Jo rolit të Turqisë , Meta: Në politikën rajonale do të mbështetemi te Italia dhe Greqia

Postuar në 10 Janar, 2017 09:19

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka publikuar në fund të dhjetorit 2016 një opinion në New Europe me titull: “Një partner i besueshëm dhe solid për axhendën euroatlantike në Ballkan”. 
Opinioni i afrohet një skice të qëndrimeve dhe drejtimeve të përgjithshme të politikës së jashtme të vendit tonë për të afirmuar modelin e deri para 3 viteve për qasje të moderuar ndaj problemeve dhe përçim të sigurisë si pasojë e tyre. 

Në një plan më të ngushtë, opinioni i Metës mund të shihet si vijim i atij kursi paralel që ka udhëhequr ai në cilësinë e kryetarit të Kuvendit në disa çështje të politikës së jashtme. 
Pasi bën një vlerësim të përgjithshëm për krizën e BE-së, Meta shtron për Shqipërinë detyrën strategjike të europianizimit të institucioneve. 

Ne, në Europën Jug-Lindore, dhe veçanërisht në rajonin e Ballkanit, duhet të sigurohemi që vlerat themeluese të Bashkimit Europian dhe angazhimet Trans-Atlantike, pavarësisht sfidave aktuale, të çohen përpara dhe të përhapen në jetën tonë institucionale dhe politike”, shkruan ai. 
Meta shton se Shqipëria mund të luajë një rol specifik në këtë drejtim, pavarësisht peshës së vogël që ka. Sipas tij përhapja e popullsisë shqiptare në disa vende, por edhe disponimi i shqiptarëve drejt botës euroatlantike mund t’i japin kredenciale të posaçme Shqipërisë. 

Rëndësi ka listimi i raporteve që sipas tij vendi ynë duhet të ketë me fqinjët.

Shqipëria duhet të forcojë politikën e saj të jashtme dhe rajonale, tradicionalisht pozitive dhe konstruktive, me një sens më të mprehtë qasjeje vizionare…”, vijon ai. 

Dialogu Serbi – Kosovë, marrëdhëniet e hapura me Serbinë, roli i shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi, kërkesa ndaj BE-së që të heqë vizat për qytetarët kosovarë, këto janë disa prej pikave që Meta rendit në opinionin e tij. Sa i përket integrimit, kreu i LSI-së nënvizon një qasje që është konsoliduar me kalimin e viteve që pas krizës së vitit 1997, por është vënë në pikëpyetje së fundmi: 

Në ndjekjen e politikës tonë rajonale, ne do të vazhdojmë të mbështetemi fort tek dy fqinjët tanë të BE-së, Italia dhe Greqia, si dy partnerë jetikë dhe strategjikë dhe avokatë të fortë të axhendës tonë europiane dhe zhvillimit tonë ekonomik”, shkruan Meta, një mesazh i qartë për politikat filoturke që janë shfaqur këto vitet e fundit, e për të cilat nuk ka munguar shqetësimi edhe në media.

Nga kjo pikëpamje, duket se i shumëpërfoluri Traktat i Partneritetit Strategjik me Turqinë, i kuptuar si inkuadrim i disa politikave në suazën e një partneri më të madh, por jashtë BE-së, ka rezistencë edhe brenda vetë qeverisë shqiptare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.