Mjaft më me tallje ndaj Albanologjisë!

Postuar në 07 Shkurt, 2017 08:24
Josif Papagjoni

Qendra e Studimeve Albanologjike është krijuar në vitin 2007, me një “sharrë” të fortë që çfarë s’preu: organika, fonde, botime, benefi ce për punonjësit shkencorë nga puna e tyre etj. Një utopi e re kinse po lindte, tanimë studimet shqiptare do të profiloheshin më mirë, do të shëndosheshin dhe sidomos (sidomos!) do të rishqyrtonin ca gjësende që qenë ndotur nga mendësitë “komuniste”, siç qe historia e periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare duke e këqyrur atë si Luftë Civile, historia e socializmit duke flakur gjithçka, edhe pikën e ndershme të djersës së qindra mijëra njerëzve të pafajshëm, rehabilitimi i mbretit Zog I thuajse në të gjitha rrafshet, si dhe kontributet e “jashtëzakonshme” të lidershipit të PD, posaçërisht ai i S. Berishës në shembjen e komunizmit; po ashtu gjuhësia, kur u turrën drejt standardit të shqipes kinse gjuhëtarë, në fakt mercenarë, me gjithfarë xhelozish e urrejtjesh për ta copëtuar në dy dialekte, si për t’i futur kamën një arritjeje kolosale të vetë popullit dhe lëvronjësve të patejkalueshëm të gjuhës, nisur nga Naimi, Fishta, Konica, Noli, Migjeni, Poradeci, Kadare, Kuteli, Qosja etj. Se kur studimet dhe studiuesit politizohen, vajmedet produkti i tyre. Por kur më në fund do t’i jepet “autonomia” kësaj fushe diturie dhe gjerazi të tjerave, pa futur hundët, qoftë dhe tinëz, politika?!

Larg duart prej saj të paditur, por kapadainj, qofshi kryeministra e çfarë të doni! Duket si paradoksale, por ja unë e shoh praninë e politikës aktualisht edhe në statusin (pa/statusin!) “as ashtu, as kështu” të Qendrës së Studimeve Albanologjike, lënë për ibret të Zotit. Shkuan e vanë tre vjet e gjysmë kur erdhi Partia Socialiste në pushtet, u ngritën komisione, erdhën, diskutuan, ikën, hartuan raporte, por hiç! Ky “HIÇ” i madh, i zbërdhylët, dudum e i rrumbullt është një shurdhmemec që po ia merr frymën këtij institucioni unikal shqiptar: indiferenca. Moskokëçarja. Lënia pas dore në një lëngatë, që zgjat e zgjat. Se na e kanë imponuar këta djaj politikanësh, që sa herë vijnë në pushtet bëjnë “reforma”, domethënë zhvatin hapësirat, trysnojnë mendjet dhe shpirtrat. Aktualisht ky institucion duket si diç e hedhur jashtë shtëpie, e tepërt, si e vjetër, e papërdorshme, një “rraqe” a “rrangallë”. Përpëlitet. Syri i shtetit s’është Akademosi i dikurshëm i Greqisë së lashtë që falte për dijen, Platonin dhe shkollën e tij, por një sy prej bualli, tejet indiferent.

Ai jo vetëm s’fal benefite, por shkurton, gëlltit. Bëni ç’të doni, hani kokën! – sikur thotë ai. Dhe i gjori institucion është kthyer në një farë amebe, që formohet e shformohet kontureve të mbijetesës, gjegjësisht ushqimit që i vjen dhe i afrohet nga shteti. Se i vetmi mecenat shteti mund të jetë, në fakt taksapaguesit shqiptarë që kanë nevojë për të, pasi është ashtë e identitetit, një “roje” qe e pohon dhe e mbron atë. Unë s’arrij dot ta kuptoj qëndrimin e pushtetit aktual në raport me të! Them se s’ka kurrfarë dashurie e devocioni. Siç janë zhbërë shumë gjëra, duket se kështu po zhbëhet edhe kjo qendër, pak nga pak, duke u ngulfatur. As mos e mbaj, as mos e lësho! PS shpalli fillimisht refuzimin e ligjit të krijimit të kësaj qendre nga PD me 2007, dalë nga trupi i Akademisë së Shkencave duke e shkëputur dhe duke e strukturuar më vete, pastaj vjen vetë në pushtet, hedh ca shashka me ndoca komisione pranë qeverisë për riformimin e saj, për ripërcaktimin e statusit, madje të krejt kërkimit shkencor dhe institucioneve gjegjëse përmes një ligji të ri (që s’u bë kurrë), dhe… gjumë. Po vijnë zgjedhjet e reja dhe asgjë s’dihet: a do jetë vallë më vete, siç është, një Qendër Ndëruniversitare, apo do ribashkohet sërish me Akademinë e Shkencave, si një degë e dytë gjallëronjëse e trungut të saj, për t’i dhënë gjakun e munguar?! Sfida është: Vallë një bashkim i përfolur me Akademinë do të shkurtojë edhe më tutje personel, siç ka ngjarë me çdo “ristrukturim” të ri sa herë ka ardhur në pushtet herë PD dhe herë PS (njësoj të dyja), apo do shtojë diçka, diku?! Do ta ketë kjo qendër funksionin e udhëheqjes së doktoraturave cilësore për albanologjinë, pra dhe shkollat doktorale gjegjëse, apo do t’ia heqin këtë aset të vyer dhe të dobishëm, duke ia atribuuar vetëm universiteteve, shtetërore a private, nga Tirana në Shkodër, nga Korça në Durrës, nga Saranda në Kukës, nga Elbasani në Peshkopi… nesër ndoshta edhe Cërriku, Përmeti, Laçi, Tepelena e Kashari.

Dhe mungesa e përcaktimit të një statusi, qoftë i ri, qoftë i vjetër, qoftë një amalgamë syresh sjell edhe pasojat negative, afërmendsh. Së pari, shkrehjen e punës, të vetë energjive të studiuesve, sepse edhe ata janë njerëz, duan të kenë siguri (kushti i parë i krijimit të një studiuesi dhe i kryerjes së një pune shkencore është siguria, qetësia, vijimësia e kërkimeve në vite). Kjo mungesë bllokon nga ana tjetër ripërtëritjen e drejtuesve dhe drejtimit përmes zgjedhjeve. Presin të gjithë çdo bëhet, që të nisë dikur procesi i zgjedhjeve në departamente, institute e deri në postet e larta, drejtor, senat etj. Doemos këtu ka edhe një kastrim të brendshëm të vetë institucionit dhe stafeve akademike të tij. Po mirë ore miq e kolegë, pyes unë, qeveria s’na e var, nuk e ka mendjen hiç te ne, mund ta ndryshojë ose jo statusin tonë, por ne vete ç’bëjmë?! Ku është autonomia e institucionit, i cili ka një status. Pse s’bëhen zgjedhjet? As mish, as peshk. Po si s’doli njëri nga drejtorët të japë dorëheqjen dhe t’ia përplaste kështu në fytyrë shëmbëlltyrës qeveritare?! Një pjesë e drejtuesve që e dinë, apo e nuhatin se do largohen nga postet e tyre, siç është normale në institucionet shkencore, presin ndryshimin e statusit, duke motivuar kështu varësinë e fshehur nga politika apo, larg qoftë, “benefitet” e kolltukut pa dhënë dorëheqjen askush, me përjashtim të ish-drejtorit, Ardian Marashit, që e dha, s’dihet pse. Kjo më habit vërtet! Me sa duket, mirë qenka kështu: ha Muço, pi Muço! Unë do të propozoja që gjithë ç’janë drejtues të jepnin dorëheqjen si shuplakë ndaj zvarritjes “legjendare” të “reformave qeveritare”. Ç’është kjo bjerrje që po i bëhet në fakt këtij institucioni, duke e katandisur në një batak, ndoshta për të ardhur pastaj “të tjerët” si gladiatorët e triumfit të ri me sloganin: Poshtë mbreti, rroftë mbreti! Në fakt, zotërinj pushtetarë, ju zyrtarë dembelë e pa skrupuj, të vegjël a të mëdhenj qofshi, ky institucion nuk ka nevojë për “mbret”, i cili të vijë me tam-tame e hordhi nga jashtë. U lodhëm me këto spektakle amatore! Ky institucion ka nevojë për mbështetje, për para më shumë, për botime më shumë, për ekspedita e hulumtime më shumë, sidomos në burimet arkivore jashtë, për pjesëmarrje në konferenca më shumë, për veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare më shumë, për një vetëdije më të shëndoshë, për njohje, paqe e punë. Ka nevojë për libra më shumë. Të gjitha bëhen më mirë nëse qesja e shtetit jep pra shumë më shumë, rrit rrogat edhe shpërblimet, që të mos ikin punonjësit shkencorë ku ka paga më të larta, siç ka ngjarë e po ngjet për fat të keq. Një punonjës shkencor është një hipotekë kombëtare.

Askush s’e zëvendëson një Pëllumb Xhufi për shembull apo një Shaban Sinani! Mos i lini të ikin! Sepse ky institucion është më së pari tapi e popullit shqiptar, e kujtesës së tij, pra dhe e shtetit shqiptar si vetëdija absolute e kombit! Jepini dinjitetin që meriton! Bëjeni një akademi! E ku ka më bukur, më shprehëse e më identitare se sa ta lartësosh në një Akademi të Botës Shqiptare! Shqipëria s’ka hala një enciklopedi shumëvëllimëshe, kur shtete më të vegjël se ne e kanë. Turp! E kush më mirë veç këtij institucioni mund ta hartonte këtë Enciklopedi të Shqipërisë, por ama pa dioptrinë e “syzeve kavanozë” të shtetit. Projektet e rrugëve, hidrocentraleve, serave dhe patateve le t’i bëjnë të tjerët me të “tjerët”, albanologjia, duams’duam, bëhet më së pari nga ne dhe vetëm nga ne, pastaj nga të “tjerët”. S’do shumë mend për t’u kuptuar! Bëjeni, pra! Ashta e një kombi, ajo çka e bën atë të mëvetësishëm apo, thënë më drejt, të dallueshëm nga të tjerët, janë dukuritë që vetëshprehin atë që rëndom e quajmë “identitet”. Nuk di që rilindësit shqiptarë dhe krejt Rilindja, eposi më i zjarrtë i përpjekjes për t’i dhënë një “vulë” Shqipërisë dhe shqiptarëve endur mugëtirave gëlltitëse të Orientit gjithë shallvare, dembeli e ferexhe, pra për t’i dhënë një vetëdije, një kujtesë historike, antropologjike, gjerazi filologjike, një “emër” krejt të tijin (“manushaqja bukuroshe” e Naim Fashërit), nuk di që këta dritësues t’u kenë ofruar atyre libra për kiminë, fizikën, matematikën, qoftë edhe për zejet, ndërtimtarinë, bujqësinë apo “ndërzimin artificial” si teknologji e mëhershme e gjer te klonimi dhe mutacionet gjenetike të sotme. Përkundrazi, ani pse këto janë tejet të rëndësishme edhe për një komb e përparimin e tyre, ata i ofruan popullit të tyre letërsi, gjuhë, antropologji, folklor, art, histori. Le t’i quajmë të gjitha këto me termin e sotëm “albanologji”, por s’ka qenë keq edhe emërtimi i mëhershëm “Studimet shqiptare”. Është pikërisht kjo katedër e dijes, formimit, edukimit, nxënies, që sjell edhe vetëdijësimin tonë si shqiptarë, edhe krenarinë tonë pse jo; është ajo çka ngjan thelbësisht e lidhur me identitetin. Një autostradë, një hidrocentral, një fabrikë të përpunimit të produkteve bujqësore a të mineraleve që ka vendi e bëjnë bukur mirë shumë njerëz të dijes që s’janë shqiptarë, që vijnë këtu me projekte e teknologji të gatshme, pa të munduar shumë ty që të merresh e të konkurrosh me zbulimet, gjetje e shpikje të reja. Kjo ishte karakteristike e sistemeve të mbyllura, të vetëmjaftueshme, si oktapodët që hanë këmbët e tyre kur bie uria, siç edhe ne i hëngrëm me të ashtuquajturin parim të “mbështetjes tërësisht në forcat tona”, duke rënë në një autarki tërësore me pasojë urinë dhe vetëshkatërrimin.

Por, një fjalor tërësor i gjuhës shqipe me shumësi nënndarjesh e rubrikash; studime për dukuri të e mprehta antropologjike, nisur nga fillesat dhe gjenezat primitive, kur etnia ngjizej, nga kujtesat etnologjike të sfiduara nga sulmet dhe mbishtresimet kulturore, sidomos religjioze të pushtimeve, me impaktet e thella në qenësinë tonë e gjer në evoluimet e sotme zakonore, dokesore, materiale, gjithë kulturës së jetesës; hovçimet shpesh spontane e pa një “nord” drejt globalizmit dhe furisë së integrimeve në epokën e sotme teknologjike dhe të internetit, – këto mund të bëhen veçse nga studiuesit shqiptarë. E kush mund të pretendojë sot se studimet mbi letërsinë shqipe, mbi artet shqiptare, muzikë a teatër, koreografi, artet figurative vizuale a kinematografi e arkitekturë mund të bëhen më mirë, me thellë e më me saktësi nga të huajt?! Absolutisht jo. Fjala e parë për to vjen pikërisht nga stafet e diturakëve shqiptarë. Dhe kështu për historinë, ku ka mjaft botime serioze, madje me teza e këndvështrime që bartin vlerën e një zbulimi, sidomos në 100-vjetëshin pas formimit të shtetit shqiptar, por edhe më herët, sido që në këtë rrafsh ka dhe studime simotra që vijnë nga të huajt; e njëjta gjë mund të thuhet edhe për arkeologjinë, ikonografinë, monumentet e kulturës, gjer te gjeografia, demografia, flora dhe fauna e vendit, të cilat pranojnë bashkëpunimet e huaja, por që në fund të fundit, fjala që vendos vjen nga studiuesit shqiptarë.

"Gazeta Shqiptare"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.