Hetimi parlamentar, edhe “i biri” dëshmitar për çështjen CEZ

Postuar në 26 Janar, 2017 10:34

Djali i ish-kryeministrit Berisha pritet të thirret në seancë dëgjimore nga Komisioni Hetimor për privatizimin e OSHEE. Maxhoranca mund të miratojë të premten kërkesën për të thërritur si dëshmitar  Shkëlzen Berishën për çështjen e lidhjes së marrëveshjes mes ish-qeverisë dhe kompanisë CEZ. Deputeti i PS, Ervin Koçi, tha se duhej thërritur si dëshmitar djali i Sali Berishës, pasi emri i ka dalë në e-mailet e drejtuesve të CEZ, po ashtu dhe nga juristi i OSHEE-së, Romeo Kara.

“Zoti deputet, ju duhet të paraqisni një kërkesë me shkrim dhe komisioni do të marrë vendim të ndërmjetëm. Komisioni do të vendosë që personi Shkëlzen Berisha do duhet të dëshmojë para këtij komisioni me rrethanat që janë paraqitur gjatë hetimit. Depozitojeni me shkrim dhe ta miratojmë mbledhjen e ardhshme”, tha kryetari i komisionit Taulant Balla.

Por nënkryetari i komisionit, Arben Ristani, e ka quajtur si qesharake kërkesën e socialistëve, duke thënë se në emaile nuk doli në asnjë moment emri i Shkëlzen Berishës, por vetëm flitej për dikë që cilësohej si “i biri”. Ristani ka nxjerrë fotot e Romeo Karasë me Izet Haxhinë, duke thënë se dëshmitari kyç i socialistëve është bashkëpunëtor me një kriminel.

“Ju po bëni një shou për publikun. Këto që ti i paraqet si e-maile dhe si prova, këto janë copa letre. Njerëzit që ju thërrisni si dëshmitarë janë bashkëpunëtorë vrasësish dhe mbi këto baza mundoheni të ngrini akuza të rreme”, tha Ristani, duke lënë më pas mbledhjen bashkë me deputetët e PD. Kujtojmë se në këtë komision ka dëshmuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, pavarësisht se Gjykata e Lartë e ka pushuar çështjen, ndaj dhe  veprimtaria e Komisionit Hetimor i shërben më shumë luftës politike të Partisë Socialiste me Sali Berishën sesa rihapjes së çështjes.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.