Komiteti i ca shqiptarëve

Postuar në 03 Shkurt, 2017 15:10

Në debatin mes kryeprokurorit Adriatik Lllalla dhe ambasadorit amerikan në Tiranë është përfshirë së fundmi edhe Komiteti Shqiptar i Helsnikit përmes një deklarate ku dënon gjuhën e përdorur nga kreu i organit të akuzës duke shtuar se "ky komunikim nuk është as i përshtatshëm dhe as i shëndetshëm për zbatimin e reformave në vendin tonë”. 

Kjo organizatë  që  ka si mision "të ndihmojë në forcimin e shtetit të së drejtës nëpërmjet zbatimit më të mirë të legjislacionit në fuqi" thotë se kritikat nga ambasadorët duhen marrë në konsideratë ashtu sikurse pranohen edhe vlerësimet pozitive që ata kanë. “Në mënyrë të veçantë vlerësojmë kontributin e Zotit Donald Lu, ambasadorit të SHBA-së në vendin tonë, i cili me dashamirësi dhe korrektesë ka nxitur miratimin e reformës në drejtësi” –  thotë deklarata e kësaj organizate që drejtohet nga një bord prej 5 personash (1 grua dhe 4 burra). 

Me tagrin që i njeh vetes kjo organizatë përfshihet në politikë duke na thënë se "qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë duhet të mirëkuptohen jo vetëm kur shprehin vlerësime për funksionimin e institucioneve të shtetit shqiptar, por edhe kur ato ngrenë shqetësime dhe kritikojnë funksionin jo të duhur të këtij sistemi”. Kjo organizatë që flet në emër të 5 personave dhe jo të gjithë shqiptarëve nuk na thotë se ku e ka shkelur ligjin Prokurori i Përgjithshëm në raport me ambasadorin amerikan. 
E dyta,  në rastin konkret organizata në fjalë është në konflikt interesi sepse ajo është një organizatë që financohet ndër të tjera nga Ambasada e SHBA në Tiranë dhe Fondacioni per Shoqërinë e Hapur në Shqiperi (OSFA). http://ahc.org.al/new/about-us/partneret-rrjetet-dhe-donatoret/?lang=sq. Ish-drejtues të saj janë sot deputetë të Partisë Socialiste në pushtet dhe anëtarë të Komisionit të Reformës në Drejtësi siç është rasti i zonjës Vasilika Hysi, e cila ndonëse ka punuar në Komitet për mbrojtjen e të drejtave, nuk nguron, qoftë edhe për një ekzigjencë etike, që sot të shfaqet si relatore e ndryshimeve në ligjin për përgjimet elektronike, ku futet koncepti i "përgjimit preventiv" dhe atij në mjedise private.  

Ndaj dhe deklarata kompromenton Komitetin në fjalë dhe e bën edhe më të qartë panoramën se cili është roli i veprimtarisë së organizatave të tilla në Shqipëri. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.