin sociologjik të kësaj sjelljeje. Që do të thotë se përtej parave, lobimeve okulte, mundet që bindja se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës janë të ndara nga raportet e këtyre me Shqipërinë, të mundet të jetë e tillë në vetvete, e panjollosur nga mëkatet agjenturore. Çka do të thotë se Murati nuk pranon ta njohë një lexim të tillë si të natyrshëm, si alternativë e analizës, por vetëm e vetëm si argument që zbërthen koniunkturën serbe në Tiranë. Ish-diplomati shpjegon se në përmbushje të kësaj strategjie Serbia po ndjek edhe rrugën me dy korsi të marrëdhënieve me Shqipërinë, duke aluduar këtu se në vendin tonë, aktorë joshtetërorë po ndjekin axhenda që prekin sigurinë kombëtare dhe po e bëjnë këtë pa u lagur.  

Ka një taktikë dinake, që Serbia po ndjek me Shqipërinë. Kjo është taktika e dy niveleve të marrëdhënieve dypalëshe. Njëri është niveli shtetëror, që mban të njëjtin qëndrim të ftohtë dhe hierarkik në marrëdhëniet me Shqipërinë. Tjetri është niveli i transferimit të marrëdhënieve tek aktorët joshtetërorë, që profesojnë paqen dhe miqësinë midis dy popujve. Vendosja në plan të parë e aktorëve joshtetërorë, e shoqatave joqeveritare, apo grupeve mediatike apo ekonomike apo sportive, është një tymnajë për të krijuar në Shqipëri iluzionin propagandistik se marrëdhëniet midis dy shteteve mund të ecin dhe po ecin miqësisht, pavarësisht se çfarë po bën Serbia kundër Kosovës. E bukura është se ato shoqata joqeveritare apo grupet e mësipërme në Tiranë, sponsorizohen qartazi nga Serbia…Shteti shqiptar dhe diplomacia shqiptare duhet të ndërgjegjësohen më shumë për realitetet e mbidheshme dhe të nëndheshme ballkanike dhe serbe

vijon  autori në fjalë.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.