Lobimi/Donald Lu, në faqet e Washington Times me etiketën “sorosian”. Akuzohet se po destabilizon Shqipërinë

Postuar në 09 Shkurt, 2017 23:14

Sjellja e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, në raport me politikën shqiptare është trajtuar sot në një artikul të gazetës së dytë të Washingtonit, Washington Times. Autori L.Todd është kontributor i rregullt në këtë gazetë dhe ai sugjeron për lexuesin amerikan se Lu me qëndrimet e tij po destabilizon Shqipërinë.

Z.Lu është duke destabilizuar Shqipërinë duke përcaktuar fituesit dhe humbësit

 shkruan Todd, i cili merr shkas nga përplasja më e fundit e diplomatit amerikan me Prokurorin e Përgjithshëm. Shkrim i mëshon problemit të mbrojtjes që Lu po i bën një kompanie të huaj që operon në Shqipëri dhe ky është sërish një problem i ngritur nga Adriatik Llalla.

Sipas këtij autori, Lu mbështet socialistët në pushtet, që nga ana e vet mbështeten nga Soros dhe në emër të kësaj koniunkture, sipas Todd, ai u refuzoi vizën 70 zyrtarëve të PD-së. Fjala është për  refuzimin e vizave për disa gjyqtarë dhe prokurorë, ndërkohë që autori flet për shkelje të kodit etik dhe parimeve të punës së një diplomati kur thekson se: “Çdo veprim nga një diplomat i SHBA me qëllim që të mbështesë vetëm një parti në një vend të huaj, është jo demokratike dhe në kundërshtim me atë që Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë”.

Nuk ka asnjë dyshim se materiali në mënyrën sesi është ndërtuar nuk vjen si pasojë e një raportimi, por e një leximi të përballjes mes Lu dhe Llallës. Në vëmendje bie edhe fakti se Ilir Meta, protagonist në horizont i përplasjes Llalla-Lu nuk përmendet në shkrim, çka e bën atë të predominuar nga qëndrimi në vend të raportimit. Por problemi në tërësi qëndron dhe në Shqipëri njëanshmëria e Lu është bërë objekt shkrimesh dhe diskutimesh në media. Nga ana tjetër etiketa Sorosian po rezulton shumë ngjitëse dhe po e vendos fytyrën e ambsadorit në vëmendje të opinionit politik në SHBA. Kujtojmë këtu se Ilir Meta ka muaj të tërë që shkon e vjen në SHBA duke firmosur kontrata lobimi, pjesë e të cilave është edhe loja në media. Hamendësimi në këtë drejtim është legjitim dhe duket se Lu ka përballë një investim serioz, që nëse do të prodhojë një tërheqje veshi, e ca më keq, një largim definitiv, do të dëmtonte shumë imazhin e selisë diplomatike në Tiranë, duke dhuruar një fitore për një kamp të politikës në Tiranë. Në çdo rast ky është rezultati ku diplomatët përfshihen në lojëra politike që kërkojnë diçka më shumë se forcën e një flamuri nga pas. Është shumë paradoksale kur sheh sesi kryeministri ka “rekrutuar” diplomatët në Tiranë, ndërkohë që po humbet kontaktet me qendrat politike të vendeve të origjinës dhe rivali i tij, Meta po gjen pika ku të krijojë tensione. Ky realitet provon se loja e Lu në Tiranë ka ndarë politikën duke mbajtur si kauzë reformën në drejtësi e cila po degradon në politikë kuadri. Tani është radha e miqve të tij të bëjnë diçka, pasi përndryshe ky do të shënonte një precedent që do të transformonte raportet politike në Tiranë.

http://m.washingtontimes.com/news/2017/feb/9/donald-lu-george-soros-coho...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.