Raporti i shërbimeve amerikane, një “përmbledhje e shtypit” rus

Postuar në 07 Janar, 2017 14:42

Raporti i dakordësuar i tri agjencive amerikane të inteligjencës, publikuar dje në një version të deklasifikuar, është përqafuar nga mediat kryesore si libri i zbulesës së aktiviteve ruse në zgjedhjet amerikane. Ndërkohë variante sekrete të raportimit të shërbimeve kanë dalë në NBC dhe një akt i tillë është cilësuar me prapavijë politike nga presidenti i zgjedhur Donald Trump por edhe themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange. 

Duke kryqëzuar këto dy përpjekje, mediat kryesore në ShBA po bëjnë çmos të propogandojnë dhe ngulitin idenë se zgjedhjet e 8 nëntorit dhe fitorja e Donald Trump ka në themel një hile dhe intrigë të madhe realizuar mes tij dhe Vladimir Putin. Aktivitetet kibernetike të Rusisë nuk janë një fakt i ri dhe në këtë kuadër raporti(https://www.documentcloud.org/documents/3254239-Russia-Hacking-report.html) në asnjë faqe të tij nuk arrin të japë konkluzione se cili ishte ndikimi real në rezultatin e zgjedhjeve amerikane i asaj që quhet Fushatë për Influencim e që i atribuohet Kremlinit. Nuk është kështu pa rëndësi fakti se nga të trija agjencitë që kanë firmosur raportin, CIA, FBI dhe NSA, kjo e fundit nuk ndan të njëjtën bindje me dy të parat për vlerësimin se qeveria ruse ndihmoi Donald Trump duke provokuar probleme për Hillary Clinton. 

Kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka qasja militante e mediave kryesore që po rreshtohen hapur kundër një rezultati të certifikuar në emër të mbrojtjes së vlerave të demokracisë liberale. Mirëpo trajtimi i problemit rus në zgjedhje kërkon një hulmtim më bindës përderisa edhe sot që flasim, paramisht dhe sipas të njëjtit raport aktivitetet ruse janë duke u zhvilluar.  Një kritikë që vlen për t’u lexuar është ajo e Keneth Rogrof, i diplomuar për histori sovjetike në Berkley, publikuar në “The Moscow Times”, gazetë kritike me Putin(https://themoscowtimes.com/articles/american-unintelligence-on-russia-op...). 

Rogrof sjell në vëmendje entuziazmin e madh të tri gazetave kryesore amerikane, “The New York Times”, “The Washington Post” dhe “The Wall Street Journal”, sipas të cilave raporti jep hollësi befasuese dhe shqetësuese për aktivitetet ruse, duke nënvizuar se këto raportime janë po aq befasuese pasi të dhënat e raportit nuk janë fakte të reja. Një vërejtje që meriton për t’u veçuar është ajo se në raport, agjencitë amerikane i kanë kushtuar vëmendje dhe vlerësime specifike një televizioni si RT(Russia Today). 

Këto shtatë faqe të shkruara nga komuniteti i shërbimeve sekrete të ShBA-së përbëjnë atë që mund të jetë dhurata më e madhe dhe më bujare në historinë e Ortodoksisë ruse, që feston lindjen e Krishtit më 7 janar. Falë CIA, FBI dhe NSA, Russia Today mund të shpresojë tani në financim edhe më të madh nga Kremlini”, ironizon Rogrof. 

Më tej edhe një konstatim tjetër: 
P.sh raporti(jo aneksi) thekson se Dimitry Kiselyov, i ashtuquajturi shefi i propagandës së Kremlinit “e ka trajtuar Donald Trump me simpati në shoën e tij televiziv, duke zhvlerësuar procesin demokratik në SHBA. Transmetimet e Kiseylov – që shfaqen në Rusi për shikues rusë – citohen si një shembull i komunikimit ndaj audiencës ruse, që presupozon zbulimin e preferencave të Kremlinit dhe qëllimeve të tij. Kjo hipotezë e fundit vështirë se gëlltitet: si mundet që një shoë televiziv në në rusisht dhe për rusët të tregojë qëllimet e Kremlinit për t’u përzier në sistemin demokratik amerikan?”

Emfatizimi i rrezikut rus është qartazi një alibi pasi ndërtimi i raportit edhe mbi disa akte të Vladimir Zhironovskit, që autori e quan klouni kombëtar rus, vë në pikëpyetje të madhe seriozitetin e shërbimeve. Raporti ofron një panoramë të veprimeve të burimeve hapura të enteve ruse, si mediat, të cilat operojnë në kuadër të një sistemi që lejon shfaqjen e mendimeve. Lidhur me RT-në dhe ndikimin e madh të tij, Rogrof sugjeron se ky vlerësim injoron faktet, pasi siç thotë ai, materialet më të shikuara të RT-së në Youtube, janë ato për fatkeqësi natyrore, rënie meteorësh, tërmet, njerëz të pastrehë etj..

Duke se shërbimet sekrete amerikane që sot pohojnë se zgjedhjet u ndikuan nga ky “kombinat mediatik” i ngritur nga Rusia, në fakt po heqin nga vetja një akuzë shumë të rëndë që lind vetiu në kushtet kur vlerësimi i punës së tyre do të ishte serioz: nëse Putin ka urdhëruar një fushatë influencimi, çfarë bënë shërbimet sekrete amerikane, ndoqën shtypin dhe RT-në për të kapur qëllimet e tij? Sepse raporti shmang elementët e punës operative nën siglën “sekret” për të na ofruar një Përmbledhje Shtypi. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.