Lista të hapura, mosndryshim i vendvotimit të zgjedhësit dhe shfuqizimi i KQZ-së

Postuar në 09 Janar, 2017 18:31

Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur sot përmes kreut të Grupit Parlamentar, Petrit Vasili, 7 amendamente për Kodin Zgjedhor. Përveç propozimeve për rritjen e sanksioneve, deri në sanksione penale për fotografimin e votës, apo blerjen e saj, rëndësi kanë tri propozime të tjera. Partia e Ilir Metës ka propozuar lista të hapura për caktimin e kandidatëve për deputetë, duke parashtruar këtë argumentim: 

“Listat e hapura apo të mbyllura është një debat që ka lindur që me ndryshimin e sistemit zgjedhor. LSI ka mbajtur gjithmonë qëndrimin që partia ka vetëm të drejtën e futjes në listë të kandidatëve. Ndërsa renditjen e tyre e përcakton votuesi. Pra votuesi që vendos të votojë për një parti, duhet të zgjedhë kandidatin që preferon më shumë nga lista e asaj partie. Kjo masë shton masën e demokracisë direkte duke e lidhur me shumë të zgjedhurin dhe zgjedhësit e tij, por edhe kufizon pushtetin diskrecional të partive dhe kryetarëve të tyre”. Ky është një propozim që është kundërshtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, që është inspiruesi i listave të mbyllura. 

Po kështu LSI-ja sugjeron që të ndalohet me ligj ndryshimi i listave të zgjedhësve me daljen e dekretit presidencial për zgjedhjet. Aktualisht Kodi lejon ndryshimin e vendvotimit edhe pas daljes së dekretit, por LSI-ja i referohet “përvojës negatuf e të vitit 2015”. Është për t’u theksuar se ky është një propozim që vështirë se do të miratohet në kushtet kur ligji i ri për gjendjen civile detyron shtetasit që të deklarojnë vendbanimin real, apo ndryshimin e tyre. Nga kjo pikëpamje dyshimi i LSI-së është disi i pavend. 
 Propozimi i tretë që jep partia e Metës është zhveshja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga atributet e shkallës së parë për ankimim rezultati. Sipas LSI-së apelimi duhet bërë drejtpërdrejt në Kolegjin Zgjedhor, një propozim që e kthen KQZ-në de facto në një organ logjistik për zgjedhjet. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.