Çfarë do bëjë Amerika me Ballkanin – kjo është çështja

Postuar në 20 Janar, 2017 11:10

Inaugurimi i Donald Trump në krye të presidencës amerikane po hap një mundësi për të parë sesi politika në Ballkan krediton veten me mburojnë e një fuqie të madhe dhe nuk ushqen ndonjë besim të madh në forcën e votës që pretendon se e respekton. Politika shqiptare, për aq sa shohim, ndoshta mban rekordin e kthimit të vasalitetit vulgar në një vlerë legjitimimi. Sot bëhet e ditur se republikani Fatmir Mediu që ndodhet në SHBA bashkë me Lulzim Bashën ka deklaruar se “administrata Trump do të ketë angazhim tjetër për Shqipërinë”. A ka njeri ta besojë këtë? Në cilën axhendë të Trump hyn Shqipëria vallë?

Nga ana tjetër, kreu i PD-së, në një garë komike për t’u prezantuar si I përkëdheluri I amerikanëve në Shqipëri, tani që nga Shtëpia e Bardhë doli Clinton, nuk dinte çfarë të thoshte dje në intervistën për “Zërin e AmerikëS” kur për ftesat u sqarua se mund të jenë edhe bileta që shiten. Lajmi se edhe Ilir Meta e paska një pikë kontakti në SHBA mori dhenë me takime të lobuara që shiten si mbështetje e SHBA-së për Shqipërinë.

Me grricjen tipike katundareske, ministri i tij, Ylli Manjani, “ngacmon” në Facebook kryeministirin se kundërshtarët e Trump do ta kenë pisk.

Ndoshta fjala është për deklatratat delirante të kryeministrit që ndoshta si për t’i shpëtuar kërcënimeve që po i vijnë qytetërimit nga Trump, ngeci në Singapor, shembulli më i mirë, e ndoshta metaforë për Shqipërinë që ka qenë, e mbase edhe bëhet; një koloni që mësoi nga kolonizuesit e madje I kaloi ata. Mirëpo Shqipëria është koloni imagjinare, atë se merr kush vërtet për koloni, ndaj kjo jargavitje pa kuptim që bën gjithë politika shqiptare ka humbur kuptimin pas 25 vitesh mashtrimi me këtë kartë. Për më tepër që është padashje goxha vlerësim ta quash Edi Ramën kundërshtar të Trump, ndërkohë që ai përfaqëson një vend që nuk thotë ndonjë gjë për ato çfarë Trump ka shpallur.

Nuk mbetet pas edhe politika serbe, e cila duket se ngecur në vend në axhendat e veta nga perceptimi se “shqiptarët  mbështet SHBA”. Agjencia “B92” publikonte sot një shkrim të një shkencëtari të politikës, gjermanit Siebo Janssen. Sipas këtij të fundit Trump do t’ia dorëzojë Ballkanin Putinit, e këtu me gjasë media serbe gjen shpresën e munguar për politikat serbe që nuk janë asgjë më shumë sesa politika territoresh e ndarjes etnike. Beogradi ndihet I kufizuar nga prezenca e forcave të huaja në disa zona në rajonin tonë, çka bllokon politikën e zgjerimit territorial  nga e cila nuk ka hequr dorë. Ndaj prezenca e SHBA-së, sjellja e saj po kultivohet si një pikë ndarëse mes të sotmes dhe të nesërmes, të cilën në Ballkan nuk e shohin dhe aq të palidhur me konfliktin. Sikur ky skenar i largimit të SHBA-së nga rajonin jonë të ndodhë, bashkë me qasjen e re të saj në NATO, është e qartë se siguria e Shqipërisë kështu siç është konceptuar deri më tani merr goditje. Kjo provon edhe njëherë, ndoshta me pasoja jo pak të dhimbshme, se çfarë do të thotë të votosh dhe të kesh në krye bajraktarë që i shiten prurësit më të parë. Të cilët peshojnë zero në kandarin e botës, por duke treguar përralla si këto, marrin rol brenda Shqipërisë pse kështu “e kanë gjetur fijen me SHBA”. Në këtë pikëpamje, mbështetja që kanë patur këta të korruptuar ka rezultuar e dëmshme dhe nëse Trump realisht heq dorë nga Ballkani, do të jepte një ndihmë të madhe që të paktën hajdutët ta kapnin veten në pasiguri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.