Cili është misioni i analistëve?

Postuar në 10 Janar, 2017 01:30

Ben Blushi ka qenë i ftuar në emisionin Top-Story për të folur për projektin e tij politik, partinë “Libra”. D.m.th kjo ishte ajo që duhet të rezultonte nga një debat që u shndërrua në sulm frontal analistësh që bashkonte predikime morale, pretendime ideologjike, kujdesin që Rama të mos trazohet me Berishën, si dhe pyetjen kurth për diferencën që sjell LIBRA në opozitarizmin e vet. 

Cili është misioni i LIBRA-s? Këtë pyetje shtroi moderatori Sokol Balla për analistët Skënder Minxhozi, Mustafa Nano dhe Arjan Vasjari, që duke parë mënyrën sesi precipitoi, padashur, po vetëm padashur, të çon në pyetjen instinktikve: Cili është misioni i analistëve? 
A je i majtë, se the që ke krijuar parti të qendrës”? Një pyetje me spec kjo sepse ka ca veshë militantësh që duan të binden se Blushi nuk është më i majtë që mandej të mos kenë ndonjë brengë. Blushi tha se ai është i majtë, partia e tij ka vendosur të orientohet drejt zgjidhjeve, më shumë sesa drejt ideologjisë, zgjidhje për konçesionet, varfërinë, integrimin, punësimin etj.. Sipas tij, partia u deklarua e qendrës si kërkesë e një shumice, por kjo nuk do të thotë se kompromenton bindjet e tij të majta. 

“Ku ndryshon opozitarizmi yt nga ai i PD-së? Ti je në një gjatësi vale”. Ja një pyetje tjetër sërish me spec, që sugjeron në mënyrë të nënkuptuar se “Blushi flet si Saliu” e pse jo, ndoshta edhe bën lojën e Saliut. 
Kësaj pyetjeje deputeti iu përgjigj se ne “ndryshojmë nga historia dhe përgjegjësia jonë ndaj asaj që ka ndodhur në Shqipëri, por edhe nga e ardhmja. Unë dua të gjykohem për projektin që dua të paraqes”

Ke në kokë shumë Edi Rama. Hiqe Ramën, harroje. Të mos merremi me motivimet e tua”. Ja një pikë kritike që kërkon përgjigje e që në vetvete implikon krejt si padashje se Blushi iku nga PS-ja për mllefin se nuk u bë dot kryetar. Pati madje edhe ndojë vërejtje goxha të shëndetshme se pse Blushi përmend kaq shumë Elvis Roshin dhe Vangjush Dakon, pasi i ka patur miq, ndërkohë që një tjetër ia priti se “politikanët janë e keqja më e madhe”. 

Të mos merremi me motivimet e këtyre pyetjeve, sepse mund të jenë parimore. Por vënia përballë e një biografie politike të Blushit që amplifikon karrierën e tij partiake, duke neglizhuar ato që kanë më shumë rëndësi, Aktet politike, nuk përbën analizë. Sepse dorëheqja është akt, kërkesa për zgjedhje është akt politik, njësoj si largimi. Akt politik është uzurpimi, vrasja e zgjedhjeve dhe mbyllja e partisë, por në çdo rast ambiciet e një njeriu nuk kanë pse të kompromentojnë spiralen pozitive, qoftë edhe të përkohshme, që hap e krijon akti politik si i tillë. 

Dhe LIBRA, edhe sikur të jetë krijuar për ambicien për t’u zgjedhur të Ben Blushit, vetëm për dhimbjen e kokës që po i jep pushtetit por edhe me mesazhet dhe diskutimet që ngre, meriton një shans. Një shans që nuk kalon ekskluzivisht nga djallëzia kaq e përfolur e e Ben Blushit, por nga një aksion politik që mundet të bëhet shumë më i madh dhe shumë më i gjerë sesa personi. Pa harruar që edhe atyre pyetjeve të vështira iu përgjigj më mirë dhe më drejtpërdrejt sesa paraleli i tij kryeministër. 

Ndaj nëse barazimin e kemi në xhep si i thonë fjalës dhe mbajmë në mendje se LIBRA mund të jetë krijuar vetëm e vetëm që Blushi të bëhet deputet, pyetja që nuk merr ende përgjigje është: Po misioni i analistëve, cili është?

Comments

Submitted by Emigranti (not verified) on

a e dini qe Vasjari konsull ne Bari u krimb ne pare ne kurrizin e emigranteve shqiptare? Une jam nje prej tyre!

Thojeni kete qe horra si ky te mos kene fytyre te bejne moral.

Flm

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.