Televizioni dhe terrorizmi*

Postuar në 05 Janar, 2017 08:20
Gëzim Mekuli

Televizioni dhe terrorizmi

Në kohët e ngritjeve të tensioneve dhe të konflikteve politike dhe ushtarake, televizioni zotëron mundësinë e ndërmjetësimit dhe të lansimit më të shpejtë të informacioneve. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e popujve të botës, në këto momente krizash, "thith" informatat kryesisht nga televizioni. Jo rrallë nga ana e opinionit publik, lajmet nga televizioni dhe nga radioja konsiderohen si "njoftime të lëshuara" nga qeveria. Shembull: Me këtë mënyrë qendra e fuqisë politike në Serbi u "mënjanua dhe u largua" nga e vërteta dhe faktet. Kjo më së shumti ishte e pranishme në televizionin shtetëror serb. Media, në veçanti televizioni serb, u shndërrua në katedrale të shpirtit serb.

Manipulimi medial filloi që me seleksionimin e temës. Nuk dëshiron të informohet se çka në të vërtetë ndodh dhe çka, p.sh., në mediat e huaja lansohet dhe flitet, por vetëm ajo çka për regjimin serb është "e lejuar". Këtu kemi të bëjmë me një formë radikale të ndërtimit "të realitetit", një realitet virtual i cili nuk do kishte prova objektive dhe faktike. Nëse kishte kërkesa për lajme të rëndësishme, lajmi dhe reportazhi fantazohej, krijohej dhe pikturohej. Se ku e solli popullin serb ky lloj i komunikimit të brendshëm medial, dihet, por pasojat e kësaj qeverie trushpëlarë i bartën shumë popuj të pafajshëm ballkanikë.

Është me rëndësi të nënvizohet se ishin të pakët ata intelektualë serbë të cilët refuzuan të mos merrnin pjesë në propagandën serbe. Përkundrazi, shtypi i kohës dhe televizioni serb (Radio Televizia Serbia) ishin përditë të ngarkuar me idetë dhe me strategjitë se si duhej luftuar ”terrorizmi shqiptar” në ”Stara Srbia”[1]

Noam Chomsky, në lidhje me propagandën, shprehet: ”Propaganda shtetërore, kur përkrahet nga shtresa e arsimuar dhe intelektuale dhe kur këtu nuk lejohet asnjë shmangie nga kjo, mund të ketë efekt të madh.”[2] Ky mësim u nxor nga Hitleri dhe shumë të tjerë. Mund të themi se strategjia propagandistike është duke u përdorur me shumë sukses edhe në politikat e sotme.

 Mediat luajnë vallen e terroristëve?

Për t’iu shmangur 11 shtatorit të 2001-shit, do të kishte qenë më mirë që amerikanët të vështronin dhe të kontrollonin se kush janë ata të cilët interesohen të marrin mësim për pilotë në shkollat e fluturimeve të vendit. Tash është shumë vonë për diçka të tillë, por nuk është aspak vonë që amerikanët të përcjellin ata që kanë zgjedhur të studiojnë shkencat e mediave, të filmit dhe të komunikimit.

Duke parë rëndësinë e madhe të dërgimit të lajmit në opinion dhe efektin e madh psikologjik të tij, terroristët, kur sulmuan shkollën e fëmijëve në Beslan, nuk ishin të ngarkuar vetëm me kallashnikovë, eksploziv dhe mortaja. Ata ishin pajisur edhe me videokamera. E njëjta gjë ndodh me rrëmbyesit e pengjeve në Irak. Ata ”kujdesen” vazhdimisht që kallashnikovët të shkëlqejnë para kamerave të tyre dhe, po ashtu, me rëndësi për ta është që edhe paraqitja në faqet e internetit të funksionojë mirë.

Vrasjet janë vetëm  një pjesë ”e vogël” e terroristëve. Pjesa tjetër është strategjia mediale.

Terrori është një pasqyrë ku ne mund t’i shohim vlerat tona. Por, që të kuptohet sa më shumë dhe të shihet sa më qartë, terrori ”duhet” t’i përshtatet shoqërisë bashkëkohore mediale. Ikonë e shekullit 21 është fotografia televizive që paraqiti sulmin dhe rrënimin e kullave binjake në Nju-Jork. Ishte fuqia ekonomike perëndimore ajo që u rrënua përtokë.

Edhe xhirimet në Beslan ishin veçanërisht të trishtueshme dhe jokurajuese, sepse ato na rikujtojnë se kjo tragjedi mund t’u ndodhë edhe fëmijëve tanë. Në logjikën e sëmurë terroriste sulmi mbi fëmijët është ”më i suksesshëm” sesa sulmi në ndonjë bazë ushtarake apo në ndonjë ministri. Por, kjo nuk është e tera. Opinionit botëror duhet t’i tregohen dhe t’i ofrohen fotografi të forta. Aksionet duhet të zgjasin aq shumë sa që empatia të këtë kohë të mjaftueshme të përforcohet në mendjen e opinionit publik.

Askush nuk merakoset nëse vriten katër palestinezë të rinj nga mortaja e tankut izraelit. Po ashtu, askush nuk mërzitet edhe nëse vriten dy civilë izraelitë në Tel –Aviv. Këta janë një shifër e vogël në detin e madh të numrave. Mediat ”nuk kanë kohë”  t’i konsiderojnë ata si njerëz, sepse menjëherë pas kësaj vjen një lajm tjetër dhe kjo menjëherë mbulohet nga aksionet e shpejta të ushtrisë izraelite, si pasojë e të cilave ka pllakosur vdekja dhe mjerimi. Këtë e kanë kuptuar rrëmbyesit në Irak, ndaj edhe Keneth Bigley, p.sh., u mbajt peng për më shumë se 4 javë. Kur ishte çasti i përshtatshëm që të sensibilizohet, të fokusohet dhe të provokohet opinioni anglez, terroristët dërgonin videofilmime të reja me pengun e tyre të lidhur këmbë e duar. Nëse ju kujtohet, televizioni britanik transmetonte fjalët e tija: ”Toni Blair është gënjeshtar, ai nuk mërzitet për mua”. Ju kujtohet? Edhe nëse jo, mos u brengosni, se mediat ndërkohë kanë sjellë lajme edhe më të forta dhe më të freskëta.

Para disa kohësh profesori Jan Sorbo pohoi se shumë nga këto aksione të rrëmbimit të pengjeve prej terroristëve, në të vërtetë, janë përpjekje për t’u shprehur.[3] Qëllimi i tyre është, para së gjithash, që të depërtojnë në media, në dhomën e secilës familje dhe në mendjen e secilit individ. Shtrohet pyetja, a duhet të lejojmë të lansohen ”shprehje” të tilla, përderisa terroristët kushtëzojnë hapur që media e demokracisë t’i transmetojë ato? Mendoj se mediat moderne nuk përçojnë idenë e terroristëve/kidnapuesve, por pavetëdijshëm u shërbejnë atyre, duke luajtur rolin e një ”stative mikrofoni” për porosinë e tyre politike. Një debat i fuqishëm duhet të zhvillohet se si duhet të administrohet liria e shprehjes, duke mos u vendosur në shërbim të terroristëve.

Ky debat është duke u ankoruar dhe fuqizuar në vendet të cilat janë prekur nga aksionet e terroristëve. Për shembull, rusët reaguan me refleksin e vjetër. Komiteti, i cili trajton çështjen e mediave në parlamentin kombëtar ”Duma”, vlerësonte të ndalonte transmetimin e informacionit rreth dramës me pengmarrësit çeçenë në momentin që ajo vazhdonte. Ky ishte besimi i vjetër komunist, sipas të cilit më lehtë është të ndalosh të vërtetat e pakëndshme. Ky reaksion është i ngjashëm me propozimin e vjetër të Margaret Theçerit  ”për t’u refuzuar e ndaluar terroristëve oksigjenin publik”. Një zgjidhje e mrekullueshme për regjimet totalitare, e aq me tepër sepse këta vetë mund të vendosin se çfarë mund të lihet në heshtje, për shembull paaftësia dhe impotenca e tyre për të udhëhequr një shoqëri me vlera të vërteta njerëzore.

Petter Preston, ish-kryeredaktor i ”The Guardian” dhe kryetar i ”World Editors Forum”, në një artikull pyet: Nëse porosia e keqe është një armë histerike dhe potencial për shkatërrime masive, atëherë si mund ta bëjmë këtë të parrezikshme?

Ne duhet të shkarkojmë përgjegjësinë te secili redaktor. Për shembull, stacioni televiziv ”France 2” ka një rregull që ndalon gazetarët që të transmetojnë xhirimet me pengje që janë të detyruar të flasin nën dhunë dhe presion psikofizik. Ky është një rregull që ruan drejtpeshimin me etikën tradicionale të gazetarisë. Burimi nuk është i lirë, andaj edhe kjo nuk guxon të ritransmetohet dhe të duket se ai apo ajo është i lirë dhe se flet me dëshirë.

Hapi i parë në drejtim të një qëndrimi të pavarur redaktorial do të ishte një vendim ku do të kristalizohej qartë se publikimi i materialeve filmike të fabrikuara dhe të lancuara nga pengmarrësit, është në kundërshtim me etikën dhe parimet e gazetarisë. Redaksia mund të përdorë materialin si një platformë për gazetarinë vetanake, por ne nuk duhet të lejojmë që terroristët të jenë regjisorët dhe kameramanët tanë.

Rregullat etike të gazetarisë së hapur kanë nevojë për një rifreskim që t’i përshtaten  kohës së sotme, ku terroristët kanë një strategji të avancuar mediale dhe kompanitë e veta të prodhimeve mediale. Por, para së gjithash, ndihet nevoja për një refleksion në mesin e redaktorëve të stacioneve televizive, faqeve të mëdha informative të internetit dhe të gazetave të mëdha ditore. Këta ndoshta besojnë se kjo është një liri e shprehjes, nëse transmetojnë dhe ndërmjetësojnë britmat dhe lutjet e pengjeve që vijnë nga al-Jazeera ose nga ndonjë ueb-faqe e kontrolluar nga terroristët.

Nuk duhet lejuar që mediat e lira të lëvizin atje ku terroristët dhe ekstremistët dëshirojnë dhe synojnë. Kjo porosi duhet t’u drejtohet qartë edhe ekstremistëve dhe terroristëve serbë, të cilët, sa herë dëshirojnë, po kanë mundësi dhe përparësi për të imponuar politikat e tyre destabilizuese në agjendën e mediave në Kosovë dhe jashtë saj.

Këtë strategji mediale politike serbe  (”public relation”) mediat tona janë duke e gëlltitur dhe ndjekur verbërisht dhe joprofesionalisht. Rasti i fundit i tillë ka të bëjë me aktin terrorist dhe hedhjen e bombës më 27.06.06 në lokalin ”Dolce Vita”, në pjesën veriore të Mitrovicës. Edhe këtu kemi një shembull klasik të plotësimit të dëshirës së terroristëve: transportimin e idesë, porosisë dhe fotografisë sipas regjisë së tyre. U pa përsëri se mediat në Kosovë, pavetëdijshëm, u shndërruan në ”stativ mikrofoni” për terroristët.

Sikurse nazistët e NSPD-së, të cilët në mediat panë pushtet dhe fuqi për realizimin e ideologjisë së tyre të zezë, njashtu edhe nacionalizmi serb ka nën kontroll politik tërë institucionin medial, e veçanërisht televizionin. Edhe sot gazetaria e hapur është vënë në shërbim të politikës shkurtëpamëse serbomadhe. Edhe sot, njëzet vjet pas shkatërrimit të sistemit komunist jugosllav, nuk lindin shpresa për një sistem më liberal dhe demokratik të shtypit dhe të fjalës së lirë serbe. Sa keq për ata, por sa e zezë edhe për ne!

 

[1] ”Serbia e vjeter”, shprehje retorike e diplomacise serbe që filloi të përdoret që në fund të shek. XV

[2] Chomsky, Noam, Media Control: The Spectacular Achievements of Propaganda, 2-nd Edition, 2002:13

[3] Keshtu u citua Sorbo nga Radio Oslo, (2004)

*(Pjesë nga libri "Mediat dhe Politika")

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.