Çfarë quhet ndërhyrje në punët e brendshme?

Postuar në 12 Janar, 2017 14:29

Tirana e përshëndeti marrëveshjen politike të partive shqiptare në Maqedoni për të dalë me një platformë të përbashkët kushtesh për krijimin e qeverisë së re. Madje kjo marrëveshje iu njoh si meritë politikës sonë të jashtme dhe kryeministrit Rama në zyrën e të cilët doli tymi i bardhë për pajtimin e shqiptarëve të Maqedonisë.

Mirëpo dy ditë më vonë Ministria e Jashtme maqedonase e quajti ndërhyrje në punët e brendshme angazhimin e Tiranës në hartimin e platformës së kushteve për të qeverisur Maqedoninë dhe i mëshoi idesë se këto qëndrime nuk ndihmojnë bashkejetesën në rajon. AlSat Maqedonia pyeti ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati  për këtë reagim të Shkupit duke kërkuar shpjegimin e tij lidhur me këtë akuzë të ndërhyrjes në punët e brendshme.

Bushati mohoi se Shqipëria është përfshirë në çështje të brendshme të Maqedonisë duke thënë se qeveria shqiptare ka zbatuar një detyrim kushtetues, që ka të bëjë me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, pavarësisht se ku ata jetojnë.

Në Maqedoni ekziston një komunitet shtetformues në gjirin tonë shqiptar, i cili në çdo rast e në çdo rrethanë, do të ketë nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, për këshillat miqësore të Shqipërisë, në funksion, vetëm në funksion, të avancimit të këtyre të drejtave. Pra jo në funksion të politikës së ditës, se kush do të zgjedhë kë për të bërë koalicion dhe se çfarë politike, ekonomike apo sociale apo ideologji do të zgjedhë një informacion i caktuar politik. T’ju them të drejtën ka një qëndrim të pashpjegueshëm të autoriteteve maqedonase, jo thjesht për këtë rast por në përgjithësi, sa herë që përmendet marrëveshja e Ohrit nga ana e Shqipërisë dhe sa herë përmendet Marrëveshja e Ohrit nga ana e institucioneve ndërkombëtare apo partnerëve ndërkombëtarë. Nuk e kuptoj pse merret me kaq sekëlldi nga ana e autoriteteve maqedonase Marrëveshja e Ohrit

Por jo më larg se para dy muajsh edhe qeveria shqiptare ka bërë të njëjtën ankesë ndaj Greqisë për ndërhyrje në punët e brendshme, kur kjo e fundit ka reaguar për prishjen e ndërtimeve në Himarë, duke thënë se

Reagimi i Ministrisë së Jashtme të Greqise përbën ndërhyrje të përsëritur në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe bie ndesh me angazhimin e Greqisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Është e papranueshme që, apriori dhe çdo herë, të nxiten dhe legjitimohen pretendime paternaliste mbi Himarën. Si historia ashtu dhe e tashmja dëshmojnë qartazi se nuk ekziston kurrëfarë baze për të reklamuar Himarën si hapësirë minoritare

Dy shembuj për të kuptuar se çfarë quan qeveria shqiptare dhe Ministria jonë e Jashtme ndërhyrje në punët e brendshme dhe çfarë detyrime kushtetuese, në kuadër të fqinjësisë së mirë që ajo thotë se po promovon në rajon nën moton “zero probleme me fqinjët”

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.