Anëtari i partisë, ose modeli i Facebook në politikë

Postuar në 19 Janar, 2017 10:29

Në politikën shqiptare duket se ka anëtarësia është në modë. I pari që e ngriti kultin verbal të anëtarit është Edi Rama, kur me shkrime të ndryshme iu qas ambicies për të marrë PS-në me votë plebishitare. Sigurisht, shkrimet me natyrë populiste dhe tërësisht demagogjike të Edi Ramës, në kushtet kur PS-ja vuante nga një boshllëk pushteti dhe ishte e kapur nga lufta e klaneve, goditën nëë shenjë. U fol për parimin “një anëtar një votë”, për zgjedhje direkte, ndërkohë që sot që flasim, Edi Rama është i vetmi identitet politik me peshë në detin anonim të anëtarëve. Largimi pa asnjë kosto I Koço Kokëdhimës e provon  më së miri këtë gjë, njësoj si përjashtimi spektakolar i Kastriot Islamit disa vite më parë.

Çfarë do të thotë se të flasësh për anëtarin që vendos, që e ul këmbëkryq të marrë vendime dhe ti si lider i bindesh, është shumë e kollajtë dhe me leverdi politikisht.  Vetëm se anatarësia është nocion numerik që nuk kualifikon ndonjë institucion të qëndrueshëm, as i kupton dhe përpunon rregullat dhe zbatimin e tyre. Sidomos në partitë shqiptare që e konsiderojnë veten grupime elektorale, jo më ideologjike.

Parti tradicionale si PS-ja e dikurshme kishte në bazë mobilizimin mbi historinë e përbashkët politike, pjesëmarrjen e gjatë në pushtet, frymën etatiste dhe atë jetë partie që kultivon një anëtar të vërtetë, aktiv. Ky mund të jetë një model krejt i papëlqyeshëm, por ama ai është një ndër faktorët që e çoi PS-në drejt institucionalizimit të vendimeve dhe pjesëmarrjes, e çka më shumë rëndësi, të vendimmarrjes reale kolektive. Jo rastësisht sot PS-ja është e vetmja forcë që ka realizuar një rotacion të vërtetë kryetari, në ndryshim nga PD-ja që ka rotacion vetëm emrash.

LSI-ja është një model tjetër që nisi eksperimentimin e anëtarit që vendos. Rrugës u pa se ky apel rrezaton vetëm gjënjeshtrën, sa kohë që e dimë shumë mirë se ajo parti ka vetëm një njeri që vendos. Ndonëse Meta, për shkak të edukimit politik te PS-ja e pas ’90-ës, formalisht e ruan paraqitjen si njeri I forumeve.

Inicitivat politike në fjalë, janë në fakt projekte personale, ose kanë përfunduar si të tilla dhe për një paradoks të pastër: ato u ndërmorën me idenë dhe oportunitetin e korrigjimit të keqfunksionimit të forumeve tradicionale të PS-së, që kishte përballë një parti thuajse personale të Sali Berishës.Për të përfunduar në subjekte me një individ dhe klanin e kooptuar prej tij.

Problemi i demokracisë në partië shqiptare është evident; mjafton të shohim sesi kryetarët nuk lëvizin nga karrigia, me lloj lloj alibish ata qëndrojnë “për të mirën e përbashkët”, ndonëse humbjet dhe kostot e krijuara prej tyre i faturohen të gjithë vendit. Në një model të tillë operimi po marrin jetë edhe dy subjekte të reja që kanë një mbulim mediatik jo të pakët: LIBRA e Ben Blushit dhe Sfida për Shqipërinë që drejtohet nga Gjergj Bojaxhi.

Blushi bënte thirrje pak ditë më parë për anëtarësinë sesi duhet të votonin dy deputetët e saj buxhetin. Për popullin që vendos u fol shumë edhe në një vend si Britania, ku për Brexit, pati zëra kundër referendumit si të tillë. Një çështje kaq komplekse si largimi nga BE-ja, apo edhe votimi i buxhetit në rastin e LiBRA-s, nuk mund t’i besohet masës, që ka për prirje rreshtimin psikologjik me kryetarin apo kupton më mirë vetëm mesazhe të thjeshtuara populiste.

Edhe Bojaxhi thoshte në një intervistë publikuar sot, se janë harxhuar qindra orë diskutime me anëtarësinë dhe se te Sfida “statute zbatohet”.

Këto janë projekte që njësoj si në rastin e Edi Ramës dhe Ilir Metës luajnë me iluzionin e demokracisë që firmoset nga çdo njeri. Kjo as është e vërtetë dhe as mund të jetë reale. Askush prej këtyre zotërinjve nuk është në gjendje të garantojë se rregullat e trumbetuara prej tyre, do të mund të kultivojnë një kulturë reale politike të zbatimit të tyre pa kushtëzimin e prezencës dhe “vullnetit të tyre të mirë”. Në fakt partitë shqiptare për këtë vuajnë: ato e kanë jetën të kushtëzuar nga humori dhe karakteri I kryetarëve. Sot që flasim ne shohim më tepër pasojat e vendimeve dhe qëndrimeve karakteriale të Edi Ramës dhe Ilir Metës, problemeve të tyre, sesa të akteve politike reale pas të cilave duhet të ngrihet një diskutim. Dhe ndodh kjo sepse ai nuk është kryetari, por lideri.

Dy subjektet e reja, LIBRA dhe SFIDA, ofrojnë edhe ato nga një kryetar të radhës, besueshmërisht “djem më  të mirë se Rama apo Meta”, por asnjë prej tyre nuk është zgjidhja. Kauzat janë verbalisht të mira: zgjedhje dhe rotacion elitash. Pas tyre shkojnë me gjasë ambiciozë, apo arrivistë, simpatizantë personalë të njërit apo tjetrit, por ai angazhimi për të krijuar institucione të besueshme mungon. Ose aftësia për të mbështetur krijimin e tyre.

Vendimet e vështira apo filozofia e partive nuk mund të udhëhiqen nga modeli i Facebook dhe i mediave sociale. Në fund fare një hierarki jo vetëm formale është e domosdoshme, mjafton që institucionet të kenë në indin e tyre legal dhe politik aftësinë për korrigjim. Blushi më mirë nga të gjithë e di këtë, ndaj edhe shpesh e evokon PS-në e dikurshme si model pozitiv.

Çfarë shohim sot është një përballje të pabarabartë ofertash politike: nga njëra anë partitë tradicionale, PS, LSI, PD që i ofrojnë votuesve opsionet materiale të pushtetit që kanë korruptuar vlerën e vetë votës dhe “përballë” tyre parti që kanë prezencë mediatike me ligjërim të njëjtë, por me pretendimin e të qenit “ndryshe”.

Thuhet se ka një diferencë të madhe mes të bërit fushatë dhe të qeverisurit dhe këtë edhe Obama e nënvizoi kur vjen puna për të mos paragjykuar një njeri si Trump. Por në një vend si SHBA këtë diferencë, që u hiperbolizua nga Trump e stabilizojnë pikërisht ato institucione për të cilat në Shqipëri as që flitet. Nuk janë anëtarët ata që do ruajnë zbatimin e rregullave, por institucionet.

Është ende shpejt për të vlerësuar rezultatet dhe sidomos seriozitetin e angazhimit politik të dy njerëzve që kanë marrë përsipër krijimin e alternativave. Por edhe ata vetë sot që flasim ekzistojnë politikisht jo për shkak të një ideje, por për koniunkturën e një pakënaqësie, e cila ka potenacialin që të ndryshojë ekulibrat aktualë. Madje edhe skenën politike. Çështja është se për momentin askush nuk e posedon këtë zell revolucionar, i cili edhe në vende si Greqia, apo Italia, u pa se gjeti të papërgatitura vetë “revolucionarët” që u konvertuan sa hap e mbyll sytë në pragmatisë të zhurmshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.