Demagogjia nuk njeh kufij, nga kontrolli i emocioneve te garancitë absurde

Postuar në 20 Janar, 2017 16:33

Mbushen 6 vjet nga ngjarjet tragjike të 21 Janarit, ku një protestë e dhunshme e ish-opozitës socialiste u mbyll me 4 viktima. Drejtësia politike e palës që organizoi demostratën projektoi dy palë, “pushtetin kriminal të Sali Berishës” dhe “viktimat martire të popullit opozitar”. Në emër të këtij raporti Partia Socialiste me në krye Edi Ramën prodhoi betimin për të bërë drejtësi dhe po ashtu një faturë financiare për dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave në masën 1.6 miliardë lekë.

Këtë çmim patën marrëzitë e ish-opozitës në protestën e 21 Janarit e ideuar nga Edi Rama dhe e orkestruar nga Tom Doshi. Dhe si për ironi janë organizatorët që i vunë çmim një aksioni politik që rezultoi me një fund tragjik për rrethana që duhen zbardhur si për rolin e gardës dhe qeverisë së atëhershme ashtu dhe për rolin e organizatorëve.

Por ajo që e bën me cinike gjithë këtë histori është demagogjia me të cilën qeveria aktuale vazhdon ta trajtojë këtë ngjarje si një standard të cilin ish-opozita e ka tejkaluar, duke e prezantuar këtë si një tjetër diferencë në raport me paraardhësit. Është pikërisht, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, njëri nga njerëzit me megafon të 21 Janarit që jep garanci se shteti ka marrë të gjitha masat që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Ndërkohë ne kemi marrë masa që kjo të mos përsëritet më. Pra 21 janari të mos përsëritet më. Kemi miratuar një ligj për armët dhe përdorimin e armëve ku sanksionohet kur ndodh që shteti përdor armët kundër qytetarëve. Kemi miratuar një kuadër ligjor të plotë lidhur me sjelljen e institucioneve kryesisht Policia, Garda e Republikës në raport me qytetarin. Ka qenë angazhimi ynë i hershëm, shkrirja e Gardës së Republikës dhe është një ligj që miratohet shumë shpejt në Parlament lidhur me transformimin e Gardës, nga një trupë ushtarake në një trup policore që do i përgjigjet rregullave dhe normave standardeve të sjelljes së punonjësve me qytetarin. Pra kemi marrë një sërë masash që garantojnë që ‘’21 janar’’ të mos ketë më Shqipëria”-theksoi  ministri i Brendshëm në një prononcim.

Ky lloj parashtrimi që bën ministri e zhvendos akuzën fillestare  të ish-opozitës nga qasja për vrasje të urdhëruara politikisht në problem të legjislacionit mbi gardën apo përdorimin e armëve në raste të agresionit kundër institucioneve. Paralelisht me këtë përfundim ministri megjithatë e vazhdon retorikën për gjyqtarë që duhen dënuar, pasi nuk gjykuan drejt këtë çështje.

Në fakt garancia e vetme që ngjarje të tilla të mos ndodhin nuk janë këto që përmend ministri i Brendshëm sepse ekseset nga zbatimi i ligjit ndonjëherë janë të paparashikueshme, është që vendi të mos udhëhiqet nga demagogë të tillë , marrëzitë e të cilëve u kushtojnë shtrenjtë jo vetëm familjeve nga populli opozitar por edhe taksapagueseve shqiptarë.

Comments

Submitted by Soll Lili (not verified) on

E DREJTE!

Submitted by Asllan (not verified) on

Rendesi ka qe Saliu nuk eshte me ne pushtet! Kushedi sa te keqija dhe probleme do i kishte sjelle ketij popull qe nga 2013! Kete e mundesuan ata deshmore qe nuk pyeten per asgje, e shume te tjere te cilet i shpetoi rastesia! Sistemi i Saliut, Salizmi vdiq! Kjo ka rendesi dhe i eshte vene pika nje here e pergjithmone! Kurse Saliu si qenie biologjike nuk ka aspak rendesi! Madje, ishalla jeton edhe disa dekada biologjikisht! Fenomenet qe lidheshin me te dhe ndikimi i tij jane ekzekutuar me vdekje! Kjo duhej, u be, dhe mjafton! Prandaj 21 janari simbolizon shume dhe ka vlere te madhe, sepse ishte fillimi i fundit te Salizmit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.