"Edi ynë" online dhe receta e qeverisë për situatën: Shmangni grumbullimet!

Postuar në 10 Janar, 2017 13:18

Në një stil byroist, kryeministri  Edi Rama  mblodhi këtë të martë Zyrën Operacionale të Emergjencave Civile për të diskutuar mbi situatën më të fundit të motit dhe atë të gjendjes gripale në vend. Një teleprovë sesi funksionon në termat modernë modeli i qeverisjes on line “ne për ju”, ku ministrat raportojnë te shefi si janë përmbushur detyrat që u janë ngarkuar. Dhe populli në këtë rast ka mundësinë të provojë me zë dhe me figurë se kush është shefi dhe kush janë shërbëtorët e tij, sepse për raportimin e situatës në terren është vetë dëshmitar.

E di sa centimetra ka shtruar dëbora dhe ku do makinë me zinxhirë për të kaluar e ku do mushka xanxare. Jo vetëm kaq, por e di që uji do vijë kur të shkrijnë tubat apo ngrohja është privilegj vetëm për ata që kanë para të vënë në puën kondicinerët apo të blejnë kamionët me dru nga Mali i Zi për t’u nxjerrë tymin oxhaqeve. Me pak fjalë një raportim teknik mbi situatën e motit të keq dhe punën e Emergjencave Civile është kthyer në një tryezë ku sërish doli në pah roli largpamës dhe heroik i udhëheqjes sonë.

I njëjti model i disa viteve më parë ku Enveri ynë ishte dhe shpëtimtari ynë, ndonëse në një raport më të vërtetë me kontekstin e asistencës së shtetit në strehim, ushqim, kurim, transport, ngrohje etj. Dhe kush ishte rezultati i mbledhjes që iu servir publikut: Shmangni grumbullimet. Këtë tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj duke sqaruar vendimin për mbylljen e kopeshteve dhe shkollave.

Duhet të sqarojmë se shkollat nuk u mbyllën për shkak të kushteve që kanë në to , njëra më e ngrohtë apo njëra më e ftohtë. Jo, sepse gripi përhapet ku ka grumbullim të madh të madh të njerëzve dhe ky ishte qëllimi. Të shmangim grumbullimet, ashtu sikundër këshillojmë që qytetarët të shmangin ambientet publike me grumbullime sepse vetëm kështu ruani veten në këto ditë kur epidemia e gripit ka rënë në vend

Do kishte kuptim që edhe Shtabi i Emergjencave me gjithë udhëheqjen ta kishin shmangur grumbullimin live, për të mirën e tyre në radhë të parë, sepse gripi është nëpër këmbë dhe po ra në krevat udhëheqja ku do mbytemi në të tjerët në këto kohë me ngrica dhe sëmundje. Për më tepër që nuk i informuam nëse vetë ministri Beqaj dhe shokët në terren a janë vaksinuar me vaksinën kineze.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.