Histori në kohët e lebrës

Postuar në 05 Janar, 2017 10:22
Doan Dani

“Duke u nisur nga parimi themelor i materializmit historik, se krijues të historisë janë masat popullore”, sistemi i ngritur mbi luftën e klasave, në një vend me përqindje shumë të lartë të popullsisë rurale, ka nevojë për historizmin e këtij konflikti, mundësisht duke e paraqitur si zhvillim të natyrshëm autokton që komunizmi e zbulon, ndaj edhe përçon te historiografia obsesionin e nivelimit të fshatarësisë në një klasë të vetme, kompakte e të ndërgjegjshme në përplasjen me tjetrin, shfrytëzues lokal ose i huaj. Metodologjia marksiste ekzalton pikërisht konfliktualitetin klasor: masa është forca lëvizëse, siç e do “parimi themelor” i lartcituar, dhe udhëheqësi në luftën kundër shfrytëzimit del nga gjiri i saj (si reminishencë për Birin e Atit popull). Për pjekjen e kushteve të tilla, sipas shkollës shqiptare, nevojitet evidentimi i marrëdhënieve feudale, të cilat farkëtojnë masën në pozitën e saj të shtypur dhe e vënë në lëvizje, duke e emancipuar politikisht.

Më gjerësisht, përveç faktorizimit politik të masës, rendi feudal i perspektivës marksiste vendos të shkuarën në rrjedhën normale të evolucionit njerëzor, duke e pozicionuar në një zonë gjeografike të tipizuar nga zhvillime ekonomike, politike dhe kulturore specifike, në mënyrë që të konfirmohet përbashkësia me të. Gjithashtu, si qëllim fundor ka vërtetimin e ndërprerjes së këtij normaliteti nga sundimi osman. Zbulimi i gjurmëve feudale në territorin shqiptar të Mesjetës së Vonë do të thotë integrim i zonës në traditën e zhvilluar kontinentale, por gjithsesi i paraqitur si zhvillim i natyrshëm autokton, si diçka qenësore në bashkësinë arbëro-shqiptare dhe jo e importuar.

Një herë që përcaktohet mjeti i domosdoshëm për vërtetimin e zhvillimit progresiv të territoreve arbëro-shqiptare, është e lehtë të mbushet ena me marrëdhënie feudale: mjafton të kërkohen, zbulohen apo sajohen disa gjurmë ose karakteristika shprehëse të feudalizmit. Pikërisht mbrojtja e mjetit është shtysa e kritikës së Aleks Budës ndaj Skënderbeut të fundit të Fan Nolit. Që të dy historianët nisen nga prapavija teorike marksiste, por Noli orvatet ta minimizojë praninë e një klase feudale, në mënyrë që të reduktojë në maksimum çështjen e shfrytëzimit të fshatarësisë nga ana e të pushtetshmit dhe të theksojë njësimin me sfond patriotik të shtresave shoqërore të kohës, kurse Buda ekzalton realitetin feudal, megjithëse përkohësisht, sepse përfundon në shkrirjen e masës me “zotërinë” Skënderbe, aq sa ky i fundit nuk duhet aspak shfrytëzues, për të mos thënë se merr trajtat e udhëheqësit të Parë komunist në historinë e shqiptarëve.

Buda përpiqet të tregojë se Arbëria i kishte hedhur pas krahëve format arkaike të raporteve socio-politike dhe se evolucioni feudal vinte si rezultat i pozitës gjeografike, një kryqëzim mes Orientit dhe Perëndimit, që i ka shtyrë dinjitarët t’u përshtaten situatave. Aq të avancuar e parafytyron procesin e feudalizimit, saqë në shek. XIV tashmë kishte hyrë në krizë dhe vendi (si njësi e tërë) po shkonte drejt konsolidimit të kombësisë e shtetit, sikur kategoritë ‘Kombësi’ dhe ‘Shtet’ të ishin forma organizative që teorikisht e historikisht kanë përjashtuar bashkëjetesën me sistemin feudal. Ja ku, në periodizimin e tij marksist, pas asnjë argument Buda zbret domethënien e jashtëzakonshme se Gjoni e Gjergji i Kastriotëve, pasi janë feudalizuar me këmbëngulje prej tij dhe dishepujve të shkollës historiografike shqiptare, ndodheshin, në mos brenda, në prag të rendit kapitalist. Ajo çfarë shpëton historianin nga shpërfillja e parimit të moskontradiktës është shenjtëria e mëtimit për të krijuar një Arbëri paraosmane sa më të zhvilluar, në mënyrë që ky artefakt historiografik me bazë feudalizmin, pasi t’i vendoset përkarshi Tjetrit osman, të pasqyrojë asimetrinë ekstreme të realiteteve para dhe pasosmane, të cilët Buda i ka përcaktuar edhe gjuhësisht, duke e cilësuar periudhën paraosmane si “qytetërim” e duke e lënë thjesht “periudhë otomane” ose “regjim” atë çka pason. Gjithçka zhvillohet brenda skenarit dhe regjisë së shtetit pedagog.

Pas 1990, në vend të hapjes së munguar ndaj zhvillimeve të debatit akademik ndërkombëtar mbi feudalizmin, dualizmi bardh e zi (sigurisht, me ngjyra në kopertinë) i modelit teorik  të traditës shqiptare vijon të pluskojë ose të konfigurohet sipas nevojave të reja, identitare ose jo, për të cilat feudalizmi nuk është më qenësor, por mall importi nga Europa.

Nga absurdi i autoktonisë së mekanizmave të sistemit feudal, evoluohet në sajimin e importimit prej Perëndimit. E cilësoj sajim, së pari sepse bazohet tek (a) argumenti logjik i distancës mes Arbërisë e Kostandinopojës, çka rrafshon inkuadrimin e vegjetimin e Arbërisë në sferën bizantine, drejtpërdrejtë ose tërthorazi me përfshirje në zgjatimet sllavo-greke, dhe tek (b) pretendimi se faktorizimi politik i elementit lokal është më tepër pasojë e ndikimeve perëndimore sesa i zbaticave të Perandorisë bizantine.

Së dyti, privatizimi i pushtetit shtetëror nga zotërinjtë vendës nuk është në vetvete imitim perëndimor, i cili do të mund të evidentohej si i tillë në bazë të sociologjisë së prodhuar nga mënyra e ushtrimit të këtij pushteti (deri më sot misterioze). Së treti, argumentimi faktik përmes vendosjes së sundimeve “perëndimore” në fasadën bregdetare arbërore, të konsideruara si potencialisht feudalizuese, përveçse i pashtjelluar fare me ilustrime mbi territoret në fjalë, duke u ngushëlluar, përkundrazi, vetëm me përdorimin e referencave anakronike krahasuar me gjendjen aktuale të njohurive mbi fenomenin e feudalizmit, karakterizohet nga të mjaftuarit me rezultatin e aluduar prej një arsyetimi në formë silogjizmi klasik aristotelian: [premisa 1] pushtimi europian sjell feudalizëm (sipas shembullit të Moresë), [premisa 2] Arbëria pushtohet nga europianët (anzhuinë e venedikas), [përfundim] Arbëria është feudale.

Mjafton një premisë e gabuar dhe përfundimi bie. Konkretisht e para, kryesorja, nuk realizohet kudo e kurdo, dhe e dëshmon vetë rasti i Arbërisë anzhuine, ku, pas aneksimit të këtyre territoreve, Karli I konfirmoi të drejtat e privilegjet e mëparshme, duke lënë në fuqi modelin ekzistues e duke vendosur një elitë administrative publike të sjellë nga radhët e klientelës feudale të Mbretërisë së Siçilisë, e jo të krijuar në vend, në bazë të koncesioneve feudo-vasalitike. Së katërti, premisa e parë niset nga pretendimi i gabuar në gjenezë se çdo pushtet politik tejadriatikas i asokohshëm duhej të ishte feudal. Vetëm kështu mund të përdoret si argument edhe Venediku, duke i veshur me imagjinatë kësaj republike detare një strukturë institucionale tipike të feudalizmit, të eksportueshme më pas në zotërimet e saj nëpër Mesdheun lindor, çka në fakt refuzohet kategorikisht nga historianë të shumtë, që edhe pse perëndimorë nuk shfletohen nga ata ekspertë të sotëm shqiptarë të cilët e certifikojnë figurën e tyre publike falë institucionalizimit të frikës nga “shkolla orientale” (ndonëse vetë aty janë formuar).

Nëse raportimi studimor shqiptar me feudalizmin përgjatë dekadave të regjimit ka synuar faktorizimin e masave dhe bërjen e Shqipërisë mesjetare si gjithë të tjerët, sforcimi i fundit tradhton zellin e identifikimit si emancipues dhe pjesë e së Mirës të çdo (dhe ekskluzivisht) fluksi perëndimor, në entuziazmin e bërjes së Shqipërisë si gjithë Europa që në Mesjetë, dhe nuk duhet anashkaluar asnjëherë se klubi ‘gjithë të tjerët’ vlen vetëm për kategorinë ‘Ne’, ndërsa tërësia e tjetërsisë do të ketë përherë vend për një Tjetër primitiv, të kategorisë ‘Ata’, konkretisht jofeudal ose feudalisht i vonuar apo i prapambetur.

Të pandryshueshme mbesin tallja me lexuesin, manipulimi i rëndomtë i objektit, shenjtërimi i urrejtjes, ripërtëritja e vazhdueshme e frikës nga armiku i brendshëm, i shpallur “tradhtar” nga çobanë të kulturës sonë që dje ekzistonin për t’i mësuar shqiptarët me muret ndarëse (duke prodhuar shqiptarë, kosovarë e të tjerë) e sot orvaten t’i dërrmojnë atropologjikisht. Dhe sigurisht vijojnë dekoratat legjitimuese, herë si përmendore në “lulishten e monumenteve” e herë si çmime për këto lloj prurjesh, metodash, arsyetimesh e stilesh që, më shumë se shkencore, vlerësohen për rezistencën ndaj shkencës, ndaj lirisë së mendimit në tërësi, ndaj etikës, e cila, sado minimale, del nga brendësia dhe e hijeshon njeriun me aftësinë e njohjes së masës (cakut), përndryshe nuk ka çmim që të mund të grimojë fytyra të përçudnuara nga ligësia.

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.