A duhet besuar apeli i Lulzim Bashës për mediat

Postuar në 06 Janar, 2017 11:53

Media ka rolin e vet në demonizimin e pushtetit, në stigmatizimin e skajshëm të disa politikanëve, duke u rrekur të krijojë klishetë e të mirës dhe të keqes në një vend, si parakusht për çlirimin e energjive të reja te elektorati. Nga ky rol nuk përjashtohet as media shqiptare, e cila ka ndikuar jo gjithnjë për mirë në përpunimin e opinionit.

Trajtimi i periudhës së komunizmit si vitrinë për të shuar kureshtjen me sekrete policeske është patjetër edhe kontribut i shtypit shqiptar që minimizoi kushtet për një klimë reflektimi. Trajtimi i figurës së Sali Berishës është një tjetër moment që apelon për përgjegjësi në punën e gazetarëve dhe sidomos redaktorëve. I transformuar në të keqen gati absolute të Shqipërisë, Berisha u katapultua nga media në një formulë të thjeshtuar për “popullin” që gjen shprehjen e vet më domethënëse te deviza politike: Gjithë fajin e ka Saliu. Asnjë parti politike nuk do kishte guxuar një polarizim të tillë verbal e retorik pa rolin e medias që amballazhoi emrin dhe mbiemrin e Berishës si toksina kryesore politike e kombëtare.

Ky lloj reduktimi gati si prej rezervave propagandistike të Maos ka ndikuar për keq në marrjen e përgjegjësive ndaj zhvillimeve në vend. Sot që flasim, Berisha është po ai destruktivi i djeshëm, po ai problematiku sipas disave, por askush nuk ka një mundësi objektive që ta tejkalojë këtë mbigjykim populist drejt një shqyrtimi moral e penal të tij. Kjo jo pse kështu kënaqet dyshimi i dikujt, hakmarrja apo axhenda politike e dikujt tjetër, por sepse me një trajtim institucional merr fund ky diversion i stërzgjatur që i bëhet opinionit dhe vëmendjes së tij.

Qëndrimi i shtypit dhe një pjese dërrmuese të medias ndaj tij formon një model gazetarie dhe përgjegjshmërie që shkon tej interesave ekonomike të botuesve dhe pronarëve. Nuk mund të mos identifikohet një patologji në këtë drejtim, e cila në thelb zbulon edhe patologjitë e të gjitha llojeve që kushtëzojnë drejtimin editorial, por edhe punën e gazetarëve.

Profilizimi i një figure politike nuk ka sesi të jetë absolut. Ai duhet krahasuar me realitetin social, mundësitë e shpërdoruara, por sidomos me rivalët. Berisha nuk meriton ndonjë vëmendje të posaçme në këtë drejtim – pushteti i tij ka qenë po ka dominues sa ai i Ilir Metës në kohën e vet, i Fatos Nanos dhe ai ka qenë thuajse identik me dominimin e Edi Ramës sot në ekzekutiv. Edhe shoqëria që koagulohet institucionalisht në kafene, përflet dhe “ngre zërin” për të njëjtat shqetësime. Si është e mundur atëherë që fabula e “katallanit që kërkon kurbane” vazhdon të qëndrojë në këmbë? Përgjigja është ndër të tjera: Media.

Por ka një ngjashmëri tjetër mes Edi Ramës dhe Berishës që nuk e justifikon këtë asimetri, e cila injoron qëllimisht potencialin dëmtues të mënyre drejtimi si kjo e tanishmja. Sali Berisha u detyrua të pajtohej me median, apo më saktë të bënte armëpushim permanent me të pas vitit 2003 kur pasi provoi çdo manovër, pa të dështonte në objektivat e tij. Ai rriti prezencën dhe qetësinë ndaj kritikave sidomos në vitin 2004, kur duhet të shfaqte ndryshimin e tij. Dhe në fakt Berisha është politikani që ka ndryshuar më shumë sesa çdokush tjetër sjelljen e vet aq sa si me shaka e si me të vërtetë, në kohën kur kishte garantuar shumëçka, do të deklaronte se “Unë jam dashnor i fjalës së lirë”.

Edi Rama mësyu hapësirën publike nga dritaret mediatike. Por në të kundërt me Berishën, ai po provon përditë e më shumë se kishte qasje instrumentale në funksion të ambicieve të veta politike. Marrëdhënia e kryeministrit shqiptar me gazetarët dhe sidomos me pronarët konstituon një mikrobotë vesesh, frike dhe ankthi, cinizmi dhe përçmimi që e bën shumë të qartë se cili është raporti i vërtetë i tij me lirinë e shtypi. Sesi gjithë ai arsenal retorik gati leninist i këtij njeriu në opozitë, ishte për ta thënë me fjalët e një filozofi shqiptar “protezë e imazhit të vet”. E gënjeshtrës së madhe që po pozon sot para të gjithë shqiptarëve në formën e një qeverisjeje

Edi Rama krijoi raporte klienteliste me median, por ia doli për shkak të një keqkuptimi shumë të madh dhe paaftësisë së kundërshtarëve të tij që ta shiste fitoren e vitit 2013 si një akt me bashkëpërgjegjësi qytetare. Këtu vjen në vështrim edhe një pjesë e medias, e cila kontribuoi në atë që erdhi në vitin 2013 thjesht duke mos bërë punën e vet. Duke mos denoncuar marrëveshjen e 1 prillit me forcën e duhur, duke gëlltitur edhe vetë(analistët që predikojnë moral) si të vërtetë prevalencën e largimit të Berishës përkundrejt perversitetit total të raportit të ri PS-LSI.

Nëse bëjmë një vlerësim të përgjithshëm me vitin 2013, mund të thuhet se PS-ja dhe ekipi drejtues i saj e kanë zbritur median – një pjesë jo të vogël të saj – nga emëruesi i përbashkët i fitores. Këtu ka ndikuar edhe dorëheqja dhe aktet politike “shumë zhgënjyese” të Berishës, nga i cili do të duhet të vinin vetëm akte jocivile.  

Në këtë kuadër, thirrja e djeshme e Lulzim Bashës, me rastin e 26 vjetorit të themelimit të
“Rilindjes Demokratike” meriton vëmendje. Kreu i PD-së bëhet ndoshta kryetari i parë i një partie politike kryesore që kërkon ndihmën e medias në garantimin e një sistemi kushtetues që në thelbë është kusht edhe për vetë ekzistencën e medias dhe lirisë në përgjithësi.

Unë u bëj thirrje të gjitha mediave të vendit, pa asnjë dallim, përfshirë mediat që janë kritike e shumë kritike me opozitën apo me mua: të bashkohemi sot në një angazhim të përbashkët për zgjedhje të lira e të ndershme:

-të luftojmë së bashku kundër çdo forme të riciklimit direkt apo indirekt në politikë të individëve me rekorde kriminale që ligji i dekriminailzimit i nxjerr nga dera, por vullneti i mbrapshtë i atyre që i promovuan në politikë po kërkon t’i fusë nga dritarja, me bedelë e me forma të tjera.

-të luftojmë se bashku për të zhdukur njëherë e mirë shitblerjen e votës si atentati më i madh që mund t’u bëhet zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Basha.

Ky është një apel që po të gjykohet i zhveshur nga motivimi politik përmban elementë që duhen konsideruar. Dekriminalizimi është ligj i Parlamentit, bazuar mbi një realitet politik të cilin vetëm kryeministri shqiptar nuk do ta njohë. Ligji mundet të ketë aspekte të shkeljes së të drejtave, por njësoj si për Vettingun, për të cilin Komisioni i Venecias deklaroi se “vlen për një situatë jonormale”, edhe ai garantohet në këto kushte si legjitim.

Kreu i PD-së po kërkon ndihmën e medias për zgjedhje të lira, pra për ruajtjen e një standardi që u cenua rëndë në vitin 2015. Dhe ky apel ka rëndësi pasi në fakt hulumton ato dobësi thelbësore që media e sotme, përpiqet në vijimësi t’i fshehë duke u kapur pas përrallës së reformës në drejtësi si Dhjata e Re e drejtësisë në “Parajsën europiane të kanabisit”.

Parimisht i drejtë, mesazhi i kreut demokrat aktualizohet në emergjencën e tanishme demokratike bashkë me cenet e raporteve historike të PD-së me lirinë e shtypit, por edhe me defiçencën në statusin e gazetarëve. Nëse Basha sot, pas apelit të vet po kërkon marrëveshje apo ndihmën e pronarëve të mediave, atëherë këtu jemi në atë model që u perfeksionua nga Edi Rama.

Media online ofron një mundësi që edhe ata gazetarë apo qytetarë që duan të thonë fjalën e tyre, të ndikojnë jashtë suazës së interesave ekskluzivisht ekonomike. Ajo gradualisht po ndikon politikëbërjen si të pozitës, ashtu edhe të opozitës. Nëse kjo e fundit do kanalizojë edhe këto zëra, përveç shfaqjes formale pranë saj, atëherë ndoshta apeli i djeshëm i Bashës mund të ketë një vlerë të vërtetë në këtë turbullirë të sotme. Do të kishim të bënim me një ndryshim modeli që hap dritaren për katharsis edhe në media edhe pse niveli i besimit te PD-ja është ndër më të ulëtit në perceptim dhe se zemra e saj qan për të shkuarën

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.