Provohet mashtrimi publik i Veliajt me aktivitetet në Tiranë

Postuar në 24 Janar, 2017 11:12

Është thuajse çdo ditë i pranishëm në ekranet televizive në funksion të mitit propagandistik që ka ngritur rreth vetes dhe stafit të bashkisë se ai është 24 orë në punë. Jo rastësisht  Tv-të kombëtare nuk neglizhojnë asnjë material filmik të mbërritur nga zyrat e bashkisë për inagurimet, inspektimet apo projektimet e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj që po promovon si diçka të jashtëzakonshme punën rutinë që ka si drejtues lokal. Duhet thënë se kjo është një veçori e marketingut të tij politik, pasi nuk ka ndodhur në të kaluarën me asnjë nga kryetarët e bashkive t’u imponohen në mënyrë të tillë redaksive të lajmeve.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, më flagrant është mashtrimi publik që Erion Veliaj fabrikon me zyrën e tij të shtypit se është në terren çdo ditë për t’u shërbyer qytetarëve të Tiranës. Siç provohet nga një investigim i gazetarit Artur Çani kryetari i Bashkisë Erion Veliaj qëndron 9 ditë në muaj në Tiranë dhe 22 ditë majë avionit e jashtë atdheut. Statistikat janë për muajin Tetor 2016 dhe janë nxjerrë nga ballafaqimi i materialeve të servirura nga zyra e shtypit të Bashkisë dhe hyrje daljet e sistemit Tims për Erion Veliajn.

Cili është sistemi i strukturuar dhe provat e mashtrimit për qytetarët?! Ai inauguron, viziton, hap punime, inspekton, puth fëmijë, ndihmon të moshuar, preket emocionalisht me aktorë (nuk thamë se aktron me ta) …   Pra, shfaqet si kryebashkiaku punëtor, që gjendet gjithnjë në krye të detyrës 24/24 dhe 7/7. S’ka ndryshim dita nga dita, nata nga nata, fillim a fund jave ç’rendesi ka për puntorët, njësoj jane. Në funksion të kësaj propagande stafi i tij raporton ngjarjet sipas një garfiku tërësisht të manipuluar.

Faktet që provojnë mashtrimin e Veliajt

Erion Veliaj rezulton se ka dalë nga Shqipëria në datë 5 tetor 2016 (14:45) dhe është kthyer në datën 7 tetor (00:10) 2016 dhe në datën 6 shfaqet në televizor që përuron palestrën dhe ambjentet e tjera sportive të gjimnazit “Qemal Stafa”, në një kohë që ai ka qenë në Lubjanë, vërtetuar nga TIMS-i dhe perforcuar nga faqia On Line e Bashkise Tirane. Por si e përuroi palestrën po atë ditë në Tiranë në një kohë që ishte në Lubjanë?

Dalja e radhës së Veliajt është 11 tetori (14:38) dhe është kthyer në 13 Tetor (23:46). Në 12 tetor ai ka qenë në Goteborg të Suedisë. Pra në datat 11, 12 dhe 13 ai ka qenë jashtë. Mirëpo në datën 12 Tetor shfaqet në televizor dhe në njoftim e faqes së bashkisë që inspekton punimet për këndin e ri të lodrave në sheshin “Shyqyri Peza”.

Veliaj ka dalë sërish në 15 tetor (09:10) dhe është kthyer në 21 tetor (14:25). 1 javë jashtë Shqipërisë. Por edhe kësaj radhe, pikërisht në 15 Tetor Veliaj shfaqet në rikonstruksionin e rrugës ”Kujtim Laro”, në datën 16 Tetor shfaqet duke inspektuar trotuaret dhe rrugën ”Ali Demi”, në 17 tetor shfaqet duke inspektuar këndin e lojrave në Njësinë Nr.7, në 18 Tetor i pranishëm në rikualifikimin urban të bllokut të banimit te Fusha e Aviacionit, në 19 tetor duke inpektuar nisjen e punimeve në rrugën ”Heirmann Gmeiner” të Njësisë numër 2, në 20 tetor në përfundimin e punimeve të fushave sportive të ”Fan Noli” dhe në 21 tetor në përfundimin e rikonstruksionit të rrugës ”Ali Shefqeti”. Të gjitha këto, të cilësuara si në kronikat televizive dhe në faqen e bashkisë që merr pjesë vetë.

Kryebashkiaku ka dalë sërish jashtë vendit në 22 tetor (07:47) dhe është rikthyer në 26 tetor (12:54). Pra dhe 5 ditë të tjera po jashtë vendit. Por, si gjithnjë,  në datën 22 Tetor shfaqet me Hajrie Rondon,  në datën 23 Tetor përfundon rikualifikimin urban të një tjetri blloku pallatesh në Njësinë Nr.4 ku Veliaj është i pranishëm, në 24 Tetor përfundon një tjetër investim në zonën e Farkës, në datën 25 Tetor Veliaj shfaqet në televizion në rrugën “Vëllezërit Manastirliu” për nisjen e rikualifikimit urban.

Dhe dalja e fundit e muajit është 27 tetori (13:23) për t’u rikthyer në 30 tetor (14:22). 4 ditë të tjera jashtë. Në datën 28 Tetor Veliaj shfaqet duke inspektuar punën për zhvendosjen e nënstacionit elektrik te Unaza e Vogël. (Inspekton vetë Veliaj, në një kohë që është larguar 1 ditë më parë). Në datën 30 Tetor flet me zë dhe figurë nga Njësia Administrative Numër 7.

Fare e thjeshtë. Kryeqytetasit e ndiqnin atë ”Live” me idenë që punonte për Tiranën, por në fakt në këto ditë ai ndodhej jashtë Shqipërisë. Dhe gjatë kësaj kohe stafi i Veliajt e ka mbuluar me 16-18 kronika televizive, të pasqyruara edhe në faqen e bashkisë, në një kohë që ai ndodhej diku nëpër botë.

http://shuplaka.com/investigimi-veliaj-1-dite-brenda-3-dite-jashte-shtetit-zyra-e-bashkise-i-monton-kronikat-sikur-ndodhet-ne-tirane-skema/

43 punonjës për imazhin e Veliajt

Aparati që fabrikon manipulimet e Veliajt përbëhet nga 43 persona. Ishte agjencia Birn që zbuloi se është pikërisht ky sektor, me punonjësit dhe mjetet teknike dhe financiare të vendosura në funksion të tij, që administron prezencën në media dhe rrjete sociale të kryetarit te bashkisë së Tiranës si dhe të institucionit që ai drejton. Përveç këtij grupi drejtorësh dhe specialistësh, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka dhe një këshilltar për median në kabinetin e tij.

Sipas bashkisë së Tiranës, përveç mbajtjes së marrëdhënieve me mediat dhe informimit të publikut nëpërmjet programit të transparencës, Drejtoria e Përgjithshme e Komunikimit ka si funksion dhe menaxhimin e aktiviteve të ndryshme të bashkisë, si dhe ofrimin e informacionit dhe shërbimeve për qytetarët.

Por Birn thotë se prezenca e vazhdueshme dhe konstante në media e ka vënë kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në qendër të akuzave për ndikim të tepruar mbi linjën e tyre editoriale dhe informacionet e pafiltruara që ato transmetojnë në lidhje me punën e tij në krye të njësisë vendore, sigurisht në marrëveshje të dyshimta me pronarët e mediave.

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Ja se ta ben Zalo nje sondazh tani qe e nxjerr super te preferuar me 208480%. Eshte statisticien i madh ai dreq.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.