Reforma në shërbimet publike? Preferohet më mirë “gjobitja e qytetarëve”, tenderi, apo biznesi me privatët

Postuar në 07 Shkurt, 2017 15:33

Qeveria aktuale ka propaganduar shumë atë që ajo e quan reformë në shërbimet publike. Dhe disa hapa janë hedhur, ndonëse ato janë në vazhdën e punëve të mëparëshme. Kështu licencat me një sportel dhe regjistrimi i biznesit me një sportel u mundësuan që në qeverisjen e Sali Berishës. Qeveria aktuale ka ndërmarrë dy nisma që synojnë thjeshtimin e ofrimit të shërbimeve publike dhe uljen e kostove: Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara dhe portali unik qeveritar E-albania.

Në të dyja rastet na thuhet se ofrohen shërbime të integruara, me një sportel dhe që në rastin e portalit, nga pas qëndron edhe një infrastrukturë që nyjëton të gjitha sistemet qeveritare. Çka do të thotë që dikush që kërkon një shërbim pasi është regjistruar në portal ka mundësi të shohë të dhënat e veta që gjenerohen nga sistemi.

Në parim kjo është punë shumë e mirë, pasi koha po e kërkon transformimin e shërbimeve. Por tjetër praktikë na ofrojnë qeveritarët apo të zgjedhurit dhe këtu nuk ka sesi të mos spikasë kreu i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj. Në stilin e zakonshëm të atij që ka zbuluar atë që nuk zbulohej, Veliaj prezantoi sot një shërbim të ri për poseduesit e automjeteve në Tiranë.

Nga ky muaj, do të mundësojmë që çdo qytetar i Tiranës të paguajë me celularin e vet një vend parkimi për aq orë sa ka nevojë, vetëm duke çuar me sms targën në numrin 50 500, i cili është i aksesueshëm nga të gjithë operatorët celularë. Vetëm duke çuar një sms në nr 50 500 ke mundësi të paguash parkingun për një orë. 10 minuta përpara se të përfundojë koha e parkimit, qytetarit i vjen një SMS i cili do i kujton se duhet ta lëvizë makinën sepse po i përfundon afati i parkimit. Por, mund ta rinovosh afatin e qëndrimit duke çuar një SMS tjetër”, shpjegoi Veliaj. Pra pëërveç tarifës së parkimit që paguhet normalisht, kryetari I Bashkisë na sugjeron që të paguajmë edhe diçka me sms. Një favor i hapur ky për operatorët celularë në vend, ndërkohë që ka të tjera mënyra.

Po të kërkosh në internet mund të shikosh se praktika e parkimit paraprak bëhet përmes aksesit në internet dhe këtu portali qeveritar mund të ishte shfrytëzuar për të realizuar pikërisht këtë shërbim që kërkon të aktrivizojë bashkia. Kjo është praktikë që ka mbërritur deri në Dubrovnik, sa për të përmendur një shembull. Pra bëhet parkimi paraprak në rrugë elektronike dhe infrastruktura për këtë ekziston. Pa folur këtu se kjo mënyrë është e dobishme për të nxitur përdorimin e portalit. Për ilustrim, Bashkia e Tiranës ka zyrtarizuar në faturën e ujit, operatorët përmes të cilëve secili mund të bëjë pagesën. Diçka që është pozitive, ndërkohë që për parkimin po kërkon para shtesë duke i mbivendosur kësaj gjobe marifetin e fjalëve të bukura: Paratë shkojnë për pemë.

Nuk mbetet pas në këtë shmangie të aseteve për të cilat qeveria ka investuar edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Ky i fundit prezantoi para disa ditëve nismën e regjistrit të adresave duke njoftuar se për përpilimin e tij do të angazhohen 1200 regjistrues. Merret me mend sesa është kostoja e këtij tenderimi, ndërkohë që Shqipëria në vitin 2011 realizoi Censusin. Por një mënyrë e mirë për të thithur të dhëna është sërish përmes portalit e-albania, sa kohë që po të hysh në të shesh se ke mundësi për ekstraktin e të dhënave familjare dhe personale. Ndoshta do të ishte mirë që përdoruesve apo qytetarëve t’u kërkohej që të shtonin në kategorinë përkatëse edhe adresën reale, që i bashkëngjitet vendbanimit zyrtar, në rastet kur kemi ndryshim. Këto rekorde të shtuara mund të administrohen fare kollaj - siç na thuhet publikisht nga ministrja e Inovacionit - pa patur nevojën që ministri e bashkë me të edhe kryeministri të dalin të mburren dhe të kërcënojnë qytetarët me gjoba. Kjo praktikë u ndoq me maturën shtetërore. Fundja si ADISA, si portali janë investime të kësaj qeverie. Mund të shfrytëzohen sa më mirë, në vend se të bëhen tendera apo të gjobiten qytetarët.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.